04 Korrik 2022

Kombet e Bashkuara ulin parashikimin për rritjen ekonomike botërore

New York, 23 maj - Kombet e Bashkuara kanë ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike botërore këtë vit nga 4 për qind në 3.1 për qind, duke thënë se lufta në Ukrainë ka shkaktuar një rritje botërore të çmimeve të ushqimeve dhe të mallrave, si dhe ka përkeqësuar presionet inflacioniste, duke përmbysur rimëkëmbjen e brishtë nga pandemia COVID-19.

Parashikimi i mesit të vitit 2022 nga Departamenti i Çështjeve Ekonomike dhe Sociale të OKB-së, tha se ulja e perspektivave të rritjes ekonomike është me bazë të gjerë, duke përfshirë ekonomitë më të mëdha në botë si dhe shumicën e vendeve të tjera të zhvilluara dhe ato në zhvillim.

Raporti i Situatës dhe Perspektivave Ekonomike Botërore paralajmëroi gjithashtu se parashikimi aktual prej 3.1 për qind “përballet me rreziqe të konsiderueshme negative nga intensifikimi i mëtejshëm i luftës në Ukrainë dhe nga mundësia për të pasur valë të reja të pandemisë”.

“Ky ngadalësim ekonomik dhe lufta në Ukrainë, të cilat kanë shkaktuar rritje të konsiderueshme në çmimet e ushqimeve dhe të plehrave bujqësore, do të godasin veçanërisht vendet në zhvillim, duke përkeqësuar pasigurinë ushqimore dhe duke shtuar varfërinë”, thuhet në raport.

Sipas parashikimit të OKB-së, inflacioni botëror parashikohet të rritet në 6.7 për qind për vitin 2022, dyfishi i mesatares prej 2.9 për qind gjatë periudhës së viteve 2010-2020, me një rritje të madhe të çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë.

Si grup, OKB-ja tha se ekonomitë e vendeve në zhvillim parashikohet të rriten me 4.1 për qind këtë vit nga 6.7 për qind në vitin 2021.

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 korrik 2022

- Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi pret në takim delegacione nga shtetet e Finlandës dhe Irlandës, të kryesuara nga ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, znj.Tytti Tuppurainen dhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:45)

 - Për nderë të 4 korrik 246 vjetori i Pavarsisë së SHBA zjarrfikësat e Prishtinës e pastrojnë platonë tek shtatorja e Presidentit Bill Clinton. (Sheshi Bill Clinton në Prishtinë, ora 9:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim delegacione nga shtetet e Finlandës dhe Irlandës, të kryesuara nga ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, znj.Tytti Tuppurainen dhe ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:55

- Kryetarja e Dhomave të Specializuara Ekaterina Trendafilova do të mbajë takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Gjilan, ku do të ndajë informacion rreth mandatit, punës dhe zhvillimeve aktuale në Dhomat e Specializuara të Kosovës si dhe do t’u përgjigjet pyetjeve të tyre. (Hotel  Astoria në Gjilan, ora 10:00)

- Shoqata 'Miqtë e Amerikës' e mbështetur nga FSK, Zjarrfikësat dhe Policia e Kosovës organzon aktivitetin e radhës tashmë tradicional për nderë të 4 korrik 246 vjetori i Pavarsisë së SHBA. (Të shtatorja e Presidentit Bill Clinton, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00‪)
   
- UBT oganizon festivalin ndërkombëtar të dijes “Global UBT Fest 2022”, përmes së cilit në Kosovë po sjell profesionistë dhe ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke organizuar samite, forume, gara, ligjërata tematike, vizita studimore, e ngjarje të ndryshme interesante për studentët dhe palët e tjera. (Parku Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, ora 18:00)