04 Qershor 2020

Gjilani shpërblehet me grant prej 430 mijë euro për performancën e lartë

Gjilan, 4 prill - Komuna e Gjilanit, si rezultat i performancës së  lartë në kuadër të  Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe tri kushteve minimale të vlerësimit, është shpërblyer me grant prej 430 mijë e 423 euro nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe organizata zvicerane DEMOS për vitin 2020, që bashkëfinancohet nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Suedia dhe Norvegjia.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka shprehur falënderim për MAPL, DEMOS dhe organizatat tjera, për vlerësimin e lartë për Komunën e Gjilanit.

“Jam shumë i nderuar që Gjilani wshtw ranguar në krye për performancën e lartë nga MAPL e DEMOS. Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm për Gjilanin. Këto mjete nga granti, sikur edhe ato të kaluarat, do të përkthehen me investime komunitare. Faleminderit ekipit të madh Sistemit të Menaxhimit të Performancës Komunale për punën e madhe që e kanë bërë, sikurse edhe të gjithë resorëve të Komunës”, ka deklaruar kryetarit.

Përndryshe, nga prej vitit 2016, Komuna e Gjilanit është shpërblyer me pesë grante të performancës në shumën prej mbi 600 mijë euro, ndërkaq me këtë të fundit e çon shifrën totale prej mbi 1 milion euro.

Nga grantet e kaluara, përveç tjerash, është ndërtuar pjesa e parë e Rrugës së Kumanovës, rrethrrotullimi tek hyrja në Rrugën e Prishtinës dhe asfaltimi i rrugëve me elementet përcjellëse në lagjen Porodin.

​

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Qershor 2020 - Mbahet ceremonia e marrjes së detyrës nga Kryeministri i zgjedhur, Avdullah Hoti. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja ceremoniale e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga Kryeministri Avdullah Hoti. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:30)
  
- Kompanitë e auto-shkollave protestojnë për rifillimin e punës. (Para Ministrise se Infrastruktures, ish-pallati i Rilindjes, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi publikon raportin “Dështimi i gjykatave në mbushjen e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”. (Hotel “Sirius”, ora 10:30)
  
-  Mbahet seancë e Kuvendit në të cilën pritet të formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve në lagjen Lakrishte. (Lagja Lakrishte në Prishtinë, ora 11:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti bën homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. (Velani, ora 12:00)

- Këshilli iniciues i punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës organizon protestë para mensës së Termocentralit Kosova B. (Termocentrali Kosova B, Obiliq, ora 12:00)

-  Kryeministri Avdullah Hoti bën homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. (Prekaz, ora 13:30)

- Kryeministri Avdullah Hoti viziton Ministrinë e Shëndetësisë. (Ministria e Shëndetësisë, ora 15:30)