18 Janar 2018

Mbi 9.5 milionë euro do të ndahen gjatë vitit 2018 për inovacionet

Prishtinë, 13 nëntor - Në Prishtinë është hapur Konferenca Globale për Ndërmarrësi 2017. Në hapje të kësaj konference kanë marrë pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, Ambasadori i ShBA-së në Kosovë Greg Delawie, ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, përfaqësues të Odës Amerikane të Biznesit dhe përfaqësues të institucioneve të tjera, si dhe përfaqësues të ndërmarrjeve dhe inovatorë.

Në hapje të kësaj Konference, në panelin diskutues mori pjesë edhe ministri i Inovacionit dhe Ndëmarrësisë, Besim Beqaj, i cili në fjalën e tij shprehu përkushtimin e ministrisë që drejton në përkrahje të inovacioneve në ekonomi dhe ndërmarrësve kosovarë.

“Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në buxhetin e vitit 2018 i ka të planifikuar mbi 10 milionë euro, nga të cilat mbi 9.5 milionë do të ndahen për inovacionet dhe ndërmarrjet”, tha Beqaj.

Ai më tej ka theksuar se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, me qëllim të përkrahjes së ndërmarrjeve do të themeloi 4 qendra të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë; në Prizren, Prishtinë, Mitrovicë dhe në Pejë.  

Ministri Beqaj ka sqaruar se fondi për Inovacion dhe Ndërmarrësi do t’i ketë tri shtylla: Edukimin; ku përfshihet edhe bashkëpunimi me institucionet e arsimit të lartë në Kosovë; Infrastruktura ligjore dhe fizike; ku përfshihet hartimi i bazës ligjore dhe themelimi i qendrave të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, dhe Përkrahja direkte e inovatorëve dhe ndërmarrësve.

Konferenca Globale e Ndërmarrësisë po mbahet këtë vit nën patronatin e Kryeministrit Haradinaj dhe do të zgjasë nga 13 deri më 19 nëntor. Kjo Konferencë organizohet nga Qendra Inovative e Kosovës mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, GIZ, USAID-i dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Janar 2018 - Ministri i Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi do të zhvilloi një takim me kryetarin e komunës Gazmend Muhaxheri. (Rezidenca e kryetarit Muhaxheri në Pejë, ora 9:30)

- Mbahet mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku do të formohet Komiteti për Politikë dhe Financa si dhe do të caktohen anëtarët e komisioneve të aksionarëve nëpër ndërmarrjet publike komunale. (Objekti i Komunës, ora 10:00)

- Demokracia Plus në bashkëpunim me CoDe organizon tryezën me temë “Roli i Grupeve Jo formale të Grave në Politik Bërje – Shkëmbimi i përvojave në mes të grupeve jo formale të grave në nivel lokal dhe institucioneve qendrore”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë - KOMF organizon konferencën e lançimit kombëtar të Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Hapen punimet e punëtorisë me temë  “ Profilizimi i mësimdhënësve të klasave  I -V ”,  të organizuar nga MAShT dhe ku do të jenë të pranishëm drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit në rajonin e Pejës  si dhe të gjithë drejtorët e Sh.F.M.U-ve së bashku me dy mësimdhënës të klasave  I –V dhe nga një mësimdhënës i shkollave të fshatrave. (Shkolla fillore “Shaban Spahija “ në Pejë, ora 10:00)

- Ministri i Infsrastrukturës, Pal Lekaj, do të zhvillojë vizitë inspektuese në Autostradën “Arbën Xhaferi”. (Autostrada në fshatin Doganaj, ora 10:30)

- Në kuadër të lansimit të programit Zhvillim Rajonal, Ministria për Zhvillim Rajonal,  nesër më 18 janar, 2018,  nga ora 13:30, organizon takimin me kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës me qëllim të informimit të komunave lidhur me këtë programin për Zhvillim Rajonal dhe mundësit e zhvillimit socio- ekonomik rajonal. (Ndërtesa e Qeverisë, salla e takimeve P-38 në, ora 13:30) 

- Mbahet mbledhja për themelimin e komisionit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe kordinim vendor në fushën e Shkencës së Astronomisë në kuadër të Asociacionit për Mbështetjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional të Republikës së Kosovës. (Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ora 15:00)