08 Dhjetor 2021

KDI kërkon raportim financiar edhe nga kandidatët për kryetar të komunave

Prishtinë, 25 nëntor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi sot tryezën e diskutimit “Transparenca financiare e kandidatëve për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale 2021” në një diskutim të hapur me përfaqësues të KQZ-së, ZRPP-së,  të degës së Transparency International në Çeki dhe shoqërisë civile.

Në hapje të këtij diskutimi, Ismet Kryeziu, Drejtor Ekzekutiv i KDI-së, tha se pavarësisht progresit që ka shënuar Kosova në shumë fusha, korrupsioni vazhdon të mbetet një sfidë për luftimin e së cilit mungon vullneti nga institucionet dhe partitë politike. Ai shtoi se menaxhimi i financave nga partitë politike promovon sistem politik transparent, dhe kjo bartet në vlerat e institucioneve dhe qeverisë.

Ndërsa, në fjalimin e tij hyrës, Ambasadori i Republikës Çeke në Kosovë, Pavel Bílek, tha se mbështetja e Transparency International në Çeki dhe qeveria çeke për KDI në fushën e financimit të partive politike tash e disa vite është bërë me qëllim që të ndihmojë institucionet e Kosovës për të rritur transparencën financiare të partive politike dhe kandidatëve, si dhe shprehu gatishmërinë që të ndajnë eksperiencat e shtetit të tyre për të ndihmuar Kosovën në përmirësim të kornizës ligjore në këtë drejtim.

KDI prezantoi raportin “Transparenca financiare e kandidatëve për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale 2021”.

Në prezantimin e tij, Eugen Cakolli, tha se pas fillimit të periudhës zyrtare të fushatës zgjedhore, KDI ka dërguar një pyetësor elektronik tek kandidatët për kryetar komune, prej të cilëve vetëm 51 sosh janë përgjigjur.

Bazuar në deklarimet e kandidatëve që i janë përgjigjur pozitivisht pyetësorit lidhur me fushatën zgjedhore, financimin dhe shpenzimet gjatë saj, vërehet se ekziston një perceptim i njëjtë lidhur me rëndësinë që ka transparenca financiare në raport me votuesit dhe vet qeverisjen.

Sa i përket fushatës dixhitale, Cakolli potencoi që 88% e kandidatëve kanë deklaruar që "Facebook" paraqet platformën zyrtare të komunikimit mes tyre dhe qytetarëve gjatë fushatës.

U theksua që financimi përmes buxhetit vetanak paraqet një ndër format kryesore të financimit të fushatave nga ana e kandidatëve, tek mbi 90% e kandidatëve.

Ndërsa, në kuadër të përkrahjes së ofruar nga subjekti politik, dominojnë mbulimi i shpenzimeve të transportit, ofrimi i burimeve njerëzore, asistenca në shërbime të marketingut, si dhe format tjera të përkrahjes jo-financiare, që përfshijnë vullnetarët, hapësira reklamuese falas dhe performancat falas.

Në kuadër të të gjeturave të këtij hulumtimi, ndonëse rregullativa ligjore nuk parasheh raportim financiar individual të kandidatëve, u theksua që 98% e kandidatëve për kryetarë kanë deklaruar se janë ‘pro’ që edhe kandidatët të obligohen ligjërisht që të deklarojnë financat e tyre të fushatës.

Përgjithësisht, të gjithë panelistët dhe pjesëmarrësit e kësaj tryeze rreth rëndësisë dhe nevojës për vendosjen e dispozitave ligjore që e rregullojnë çështjen e transparencës financiare të kandidatëve për kryetarë të komunave në kuadër të Ligjit për financimin e subjekteve politike.

Ky diskutim është organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Çeke në kuadër të Programit për Promovimin e Tranzicionit përmes projektit SE.S.TRA. të implementuar në bashkëpunim me Transparency International Czech Republic.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 dhjetor 2021

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Ambasada Franceze, Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Espace Campus France, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin AAB organizojnë hapjen e Panairit Universitar Francez në Kosovë i cili do tu mundësoj studentëve kosovarë të zbulojnë programet akademike të ofruara nga 30 universitete dhe 16 webinare nga Franca. (Universitetin AAB, ora 10:00)

- Ministri i  MMPHI Liburn Aliu raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit të përformancës "Mbledhja, trajtimi dhe asgjësimi i mbeturinave komerciale”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)  

- VentureUP në partneritet me Sustainability Leadership Kosova dhe financuar nga UNDP organizon ditën e garës finale e eko-startup-eve të Programit Green Hub. (Amfiteatri i objektit të Administratës Qendrore të Universitetit të Prishtinës, ora 10:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrtimin raportin me propozim-amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Deminim Humanitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 12:00)

- Të rinjte e iniciatives “Hajde në shkollë” organizojnë forum teatrin që ka për qëllim vetëdijësimin dhe parandalimin e braktisjes së shkollimit në mesin e të rinjve në komunën e Klinës. (Shtëpia e kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, ora 14:00)

- Kosovo 2.0 dhe Fondacioni 17  organizojnë diskutimin lidhur me mobilizimin e komunitetit për ruajtjen dhe rikthimin e hapësirave të përbashkëta publike, me fokus në historinë e tri kinemave që i shpëtuan privatizimit. (Kino Armata, ora 17:00)

- OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” organizojnë diskutimin "Le të flasim" i cili synon të sjellë vëmendjen dhe ndërgjegjësimin tek audienca në lidhje me diskriminimin racor, martesat e hershme, gjuhën e urrejtjes në institucionet publike dhe rrugën e edukimit mbi dy dekada. (Kino Armata, ora 19:00)