28 Mars 2024

Lansohet raporti: Ku janë paratë për të drejtat e grave?

Prishtinë, 22 shtator - Fondacioni Kvinna till Kvinna do të lansojë sot raportin 'Ku janë paratë për të drejtat e grave? Trendet e financimit në Ballkanin Perëndimor'.   

Sado që dëshmitë sugjerojnë që kontributi i organizatave të shoqërisë civile për të drejtat e grave (OShCG) në ndryshimet shoqërore është thelbësor, megjithatë ka mungesë të të dhënave publike rreth kontributit të BE-së dhe të donatorëve të tjerë për barazi gjinore, e veçanërisht për OShCG.

Për të adresuar këtë boshllëk informacioni, Kvinna till Kvinna mbështeti hulumtimin e kryer nga tetë OshCG të rajonit, udhëhequr nga Rrjeti i Grave të Kosovës  (RrGK).

Hulumtimi analizoi trendet e financimit të barazisë gjinore në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor (BP).

Ky raport përmban rekomandime për BE-në, shtetet anëtare si dhe për donatorët, rekomandime këto veçanërisht  të rëndësishme në kontekstin e anëtarësimit në BE.

Hulumtimi u financua nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar.

Hulumtimi është kryer në vitin 2019 në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me një metodologji të përzier, me kërkime nga zyra, kërkesa për të dhëna si dhe intervista me 71 donatorë e 241 OShCG.

 Hulumtimi vë në pah se mjedisi i financimit në BP mbetet i fragmentuar me një bollëk të donatorëve të angazhuar, mirëpo rrallë herë të koordinuar.  

Shumica e fondeve që OSHCG-të morën nga viti 2014 deri në mesin e vitit 2019 buronin nga organizatat multilaterale (>21%) dhe ato bilaterale (>24%).

Po ashtu, fondet e grave (11%) dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare (OJQN-të) (8%) siguruan burime të konsiderueshme për OShCG-të.

Mbështetje më të vogël ofruan qeveritë (5%), fondacione të tjera përveç fondeve të grave (5%) dhe OJQ-të lokale (1%).

Disa nga gjetjet kryesore për Kosovën janë:

·        Siç tregohet në raport, OShCG-të  kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në ndryshimet shoqërore në Kosovë. Duke përfshirë kontributin në ligje të reja, politika, ngritje të vetëdijes si dhe në ofrimin e shërbimeve thelbësore për ata më në nevojë.

·        16% e OShCG-ve në Kosovë nuk kanë pasur asnjëherë financim; ato punojnë në baza vullnetare.

·        86%  e tyre raportuan se kishin periudha në të cilat nuk kishin fonde të mjaftueshme.

·        Individët dhe bizneset ofrojnë pak fonde për OSHC-të në Ballkanin Perëndimor; ndryshimi i kornizës ligjore mund të mundësonte që individët dhe bizneset të japin më shumë.

·        Krahasuar me qeveritë e rajonit, Qeveria e Kosovës dha më shumë fonde për OShCG-të, gjë e cila pjesërisht u atribuohet përpjekjeve për të përmirësuar njohuritë dhe praktikat e përdorimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në sektorë të ndryshëm. Sidoqoftë, financimi i qeverisë nuk është as i mjaftueshëm dhe as i qëndrueshëm, duke e vënë kështu në rrezik qëndrueshmërinë e OShCG-ve.

·        Siç u shpreh një i anketuar, “Fondet afatgjata, veçanërisht nga ambasadat dhe qeveria do të ishin ideale, sepse janë më të sigurta.”

·        Raporti arrin në përfundimin se për të siguruar fonde të qëndrueshme afatgjata për grupe të pavarura të të drejtave të grave, nevojitet dialog i mëtejshëm ndërmjet donatorëve, veçanërisht me qeverinë. Kjo në mënyrë që grupet e grave të vazhdojnë punën e tyre të rëndësishme. Aktivistët e të drejtave të grave duhet të jenë pjesë e këtyre diskutimeve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)