12 Dhjetor 2018

Guvernatori Mehmeti takon drejtues të lartë të FMN-së

Washington, 11 tetor - Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në përbërje të Guvernatorit, Fehmi Mehmeti, Kryetarit të Bordit, Flamur Mrasori, Zëvendësguvernatorit, Sokol Havolli dhe Shefi i Kabinetit të Guvernatorit, Nexhat Miftari po vazhdon të marrë pjesë në takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, që po mbahen në Bali të Indonezisë.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti është takuar me zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar, si dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite.

Në vazhdim të vizitës në Bali, Guvernatori Mehmeti ka zhvilluar takim edhe me drejtorin e Departamentit të FMN-së për Evropë, Paul Thomsen, të cilin e informoi lidhur me zhvillimet në sektorin financiar në Kosovë dhe e falënderoi atë për përkrahjen dhe aprovimin e kërkesës së BQK-së për Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar (Financial Stability Sector Review).

Në takimin pasues me Zëvendësdrejtorin e Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit, James Morsink, Guvernatori Mehmeti shprehu falënderimin për aprovimin e kërkesës për Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar dhe shprehu gatishmërinë e BQK-së për bashkëpunim në ofrimin e informatave me qëllim të përfundimit të suksesshëm të këtij rishikimi dhe zbatimin e rekomandimeve që eventualisht do të dalin nga ky rishikim.

Gjatë kësaj vizite është nënshkruar edhe Marrëveshja e Mirëkuptimit mes Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Guvernatori Mehmeti dhe Bankës Qendrore të Turqisë, përfaqësuar nga Guvernatori Çetinkaya, që ka të bëjë me shkëmbimin e informacioneve mes dy institucioneve.

Gjithashtu, në vazhdën e këtyre takimeve, Guvernatori Mehmeti është takuar edhe me Drejtoreshën Ekzekutive në largim të Konstituencës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Michaela Erbenova, të cilën e falënderoi për përkrahjen e saj të vazhdueshme që i ka dhënë BQK-së dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe njëkohësisht i uroi fat dhe suksese në angazhimet e saj në të ardhmen.

Në takimet e zhvilluara, pjesëmarrës në takime ishin edhe Ministri i Financave, Bedri Hamza.

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 dhjetor 2018 - Mbahet hapja zyrtare e projektit KosLift i cili mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë dhe implementohet nga IPKO Foundation dhe RIT Kosovë. (Kampusi i RIT Kosovë, në Universitetin Amerikan, ora 9:30)

- Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë në kuadër të projektit "Mbështetja në procedimin e krimeve  të luftës të kryera gjatë luftës në ish-Jugosllavi" me partnerët Dokumenta nga Zagrebi dhe Fondi për të Drejtën Humanitare nga Beogradi organizon konferencën më temë 'Mbështetja  në procedimin e krimeve të kryera në luftëra të ish-Jugosllavisë'. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Let’s Do It organizon aksion pastrimi te “Tregu i Gjelbër” në Prishtinë. (Tregu i Gjelbër, rruga që e lidh me lagjen “Kalabria”, ora 10:00)

- Ministria e Administratës Publike organizon ceremoninë e vënies së gurthemelit për ndërtimin e Shkollës së Mesme të Muzikës dhe të institucionit parashkollor-Çerdhes në Prizren. (Lagjja “ Bajram Curri”, që gjendet përballë shkollës së mesme të mjekësisë “ Luciano Motroni” në Prizren, ora 10:00)

- Ministris së Shëndetësisë, Uran Ismaili raporton para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me procesin e revidimit të listës esenciale të barnave, vonesat në përmbushjen e agjendës legjislative dhe projeksionet buxhetore të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. (Objekti i Komunës së Gjakovës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Kinematografinë, shqyrtimi i Projektligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 10:00)

- Prezantohet kampanja informuese ”Kodi Civil qëndron për qytetarët e barabartë të Republikës së Kosovës,” organizuar nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil - faza 2”, i cili po mbështetët nga Ministrinë e Drejtësisë. (Hotel Ulpiana në Graçanicë, ora 10:30)

- Demokracia Plus dhe USAID organozijnë debat publik lidhur me prokurimin publik në Gjilan. (Hotel Kristal, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së në kompleksin Qafa, ora 11:00)

- Let’s Do It në bashkëpunim me nxënësit e shkollës ‘’Hivzi Sylejmani’’ organizon aksion pastrimi në Fushë Kosovë. (Oborri i shkollës Hivzi Sylejmani, ora 11:55)

- Punëtorët e NTP “Pallati i Rinisë” mbajnë një protestë përmes së cilës do t’i shprehin shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre për mos marrjen e pagave që tre muaj më radhë. (Para Newborn,ora 12:00)

- Banorët e fshatit Cikatovë mbajn protestë në mbrojtje të pronave stergjyshore te marrura në menyrë tinzare nga ana e Komunës se Drenasit dhe te cilat u janë shitur New Co Feronikeli, pa i kompenzuar asnjëherë. (Para Gjykatës Themelore të Prishtinës  dega në Drenas, ora 13:00)

- Aleanca Kosovare të Bizneseve organizon konferencën për media lidhur me ndikimin e taksës 100 % në ekonominë e Serbisë. (Selia qendrore e AKB-ës në Tophane, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyrët qendrore te Vetëvenosjes, ora 13:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë tryezën e diskutimit me temë “Integriteti, Llogaridhënia dhe Efikasiteti i sistemit të drejtësisë - Nevoja për Vetting”. (Hotel Sirius, ora 14:00)
 
 - Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Dragashit Shaban Shabani. (Objekti i Komunës së Dragashit, ora 14:00)

- Zëvendësshefja e misionit të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, Colleen Hyland, dhe Drejtoresha e Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant, do të mbajnë fjalime në një takim me kryetarët e komunave të Kosovës. (International Hotel Prishtina, ora 16:00)