19 Mars 2024

Hani i Elezit, Shtimja dhe Mitrovica, komunat me transparencën më të lartë buxhetore

Prishtinë, 24 tetor - Sot, Instituti GAP publikoi raportin ”Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2020”.

Raporti ofron një vlerësim të transparencës buxhetore të komunave në Kosovë, duke i renditur komunat në bazë të performancës më të mirë.

Vlerësimi bazohet në numrin e dokumenteve buxhetore të publikuara, organizimin e dëgjimeve buxhetore me qytetarë dhe përgjigjet në kërkesat e Institutit GAP për qasje në dokumente buxhetore.

Indeksi për vitin 2020 tregon një nivel mbi mesatar të transparencës buxhetore të komunave, ku 24 nga 38 komuna kanë mbledhur mbi 50 pikë.

Komunat me transparencën më të lartë buxhetore në vitin 2020 janë Hani i Elezit (100 pikë), Shtimja (86 pikë) dhe Mitrovica (85 pikë).

Ndërsa, komuna e Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit nuk kanë mbledhur asnjë pikë në indeks, duke mos publikuar asnjë dokument buxhetor apo organizuar ndonjë dëgjim buxhetor me qytetarë.

Progres më të madh në transparencë buxhetore në vitin 2020 kanë komuna e Shtimes, Malishevës, Podujevës, Kaçanikut dhe Gjilanit. Ndërsa, ndër komunat që kanë shënuar regres janë Drenasi, Suhareka, Istogu dhe Ferizaj.

Përkundër obligimeve ligjore, një numër i konsiderueshëm i komunave vazhdojnë të mos i publikojnë dokumentet buxhetore siç kërkon legjislacioni në fuqi, konkretisht udhëzimi administrativ i MAPL për transparencë në komuna.

Prandaj, për të rritur transparencën buxhetore në komuna, Instituti GAP rekomandon që MAPL të monitorojë dhe nxisë implementimin e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2020 për transparencë në komuna, konkretisht të vlerësoj nëse janë duke u publikuar dokumentet e kërkuara buxhetore nga komunat, dhe nëse të njëjtat janë publikuar në bazë të fushave në uebfaqen e komunës.

Po ashtu, komunat duhet t’i kushtojnë rëndësi formatit dhe cilësisë në të cilën i publikojnë dokumentet buxhetore, në mënyrë që t’ua lehtësojnë qytetarëve përdorimin e të dhënave.

Gjithashtu, komunat duhet të angazhohen më shumë për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve në dëgjime buxhetore dhe të publikojnë procesverbalet e dëgjimeve buxhetore.

Indeksi i Transparencës Buxhetore është raport vjetor i Institutit GAP që publikohet nga viti 2017.

Për dallim nga indekset e viteve të kaluara, ky raport këtë herë pasqyron transparencën buxhetore për dy vitet e fundit (2020 dhe 2019).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)