20 Tetor 2021

Guvernatori Mehmeti merr pjesë në takimet vjetore të FMN-së dhe BB-së

Washington, 13 tetor - Delegacioni i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i kryesuar nga Guvernatori, Fehmi Mehmeti, po merr pjesë në takimet e rregullta vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, që po mbahen në Washington të SHBA-ve, të cilat edhe këtë vit po zhvillohen në formë virtuale, për arsye të pandemisë.

Në takimin e mbajtur me zëvendëspresidenten e Bankës Botërore, Anna Bjerde dhe ekipin e saj, janë diskutuar zhvillimet e fundit ekonomike, fiskale dhe financiare në Kosovë, si dhe sfidat në realizimin e projekteve që janë në zbatim dhe ato në proces të miratimit.

Guvernatori Mehmeti do të ketë takim me Sarvesh Suri, drejtor i operacioneve në Agjencinë Shumëpalëshe të Garantimit të Investimeve – MIGA, me të cilin do të diskutohen mundësitë për mbështetje në disa fusha.

Në takimet e rregullta vjetore që po mbahen nga data 12 deri më 21 tetor, Guvernatori Mehmeti do të diskutojë me drejtuesit e Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale të FMN-së rreth zbatimit të rekomandimeve nga raportet e mëparshme dhe shqyrtimit të mundësive për mbështetje të mëtutjeshme.

Me ekipin e Misionit të FMN-së për Kosovën, do të diskutohet për zhvillimet e fundit ekonomike, fiskale dhe financiare, buxhetin e këtij viti dhe për vitin e ardhshëm, si dhe për Artikullin e IV-të.

Takimet vjetore të organizuara nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar mbledhin bankierë qendrorë, ministra të financave dhe të zhvillimit ekonomik, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje me rëndësi globale, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, zhdukjen e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe efektivitetin e ndihmës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 Tetor 2021  - Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, vizitojnë ndërmarrjen “Trepça”. (Zyra e menaxhmentit të “Trepçës”, Parku Industrial, ora 8:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin Vjetor Financiar te Bankës Qendrore, Fondit të Kursimeve Pensionale, raportin e Qeverisë për Buxhetin e së Kosovës dhe Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e dhjetë e Komiteti për Politik dhe Financa e Komunës së Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli. (Hotel Opera në Prishtinë, ora 11:00)

- Rektori i Universitetit të Prishtinës Naser Sahiti dhe Dimitrija Sekovski, përfaqësues i SKAT Consulting nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për implementimin e programit studimor Master në Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë. (Rektorati i UP-së, ora 11:00)

- Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve mjedisor ju ftojnë në konferencën për media, ku do të njoftoheni me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me paditë për shpifje të ushtruara kundër aktivistëve Shpresa Loshajt dhe Adriatik Gacaferi, nga kompania Kelkos si dhe operimet e kësaj kompanie në Deçan. (Para objektit të Qeverisë ish-Rilinjda, ora 13:00)

- Baleti Kombëtar i Kosovës mban konferencë për medie me rastin e Premierës së shfaqjes “Tanzminiaturen” & “Tangata” me koreografi nga Ricardo Fernando.  (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 13:00)