29 Maj 2020

FSSHC reagon ndaj pretendimeve për ulje të pagave të shërbyesve civilë

Prishtinë, 23 prill - Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë (FSSHC), pas sinjalit nga udhëheqës të institucioneve qeveritare, respektivisht të Ministrisë së Financave dhe Transfereve për mundësinë e uljes së pagave të shërbyesve civilë nga qeveria për shkak të pandemisë COVID-19, kërkon që shërbyesit civilë të trajtohen me dinjitet dhe të mos dëmtohen financiarisht.

Dihet mirë se shërbyesit civilë janë ata që deri më tani kanë mbajtur qëndrueshmëri institucionale të shtetit të Kosovës, përkundër barrës që kanë në funksionimin dhe profesionalizimin e institucioneve shtetërore.

Edhe tani ata janë duke shërbyer në çdo formë, që funksionimi i institucioneve të jetë i qëndrueshëm edhe përkundër rrethanave të krijuara nga COVID-19.

Për këtë ua bëjmë me dije vendimmarrësve se shërbyesit civilë edhe ashtu janë të diskriminuar në paga në raport me disa institucione tjera, që marrin mjetet financiare nga buxheti i Kosovës.

Andaj kërkojmë të mos merret asnjë veprim që dëmton mirëqenien ekonomike të shërbyesve civilë, sepse do të ketë reflektime me veprime sindikale.

Deri më tani udhëheqësit institucionalë nuk kanë marrë asnjë veprim për të marrë opinionet dhe sugjerimet e organizatave sindikale të shërbyesve civilë për të analizuar apo për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme të kësaj kategorie në bazë të standardeve socio-ekonomike.

Ndërsa, tani dikush mundohet që pa pasur kurrfarë koordinimi me sindikatat të prekin pagat e tyre, e që kjo do të jetë e pa tolerueshme, kur dihet se pagat në sektorin administratës shtetërore janë të bazuara në norma juridike të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht të mbrojtura edhe me të drejtat universale ndërkombëtare të punës.

Prandaj, FSSHC-ja i konsideron të padrejta dhe si të tilla të papranueshme vendimet që prekin interesin e shërbyesve civilë.

FSSHC-ja do të jetë gjithherë e përkushtuar për avancimin e pozitës dhe mbrojtjen e të drejtave të shërbyesve civilë në institucionet e Republikës së Kosovës, duke bashkëpunuar me të gjithë mekanizmat institucionalë dhe shoqërorë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 Maj 2020

- Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prizrenit, e thirrur nga kryesuesi i Kuvendit. (Salla e shtëpisë së kulturës "Xhemajli Berisha", ora 10:00)

- Mbahet mbledhje e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, shqyrëtohet  raporti vjetor i përformancës se Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e pestë e rregullt e Kuvendit Komunal të Rahovecit për vitin 2020, në të cilën do të bëhët shqyrtimi i propozim vendimit për bartjen e tejkalimit të të hyrave vetanake nga viti 2019.  (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, në objektin e ri të komunës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Objekti i KGjK-së, ora 14:00)