27 Tetor 2020

Komiteti i gastronomisë kërkon lehtësimin e masave ndaj bizneseve HORECA

Prishtinë, 24 shtator - Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e anëtarëve lidhur me masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës që kufizojnë aktivitetin ekonomik të ndërmarrjeve të industrisë HORECA.

Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit cilëson se kufizimi i orarit të lëvizjes dhe ndalesa e përdorimit të ambientit të brendshëm në aktivitetet e subjekteve afariste si në restorante, bare, pube, pengon rimëkëmbjen e këtyre bizneseve dhe zhvillim të lirë të aktivitetit ekonomik në një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, derisa një praktikë e tillë gjithashtu ka implikime të dëmshme në zhvillimin ekonomik dhe përkeqësimin e ambientit të bërit biznes.

Të njëjtin efekt ka edhe vonesa në zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike të lidhura edhe me vonesat në aprovimin e legjislacionit përkatës, e cila mes tjerash pamundëson edhe zbritjen e normës së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) në 8%.

Kjo ndikon në rimëkëmbjen e bizneseve të kësaj fushe, derisa aprovimi më i shpejtë i ligjit do të kishte ndikim në lehtësimin e operimit të ndërmarrjeve të prekura nga ndikimi i pandemisë COVID-19.

Vendimi për kufizimin e lëvizjes dhe ndalesën e qëndrimit, ngrënies dhe pirjes në ambiente të mbyllura po ndikon negativisht në operimet e subjekteve afariste përmes kufizimit të numrit të klientëve.

Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit konsideron se vendimi për ndalimin e qëndrimit brenda dhe kufizimin e orarit të lëvizjes, padyshim që ka implikime edhe në zvogëlimin e të ardhurave nga shitjet, e që pamundëson zgjerimin dhe zhvillimin e sektorit HORECA.

Rrjedhimisht, Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit konsideron se çdo efekt pozitiv i gjeneruar nga një politikë e tillë do të mbipeshohej nga ndikimet negative që ka në ekonominë e vendit dhe bizneset.

Prandaj, konsiderojmë se angazhimi i institucioneve të qeverisjes lokale duhet të jetë i bazuar në krijimin e një mjedisi të shëndoshë për sektorin privat i cili krijon parakushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror gjatë kësaj periudhe.

Përfundimisht, Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës që në koordinim me ministritë dhe institucionet përkatëse të rivlerësojnë masat e vendosura, të lejojnë qëndrimin në ambiente të mbyllura, në restorante, bare dhe pube gjithmonë duke respektuar masat e vendosura nga IKSHPK-ja, të largojnë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe të bëjnë votimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.
-- 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Tetor 2020 - Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes diskuton lidhur me zhvillimet në Policinë e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agron Limani, do të bëjnë shpërndarjen e motokultivatorëve me frezë, në kuadër të prjektit: “Furnizimi me Mekanizëm Bujqësorë”. (Tek parkingu mbrapa Shtëpisë së Bardhë, ora 10:00)

-  Komisioni për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media shqyrotn interpretimin e ligjshmërisë së përzgjedhjes sē drejtorit gjeneral të RTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, raporton në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, lidhur me emërimet e fundit në bordet e përkohshme; gjendjen dhe veprimet e Qeverisë në Ndërmarrjen Trepça ShA; për funksionimin dhe operimin e hidrocentraleve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi nënshkruan Marrëveshje të Mirëkuptimit me Institucionet e Arsimit të Lartë të Kosovës. (Objekti i ish-MZHE-së, ora 11:00)

- Drejtuesit e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës do të protestojnë. (Para ndërtesës së Ministrisë së Bujqësisë, ora 11:00)

-  Lëvizja FOL organizon forumin online FOL Hapur me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar  Nicholas Abbott ku nder të tjera do të diskutohet edhe kontributi i Mbretërisë së Bashkuar për qeverisjen e mirë në Kosovë, veçanërisht në procesin e rekrutimit si dhe do të diskutojmë për sfidat kryesore të Kosovës, në të ardhmen e afërt. (Përmes platformës online ZOOM - https://zoom.us/j/97706999692, ora 11:30)

- Kryeministri Avdullah Hoti vendos kurora me lule te shtatorja e Ukë Bytyçit, me rastin e 18 vjetorit të vrasjes së tij. (Oborri i Komunës në Suharekë, ora 12:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes do të zhvillojë një vizitë pune në pikën kufitare në Merdare lidhur me zbatimin e marrëveshjeve Kosovë - Serbi. ​(Pika kufitare në Merdare, ora 12:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)

- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetje nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur do të publikojë hulumtimin "Ndikimi i Pandemisë Covid-19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve". (Hapësira e Fondacionit 17, ora 13:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi raporton para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit lidhur e Projektligjin për të drejtën ndërkombëtare Private. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton listën e kandidatëve për Anëtarët e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

-  Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë diskuton mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish- Drejtore Menaxhuese te AKP-se Mrika Tahiri. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 14:00)