17 Janar 2018

Fondi i privatizimit lejohet të investojë në letrat me vlerë të emetuara nga Qeveria

Prishtinë, 10 nëntor - Mbledhja e trembëdhjetë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, është zhvilluar sot nën drejtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në mbledhje janë miratuar projektligje dhe vendime të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë.

Qeveria ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Projektligji me ndryshimet e ofruara ka për qëllim lejimin e investimeve të mjeteve të fondit të privatizimit në letrat me vlerë të emetuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Pas një shqyrtimi që i është bërë gjatë javës së kaluar nga anëtarët e kabinetit qeveritar, Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar dokumentin “Prioritetet kyçe të Agjendës Evropiane për vitin 2018”.

Tani, Qeveria do të fillojë procesin e diskutimit të prioriteteve me institucionet e BE-së dhe shoqërinë civile. Kryeministri ka vlerësuar se angazhimi dhe puna e mirë e Qeverisë në përmbushjen e Agjendës Evropiane do të krijojë një momentum të ri për Kosovën që të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 

Edhe Projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Projektligji trajton në aspektin gjithëpërfshirës të ndërtimeve pa leje, procedurat e thjeshtëzuara për legalizim, ofrim të thjesht të shërbimeve për legalizim (One stop shop) dhe identifikimin e ndërtimeve pa leje.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për kompensimin e njëhershëm të delegatëve të legjislaturës 1990 dhe të cilët kanë marr pjesë në mbledhjen e 2 korrikut 1990 të shpalljes së deklaratës së Pavarësisë dhe në mbledhjen e 7 shtatorit 1990 të shpalljes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Shuma e ndarë për kompensim të njëhershëm kap vlerën prej 300 mijë eurove dhe do të ndahet proporcionalisht për secilin delegat. Në listën e delegatëve që do të përfshihen në kompensim janë gjithsej 111 delegatë.

Miratimin në parim të Qeverisë, në mbledhjen e sotme, e ka marrë edhe vendimi për lidhjen e Marrëveshjes së Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e unionit “Konkurrenca e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (Cosme) 2014-2020”.

Vendimi për miratimin e nismës për marrëveshjen ndërkombëtare për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, është miratuar në mbledhjen e sotme.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësimin e pronave të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit në zonat kadastrale të komunave Kaçanik dhe Hani i Elezit.

Edhe vendimi për emërimin e Komitetit publiko-privat ka marr miratimin e Qeverisë në këtë përbërje:

1.      Ministria e Financave,

2.      Ministria e Zhvillimit Ekonomik,

3.      Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,

4.      Ministria e Tregtisë dhe Industrisë

5.      Ministria e Infrastrukturës.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka ndarë 290 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për familjet e shtetasve të Kosovës, të dënuar dhe të vrarë në Maqedoni në rastin e njohur si “Kumanova”.

Me miratimin e vendimit, Qeveria ka emëruar drejtorët në Bordin drejtues të Ndërmarrjes Publike Qendrore – Korporata Energjetike e Kosovës.

Është miratuar edhe raporti me listën e numrit të Dëshmorëve të Kombit, sipas shënimeve të ofruara nga puna e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të pjesëtarit, veteranit, invalidit dhe dëshmorit të Luftës së UÇK-së. Numri i dëshmorëve të kombit, sipas listave aktuale është 2961.

Kryeministri ka kërkuar nga të gjitha institucionet të veprojnë shpejt dhe drejtë në trajtimin e shpronësimeve të pronave për nevojën e mihjes së thëngjillit, ku ka tendenca të aktiviteteve për ndërtim të objekteve te reja.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal kanë kërkuar që të përfshihen në shfrytëzimin e kontratave të lidhura nga Autoriteti Qendror i Prokurimit Publik dhe të jenë pjesë e kontratave të reja që do të lidhë në të ardhmen.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka pezulluar përkohësisht, për një afat njëvjeçar, privatizimin e tokave në pronësi shoqërore, periudhë gjatë të cilës do të verifikohen nevojat që kanë institucionet shtetërore dhe Qeveria e Republikës së Kosovës për prona me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik dhe investimeve. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 Janar 2018 - Mbahet mbledhje e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i projektligjit për ndërmarrjet sociale. (Ndërtesa e Kuvendit, sallaN 303, ora 10:00)

- Në kuadër të organizimeve në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nesër më 17 janar 2018, zhvillohen homazhe te shtatorja e Skënderbeut. (Shtatorja e Skënderbeut, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit të punës së Komisionit, për vitin 2017 si dhe shqyrtimi i draft-planit të punës së Komisionit, për vitin 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Për nder të 18 vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, do të mbahet shënimin simbolik të këtij përvjetori, në të cilin pjesëmarrës do të jenë Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, Ministri i Financave Bedri Hamza, palët e interesit dhe donatorët. (Qendra e Shërbimit të Tatimpaguesve, ish-ndërtesa e Gërmisë, ora 11:00) 

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit,  salla  C 301, ora 11:00)

- Prezantohen projektet e studentëve, të cilët do të pasqyrojnë punën që është bërë gjatë semestrit dimëror 2017/18. (Fakulteti i Edukimit, ora 11:00)

- Mbahet mbledhje e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Tatimin në Pronën e Paluejtshme, me raport amandamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Finanaca. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 12:00)

- Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj do të vizitojë kompaninë e prodhimit të produkteve farmaceutike “Trepharm”. (Hapësirat e “Trepharm” në Sllatinë, ora 12:30)

- Komuna e Gjilanit ben zbulimin e bustit te heroit Gjergj Kastrioti - Skenderbeu. (Sheshi kryesore para zyres se kryetarit ne Gjilan, ora 13:00)

- Mbahet Akademi kushtuar 550 vjetorit të Skënderbeut, me ç ‘rast do të promovohet pulla postare e Postës së Kosovës dhe Postës së Maqedonisë në të cilen do të nderohen edhe figurat e shquara të shqiptarëve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 36-vjetorin e vrasjes së tyre. (Teatri Kombëtar të Kosovës, ora  15:00)

- Komuna e Gjilanit organizon akademin e Flakes se Janarit 2018, qe i kushtohet 550 vjetorit te vdekjes se heroit kombetar Skenderbeu dhe 50 vjetorit te protestave masive per flamurin kombetar. (Teatri i Qytetit, ora 16:00)

- Muzeu i Kosovës, me nismën e "Museum Illyricum" - Zvicër, organizojnë ekspozitë me libra; pulla dhe bankënota nga mesjeta e deri në vitet '30-ta. (Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, ora 18:00)

- Hapet ekspozitë 55 portrete për 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. (Swiss Diamond Hotel, ora 18:00)

- Në 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Skenderbeu dhe 50 vjetorit të protestave masive për flamurin kombëtar organizon aktivitetin Peneli i Flakes. (Teatri i Qytetit të Gjilanit, ora 19:00)