27 Tetor 2020

Komisioni hetimor u mundëson qytetarëve dorëzimin e dëshmive për privatizimin

Prishtinë, 30 shtator - Kryesuesi i Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e privatizimit në Kosovë, Hajrulla Çeku, sot mbajti konferencë për media në lidhje me punën e deritanishme të Komisionit.

Gjatë konferencës u prezantua përmbledhja e punëve të realizuara në fazën fillestare të punës hetimore dhe u publikua mundësia për të dorëzuar dëshmi nga palët e treta.

Komisioni Hetimor ka mbajtur mbledhje të rregullta në baza javore, ku janë marrë disa vendime. Fillimisht është miratuar plani i punës për periudhën gjashtëmujor,e ku janë përcaktuar fazat e punës hetimore dhe veprimet konkrete.

Kryesuesi Çeku tha se gjatë kësaj faze fillestare, Komisioni ka miratuar grupin e parë të dëshmitarëve, ndërsa intervisimet do të nisin nga 12 tetori.

“Në grupin prej gjithsej 21 dëshmitarëve, bëjnë pjesë ish-ministra përgjegjës për privatizimin, ish-kryesues dhe anëtarë të Bordeve të AKM-së dhe AKP-së, drejtorë dhe ish-drejtorë menaxhues, si dhe ish-zyrtarë të UNMIK-ut, përgjegjës për privatizimin. Në grupin e dytë të dëshmitarëve do të jenë pronarët e kompanive që kanë privatizuar ndërmarrjet shoqërore, ekspertë, gazetarë, ish-punëtorë dhe të tjerë që do të vlerësohen nga anëtarët e Komisionit“, theksoi Çeku.

Ai shtoi se Komisioni gjithashtu ka angazhuar katër ekspertë të jashtëm, të cilët do të ndihmojnë në punën hetimore, ndërsa një numër i madh i dokumenteve dhe provave nga AKP-ja dhe institucionet e tjera, janë grumbulluar deri në këtë moment.

Përfshirja e qytetarëve në punën hetimore ishtë pikë e veçantë e konferencës për media. Kryesuesi Çeku tha se nga dita e themelimit të Komisionit është vërejtur interesim i madh i qytetarëve, kryesisht ish-punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore, për të ndihmuar punën hetimore përmes dorëzimit të dëshmive. Për këtë arsye, ai tha se Komisioni ka vendosur të hapë një dritare komunikimi me palët e treta, duke i ftuar të gjithë që kanë dëshmi të vlefshme që do të ndihmojnë punën hetimore që ato t’i dorëzojnë zyrtarisht.

“Komisioni ka ofruar dy mundësi për dorëzimin e dëshmive nga qytetarët, e para përmes formës fizike në adresë të Kuvendit të Kosovës, për vëmendjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e privatizimit në Kosovë, dhe e dyta, përmes adresës elektronike në k.h.p@assembly-kosova.org."

"Me rëndësi për t’u sqaruar është se komisioni nuk ka mandat të ofrojë zgjidhje për rastet individuale të kontesteve, por këto raste mund t’i konsiderojë si dëshmi eventuale që ndihmojnë punën hetimore dhe raportin përfundimtar“, theksoi Çeku.

Kryesuesi i Komisionit u bëri thirrje të gjitha mediave, organizatave dhe të interesuarve të tjerë që të përcjellin nga afër punën e komisionit, sidomos gjatë fazës së intervistimit të dëshmitarëve.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Tetor 2020 - Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes diskuton lidhur me zhvillimet në Policinë e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agron Limani, do të bëjnë shpërndarjen e motokultivatorëve me frezë, në kuadër të prjektit: “Furnizimi me Mekanizëm Bujqësorë”. (Tek parkingu mbrapa Shtëpisë së Bardhë, ora 10:00)

-  Komisioni për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media shqyrotn interpretimin e ligjshmërisë së përzgjedhjes sē drejtorit gjeneral të RTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, raporton në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, lidhur me emërimet e fundit në bordet e përkohshme; gjendjen dhe veprimet e Qeverisë në Ndërmarrjen Trepça ShA; për funksionimin dhe operimin e hidrocentraleve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi nënshkruan Marrëveshje të Mirëkuptimit me Institucionet e Arsimit të Lartë të Kosovës. (Objekti i ish-MZHE-së, ora 11:00)

- Drejtuesit e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës do të protestojnë. (Para ndërtesës së Ministrisë së Bujqësisë, ora 11:00)

-  Lëvizja FOL organizon forumin online FOL Hapur me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar  Nicholas Abbott ku nder të tjera do të diskutohet edhe kontributi i Mbretërisë së Bashkuar për qeverisjen e mirë në Kosovë, veçanërisht në procesin e rekrutimit si dhe do të diskutojmë për sfidat kryesore të Kosovës, në të ardhmen e afërt. (Përmes platformës online ZOOM - https://zoom.us/j/97706999692, ora 11:30)

- Kryeministri Avdullah Hoti vendos kurora me lule te shtatorja e Ukë Bytyçit, me rastin e 18 vjetorit të vrasjes së tij. (Oborri i Komunës në Suharekë, ora 12:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes do të zhvillojë një vizitë pune në pikën kufitare në Merdare lidhur me zbatimin e marrëveshjeve Kosovë - Serbi. ​(Pika kufitare në Merdare, ora 12:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)

- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetje nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur do të publikojë hulumtimin "Ndikimi i Pandemisë Covid-19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve". (Hapësira e Fondacionit 17, ora 13:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi raporton para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit lidhur e Projektligjin për të drejtën ndërkombëtare Private. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton listën e kandidatëve për Anëtarët e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

-  Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë diskuton mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish- Drejtore Menaxhuese te AKP-se Mrika Tahiri. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 14:00)