29 Mars 2024

GAP prezanton arritjet dhe dështimet e Strategjisë së Zhvillimit Kombëtar

Prishtinë, 14 prill - Instituti GAP dhe Kosovo 2.0 organizuan sot diskutim virtual ku u prezantua raporti i Institutit GAP “Strategjia kombëtare për zhvillim: arritjet, ngecjet dhe pritjet për të ardhmen”.

Në fjalën hyrëse, Jeton Mehmeti, Drejtor i Hulumtimeve në Institutin GAP, theksoi se në shtator të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka filluar punën në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030 përmes së cilës synon të vë objektiva afatgjata rreth sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, social dhe mjedisor.

Mirëpo, meqë Kosova kishte hartuar një strategji të tillë në vitin 2016 dhe e cila ende është në fuqi, mbetet e rëndësishme të analizohet se cilat janë rezultatet e arritura deri më tani në mënyrë që objektivat e strategjisë së re të jenë sa më reale.

Blendi Hasaj, Hulumtues i Lartë në Institutin GAP, prezantoi të gjeturat e raportit duke theksuar se raporti është kufizuar në vlerësimin e performancës së 12 treguesve kryesorë makroekonomikë të strategjisë, dhe se nga ky monitorim vërehet se arritjet janë të pakta duke pëfshirë këtu ngecjen për shkallë më të lartë të rritjes ekonomike, punësimit, përmirësimin e bilancit tregtar dhe rritjen e investimeve të huaja direkte. Si rezultat, arritja e shumicës së objektivave gjatë vitit 2021, edhe sikur të mos ndodhte pandemia COVID-19 gjatë vitit 2020, do të ishte thuajse e pamundur.

Znj. Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, theksoi se ngecjet në zbatimin e strategjisë së kaluar janë më se evidente, sidomos tek monitorimi i mirëfilltë i progresit dhe matjes së indikatorëve të SZHK-së.

Ajo gjitashtu përmendi nevojën për përfshirjen e masave në kuadër të SKZH-së që adresojnë humbjet që kemi pësuar në ekonomi nga pandemia COVID -19.

Znj. Mikaela Gronqvist, Udhëheqëse e ekipës nga  Zyra e BE-së në Kosovë, përmendi rëndësinë e diskutimit të gjërë në lidhje më SKZH 2030 , ku përvec ministrive të linjës duhet të angazhohen edhe shoqëria civile dhe qytetarët e Kosovës.

Ndër të tjera, ajo theksoi edhe disa nga problemet e identifikuara gjatë zbatimit të SKZH 2016 – 2021, sikurse mungesa e llogaridhënies dhe alokimet jo të duhura buxhetore.

Vedat Sagonjeva, Drejtor i Zyrës për Planifikim Stratëgjik në Zyrën e Kryeministrit, theksoi se të gjeturat e raportit do të merren parasysh gjatë procesit të hartimit të strategjisë së re.

Ai po ashtu theksoi se disa nga ngecjet në zbatimin e masave të strategjisë ishin si rezultat i mos mbështetjes buxhetore si dhe jostabiliteti politik në vend.

Një ndër caqet më të rëndësishme ekonomike të synuara në SKZH 2016-2021 është  Bruto  Produkti  Vendor  (BPV)  për  kokë  banori.  

Më 2015, BPV vjetor për kokë banori ishte 3,277 euro, ndërsa në SKZH synohej që deri më 2021 të arrijë në 5 mijë euro. Për t’u realizuar kjo shumë, ky tregues do të duhej të rritej për mesatarisht 8.5% në vit, ndërkaq rritja mesatare nga 2016 deri më 2019 ishte 5%.

Me këtë trend, gjatë periudhës 2020 dhe 2021, rritja e BPV për kokë banori duhet të jetë mesatarishtrreth 12% në vit në mënyrë që të realizohet synimi.  

Megjithëse  të  dhënat  për  vitin  2020  nuk  janë  publikuar  ende,  marrë  parasysh zhvillimin ekonomik të deritanishëm dhe gjendjen e rëndë ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, është e qartë se ky cak, përkundër rritjes së lehtë, nuk ka arritur synimet e parashikuara.

Me arritje të kufizuar është vlerësuar edhe norma reale e BPV-së. Në vitin 2015,rritja reale ishte 4.1% ndërsa me reforma ekonomike ky trend synohej të arrinte rritje mesatare vjetore prej 7% në vitin 2021.

Që të arrihet ky synim, norma e rritjes për vit duhet të jetë rreth 1.05 pikë përqindje mbi normën e vitit 2019 apo 5.95% në vitin 2020.

Megjithatë, edhe duke anashkaluar vitin 2020 në të cilin pritet të ketë rënie ekonomike, ky target nuk është arritur. Norma mesatare e rritjes nga 2015 deri më 2019 ishte rreth 4.2% apo 2.8 p.p. më ulët se caku i synuar.

