20 Prill 2024

Ekonomia e Kosovës shënoi rënie reale për 5.6 për qind

Prishtinë, 30 dhjetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka mbajtur Konferencë me Media me rastin e fundvitit, 2020, me temën : Publikimi i treguesve makroekonomikë dhe socialë.

Qëllimi kryesor i kësaj konference me media ishte informimi mbi ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe socialë gjatë vitit 2020 dhe krahasimet me vitin 2019.

Fjalën kryesore e mbajti Zv.Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, Ilir T. Berisha, mbështetur nga drejtorët e Statistikave Prodhuese në ASK.

Fillimisht, Berisha theksoi se viti 2020, si vit i Pandemisë Covid-19, është përcjellur me vështirësi në procesin e punës në ASK, duke potencuar se ruajtja e shëndetit ka qenë priotitet.

Berisha po ashtu, tha se “përpos publikimeve të rregullta, ASK-ja, këtë vit, ka vazhduar me një intensitet më të lartë me përgatitjet për projektin e madh të saj, i cili është planifikuar ta realizojë në vitin 2021, Regjistrimin e Popullsisë në Kosovë.

Gjatë këtij viti janë kryer një varg aktivitetesh si plani, buxheti, harta rrugore, koncept dokumenti, azhurnimi i qarqeve regjistruese dhe është në proces draftimi i Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë. Po ashtu, në vitin 2020 shtator –tetor është kryer edhe pilot Regjistrimi”.

Më pas, ai prezantoi treguesit makroekonomikë të publikuar gjatë vitit 2020 dhe krahasimet me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Ekonomia e Kosovës (Bruto Produkti Vendor) në nëntëmujorin 2020 (janar-shtator) në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019 shënoi rënie reale për (-5.6%).

Shkalla mesatare e inflacionit për periudhën 11 mujore 2020 me periudhën e njëjtë 2019 ishte 0.2%.

Eksportet e mallrave janë rritur për 20% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019, kurse importet kanë pasur rënie për 7%. Ndërkaq, bilanci tregtar ka vazhduar të jetë negativ por i përmirësuar për 10.4% dhe mblulueshmëria e importit me eksport është rritur nga 11% në 15% me një normë të rritjes prej 29%.

Çmimet e prodhimit pësuan rënie në një mesatare prej (-0.7%), krahasuar me periudhën e njëjtë 2019.

Çmimet e importit pësuan rënie për periudhën 9 mujore 2020, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019 për (-2.2%).

Çmimet e kostos së ndërtimit për periudhën 9 mujore 2020 pësuan rënie në një mesatare prej (-0.6%) krahasuar me periudhën e njëjtë të viti 2019.

Prodhimi i energjisë pati një rritje për 12.8%; konsumi në amvisëri  kishte rritje prej 6.6%; konsumi në industri kishte rënie për (-13%); dhe konsumi në afarizëm pati rënie për (-10.9%).

Në periudhën 9 mujore 2020, krahasuar me periudhën e njëjtë 2019, numri i fluturimeve ajrore pati rënie për (-58.6%); numri i udhëtarëve me transport ajror pati rënie për (-60.6%); sasia e mallrave të transportuara në ton, kishte rënie për (-36.2%); numri i udhëtarëve me transport hekurudhor pati rënie për (-51.2%).

Ndërkaq, numri i vizitorëve nëpër hotele, për periudhën 9 mujore 2020, krahasuar me periudhën e njëjtë 2019, pati rënie prej (-47.5%); dhe numri i netqëndrimeve për periudhën 9 mujore 2020, krahasuar me periudhën e njëjtë 2019, pati rënie prej (-56.9%).

Numri i ndërmarrjeve të regjistruara për periudhën 9 mujore 2020, krahasuar me periudhën e njëjtë 2019, pati rënie prej (-6.7%).

Sipas statistikave vitale, të dhënat për periudhën 9 mujore 2020, krahasuar me periudhën e njëjtë 2019 janë: numri i lindjeve kishte rënie për (-23.2%); numri i vdekjeve pati rritje për 9.5%; kurorëzimet patën rënie për (-31.4%); dhe shkurorëzimet patën rënie për (-73.6%).

Në fund, Zv.Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, z. Ilir T. Berisha falënderoi edhe mbështetjen e asistencës teknike UNICEF (Anketa MIKS), Projektin EU-SIDA, dhe organizatat e tjera ndërkombëtare e vendore, si dhe në veçanti media për mbulueshmërinë e ASK-së në media.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)