03 Mars 2021

Emiratet e Bashkuara Arabe, partner i ardhshëm ekonomik i Kosovës

Prishtinë, 22 shkurt - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj – Stublla, ka zhvilluar një bisedë telefonike, shumë miqësore, me Ministren e Shtetit për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, znj.Reem Ebrahim Al Hashimy.

Shefja e diplomacisë kosovare bëri të ditur se gjatë kësaj bisede është diskutuar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Emirateve, përmes implementimit të marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik si edhe projekteve të investimit.

“Emiratet e Bashkuara Arabe janë një partner i ardhshëm ekonomik, që do të zbulojë potencialin e vendit e rinisë sonë të mrekullueshme, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shkëmbime në fusha të interesit të përbashkët”, tha Ministrja Haradinaj-Stublla.

Sipas saj, këtë potencial Kosova synon ta kapitalizojë përmes pjesëmarrjes në ngjarjen më spektakolare të shekullit “Dubai Expo 2020”.  

Ministrja Haradinaj-Stublla dhe Ministrja Al Hashimy kanë biseduar edhe për zhvillimet politike rajonale.

Me këtë rast, shefja e diplomacisë kosovare tha se Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë faktor paqeje e stabilitetin në rajonet respektive, së fundi duke jetëzuar marrëdhëniet me Shtetin e Izraelit përmes angazhimit të përbashkët me partnerin e madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Mars 2021 - Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë inauguron projektin “Fuqizimi i autonomisë universitare dhe rritja e llogaridhënies e transparencës së universiteteve të Ballkanit Perëndimor”. (Selia e Kolegjit IBCM, ora 9:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Enis Ramadani për vepren penale 'Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Avokati i Popullit, Naim Qelaj viziton ekspozitën për fëmijët e vrarë gjatë luftës “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”. (Biblioteka “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, lagjja Dardania, ora 10:00)

- Parlamenti i dytë rural shqiptar organizon konferencë për të diskutuar sfidat dhe veprimet konkrete për mirëqenien e banorëve të zonave rurale. (Platforma Zoom, ora 10:00)

- Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Gjilan, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, mban konferencë për media pas takimit të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19. (Zyra e krytarit Haziri, ora 10:30)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e shpërndarjes së librave të botuar dhe të blerë me financimin e Departamentit të Kulturës në MKRS. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 11:00)