Ndër 15 treguesit kryesorë makroekonomikë që janë zgjedhur për të vlerësuar progresin  e  bërë  në  kuadër  SKZH-së,  gjashtë  janë  tregues  që  ndërlidhen  me  tregun e punës.

Deri në fund të vitit 2019, vit ky me të cilin do të bëhen kryesisht krahasimet meqë pandemia COVID-19 gjatë vitit 2020 ka pasur ndikim të drejtpërdrejt negativ në indikatorët e punësimit, progres më të konsiderueshëm krahasuar me treguesit tjerë kishin treguesi i shkallës së pjesëmarrjes së fuqisë punëtore dhe shkalla e punësimit.

Pjesëmarrja e fuqisë punëtore kishte arritur vlerën prej 40.5% apo 1.5 p.p. (3.7%) larg vlerës së synuar (42%) për vitin 2021, ndërsa shkalla e punësimit ishte rritur në 30.1% apo 3.9 p.p. (12.96%) larg vlerës së synuar (34%).

Nëse e supozojmë një situatë për vitin 2020 pa prezencë të pandemisë, sipas kalkulimeve të GAP,treguesi i shkallës së pjesëmarrjes në fuqi punëtore do të mund të arrinte vlerën e synuar gjatë vitit 2021, nëse në periudhën 2020-2021 do të kishte rritje prej mbi 1.8% apo0.75 p.p. nësecilin vit.

Kjo rritje do të duhej të ishte më e lartë se rritja mesatare vjetore gjatë periudhës 2015-2019 prej 0.73 p.p. ndonëse shumë e përafërt.

Ndërsa shkalla e punësimit, për të arritur vlerën e synuar në vitin 2021 do të duhej të kishte rritje mesatare gjatë viteve 2020 dhe 2021 me mbi 6%..

Rritja mesatare vjetore e këtij treguesi në periudhën 2015-2019 ishte vetëm 1.23 pikë përqindje. Pandemia COVID-19 e ka shtyer edhe më larg arritjen e këtyre objektivave, meqë punësimi gjatë vitit 2020 ka pësuar rënie.

Devijimin më të madh nga vlera e synuar për vitin 2021 e ka ulja e papunësisë tek  të  rinjtë  në  30%  deri  më  2021.

Dy indikatorë tjerë të rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe të paraqitur në SKZH janë investimet dhe tregtia. Investimet e Huaja Direkte (IHD) janë kapitali i huaj që investohet në Kosovë.

Këto të hyra ndihmojnë rritjen e BPV-së dhe performancën e përgjithshme ekonomike.

Në vitin 2015, investimet e huaja ishin rreth 309 milionë euro  ndërsa  projeksionet  e  vendosura  në  SKZH  synonin  arritjen  e  600  milionë  eurove në vitin 2021.

Për realizimin e kësaj shume u supozuan reforma të ndryshme të  tërheqjes  së  investimeve  të  huaja  direkte  përfshirë  lehtësira  procedurale  në  investimin e kapitalit të huaj, përmirësimin e efikasitetit të gjykatave për trajtimin e çështjeve ekonomike dhe thellimin e mardhënieve ndërkombëtare për tregti.

Mirëpo, përkundër trendit pozitiv, të dhënat e IHD-ve tregojnë se nga viti 2016 deri në 2018, kishte rënie të investimeve të huaja direkte krahasuar me vitin bazë (2015).

Në vitin 2020 kishte rritje të IHD-ve në 321.7 milionë. Megjithatë, përkundër kësaj, indikatori i synuar i IHD-ve qëndron rreth 86.5% larg realizimit të cakut të synuar në SKZH.

Sa i përket raportit tregtar, eksporti ka realizuar rritje më të lartë se ajo që është parashikuar në SKZH.

Përqindja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve në BPV është synuar të jetë rreth 28% në vitin 2021 nga 19.3% sa ishte në vitin 2015.

Ndërsa deri në vitin 2019 kjo përqindje ka arritur vlerën e 29.5% qëështë 1.5 p.p. më e lartë se caku i synuar në SKZH.

Performanca e mirë e eksporteve ndërlidhet kryesisht me shërbimet. Viteve të fundit, Kosova ka realizuar bilanc pozitiv sa i përket shërbimeve, ndërsa thellim të deficitit tregtar sa i përket mallrave.

Për këtë aryse, treguesi tjetër i vendosur në SKZH që matë ecurinë e raportit të eksportit dhe importit të mallrave ka shënuar regres. Krahasuar me vitin bazë, në vitin 2019 ky raport ka pësuar rënie për 0.6 p.p. dhe qëndron larg cakut të synuar të SKZH për 5.8 p.p..

Rritja e konsumit të brendshëm të mallrave dhe ngecja e zëvendësimit të importit ka thelluar deficitin tregtar në mallra. Prandaj, ky treguesështë vlerësuar se nuk ka pasur aspak progres.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)