22 Maj 2019

Gjermania mbështet Kosovën me 2 milionë euro për Qeverisjen Financiare

Prishtinë, 15 maj - Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, kanë nënshkruar sot Marrëveshjen Implementuese për Fazën e IV të Projektit të Qeverisjes së Mirë Financiare, në vlerë prej 2 milionë euro.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave Bedri Hamza, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt dhe drejtori i GIZ-it për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut David Oberhuber, në praninë e sekretarit gjeneral të Kuvendit të Kosovës Ismet Krasniqi dhe  udhëheqëses së Projektit për Qeverisje të Mirë Financiare Kadri Jõgiste.

Me këtë rast ministri Bedri Hamza, bëri të ditur se kjo marrëveshje parasheh mbështetje direkte në formë të asistencës teknike për Ministrinë e Financave dhe agjencitë e saj si dhe për Kuvendin e Kosovës, përkatësisht Komisionin për Buxhet dhe Financa dhe Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe njësitë mbështetëse të tyre.

“Faza IV e projektit pritet të implementohet përgjatë periudhës 2019-2020. Andaj në fazën IV të këtij projekti e mirëpresim ndryshimin e qasjes së projektit, që të jetë më gjithëpërfshirëse dhe të punojë së bashku me të gjitha departamentet e përfshira në procese të caktuara të Menaxhimit të Financave Publike”, shtoi Ministri Hamza.

Ai theksoi se “Ministria e Financave, mirëpret edhe zgjerimin e mëtutjeshëm të fushëveprimit të Portalit të Transparencës të paraparë me këtë fazë, si dhe implementimin e Udhëzimeve Administrative për Investime Kapitale, Transfere dhe Rialokime”.

Ministri Hamza bëri të ditur gjithashtu se Projekti për Qeverisje të Mirë Financiare ka filluar implementimin në vitin 2009 dhe deri më tani me sukses janë implementuar tri faza të këtij projekti, me fokus në: qeverisjen financiare në Kosovë, në veçanti llogaridhënie, transparencë, dhe efektivitet të planifikimit dhe shpenzimeve.

"Ndër të arriturat kryesore të fazave të kaluara janë: Lansimi i Portalit të Transparencës,  Themelimi i Zyrës së Gjobave dhe Ndëshkimeve në ATK, Përmirësimi i sistemeve të IT-së të ATK dhe MF, Hartimi i akteve nënligjore dhe asistenca në zgjerim të dokumenteve përcjellëse të Buxhetit të Kosovës, Asistenca e ofruar përmes ekspertëve të integruar në MF dhe ATK, Publikimi i thjeshtëzuar i dokumenteve shpjeguese për buxhetin dhe shpenzimet e Qeverisë së Kosovës, Kryerja e Anketave të Tatimpaguesve, si dhe Rritja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Financave, Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike, dhe Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm”, theksoi Hamza.

“Zhvillimi i mëtejmë i kapaciteteve në Ministrinë e Financave dhe ATK vazhdon të jetë prioritet i yni, në mënyrë që tatimpaguesit dhe qytetarët e Republikës së Kosovës të marrin shërbimet më të mira dhe të barabarta nga institucionet shtetërore”, shtoi Ministri Hamza. 

Ministri Hamza  gjithashtu vlerësoi lartë Qeverinë Gjermane për mbështetjen që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës, dhe GIZ-in që ka vazhduar të jetë partner shumë serioz në implementim të reformave në menaxhim të financave publike.

“Qeverisja demokratike dhe moderne përmirësohet vetëm duke marrë shembujt më të mirë dhe praktikat e njohura duke na siguruar që ndërtimi i shtetit të Kosovës do të ketë të ardhme në familjen euro-atlantike”, shtoi Ministri Hamza.

Ndërsa, ambasadori Christian Heldt me këtë rast u shpreh “Njëri nga sukseset për të cilat e përgëzojmë Qeverinë e Kosovës është lansimi i Portalit të Transparencës Buxhetore. Që nga fillimi i bashkëpunimit në vitin 2009, qëllimi i këtij projekti ka qenë forcimi i qeverisjes së mirë financiare të Kosovës me theks të veçantë në llogaridhënien, transparencën dhe efektivitetin në procesin e punës. Duke u bazuar në bashkëpunimin tonë të suksesshëm me Ministrinë e Financave, Kuvendin e Kosovës dhe Administratën Tatimore, Qeveria Gjermane dhe GIZ presin me padurim fazën e re të projektit.”

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 maj 2019 - Ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Fatmir Matoshi, do të pres në takim ministrin e Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi, me të cilin do të diskutojnë mbi bashkëpunimin mes dy ministrive në fushën e mjedisit. (Kabineti i ministrit Matoshi, ora 9:00)

- Mbahet takimi i Grupit të Vecantë për Reformën e Administratës Publike GVRAP. (Ministrinë e Administratës Publike, salla e takimeve kati 18, ora 9:30)

- Instituti për Politikë të Jashtme të Kosovës organizon konferencën 'Politika e jashtme e Kosovës në këndvështrim shkencor'. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Shoqata e Inovacionit Financiar mban konferencë për media në të cilën prezanton aktivitetet e shoqatës. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, do të takohet me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, i cili do të jetë i shoqëruar nga  kryetarët e Bashkive të Vlorës dhe Himarës, përkatësisht Dritan Leli dhe Jorgo Goro, si dhe nga një grup operatorësh turistikë. (Ndërtesa e Ministrisë së Tregtisë, ora 10:30)

- Shefi i Komandës së Bashkuar të  Aleancës në Napoli, admiralit James Foggo viziton Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. (Ministria e Mbrojtjes, ora 11:15)

- Grupi i asambleistëve të Prishtinës, mbajnë konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 11:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mban dëgjim publik për Projektligjin për Referendum. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 11:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkë organizim më MASHT, Universitetin e Prishtinës, komunën e Dragashit, OJQ- të mjedisore  do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit. (Kampingu “Limth”, në hapësirat e Parkut Kombëtar “Sharri”, komuna e Dragashit, ora 12:00)

- Në shenjë nderimi dhe respekti për të rënët dhe të gjithë ata që përjetuan masakrën në burgun e Dubravës më 1999 mbahet tubimi përkujtimor për shënimin e 20 vjetorit të kësaj masakre. (Hapësirat e burgut të Dubravës, ora 12:00)

- Zyra e Koordinatores Zhvillimore të OKB-së, së bashku me Komunën  e Obliliqit dhe Let’s do it Kosova organizojnë aktivitet të mbjelljes së fidanëve në Ditën Ndërkombëtare të Biodiverzitetit. (Banesat e Plemetinës në fshatin Plemetinë, Komuna e Obiliqit, ora 14:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës organizon Ditët e Kuvendit me qytetarët e Lipjanit. (Kuvendi Komunal i Lipjanit, orën 14:00)