18 Prill 2024

KOMF: Shërbimet sociale rrezikojnë të ndërpriten në janar, fëmijët do mbeten pa shërbime

Prishtinë, 19 nëntor - Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë - KOMF, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, përmes një kërkese zyrtare i është drejtuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica dhe Ministres së Financave Hykmete Bajrami, duke kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e mbylljes së shërbimeve për fëmijët ne nevojë si dhe zgjidhjen afatgjatë të financimit të shërbimeve sociale.

Konkretisht, KOMF ka kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e mbylljes së përkohshme të shërbimeve të strehimoreve për fëmijët pa përkujdes prindëror, viktima të dhunës dhe abuzimit, viktima të trafikimit (niveli i ulët i rrezikut) në Janar 2021, përmes shpalljes sa më parë të thirrjes nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për mbështetjen e shërbimeve sociale direkte të ofruara nga strehimoret e licencuara.

KOMF po ashtu ka kërkuar edhe ndërmarrjen e masave të menjëhershme për të rregulluar mekanizmin e financimit të qëndrueshëm edhe për të gjithë shërbimet sociale për fëmijët e cenueshëm, si fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët në strehim familjar apo fëmijët e përfshirë në punë të rënda, duke nxjerrë thirrje të rregullta të cilat nuk do të lënë zbrazëti apo boshllëqe kohore të pambuluara financiarisht, gjë e cila ndodh çdo vit dhe rezulton me ndërprerje të shërbimeve sociale.
 
Njëherit KOMF ka kërkuar procedimin sa më shpejt të procesit të miratimit të Projekt Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, (i cili aktualisht është në proces hartimi), e i cili parasheh krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale, me qëllim zgjidhjen afatgjatë të problemit të financimit të shërbimeve sociale.

Ofruesit e shërbimeve të licencuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ofrimin e shërbimeve rezidenciale po vazhdojnë të përballen me paqëndrueshmëri financiare. Shërbimet sociale dhe ato rezidenciale për fëmijët në nevojë, financohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale përmes thirrjeve publike çdo vit dhe çdo vit ka zbrazëtira kohore mes thirrjeve/kontratave për mbështetje, duke i lënë pa përkrahje financiare këta ofrues, çdo fillim viti.

Edhe këtë vit, strehimoret posedojnë financim vetëm deri në 31 Dhjetor 2020. Si pasojë e mungesës së financimit strehimoret rrezikojnë të mbyllen përkohësisht nga 1 Janari i vitit 2021. Ndërprerja e ofrimit të këtyre shërbimeve, qoftë edhe përkohësisht do të lërë pa strehë fëmijët e akomoduar aktualisht në këto strehimore dhe po ashtu do të mbyllë derën për rastet e reja që mund të jenë në nevojë për shërbime rezidenciale, duke shkelur kështu të drejtën themelore të fëmijëve për mbrojtje.

Me një situatë të rëndë po përballen edhe ofruesit e shërbimeve për fëmijët e tjerë të cenueshëm. Organizatat ofruese të shërbimeve përmes qendrave ditore dhe shërbimeve në familje e komunitet, nuk kanë marrë asnjë mbështetje financiare përgjatë vitit 2020, nga MPMS.

KOMF bën me dije, se në qoftë se nuk do ndërmerren masat e menjëhershme për parandalimin e mbylljes së shërbimeve sociale dhe atyre rezidenciale për fëmijët viktima apo ata në nevojë për shërbime apo strehim,  të drejtat dhe mirëqenia e fëmijëve në Kosovë do të cenohen rëndë dhe në një mënyrë të paprecedent.

KOMF ka parasysh që gjendja e përgjithshme ekonomike është rënduar si pasojë e pandemisë Covid–19, por mbrojtja e të drejtave themelore të fëmijëve duhet të jetë prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke e vendosur këtë prioritet para investimeve kapitale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)