19 Mars 2024

Ekonomia e Kosovës në 2018 do të rritet 4.4 përqind, remitencat 8 për qind

Prishtinë, 21 qershor - Projeksionet e Bankës Qendrore te Kosovës për vitin 2018 sugjerojnë se ekonomia e Kosovës do të karakterizohet me rritje reale që pritet të luhatet në një interval prej 4.2 deri në 4.4 përqind.

Kjo rritje sipas BQK-se pritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, ndërsa neto eksportet parashihet të kenë ndikim negativ në BPV.

"Konsumi, si komponenta kryesore e kërkesës së brendshme, pritet të shënojë rritje reale prej 3.5 përqind, bazuar në pritjet që konsumi privat do të rritet me 3.3 përqind dhe konsumi publik me 4.5 përqind."

"Faktorët që pritet të ndikojnë në rritjen e konsumit privat, ndër të tjera, janë edhe rritja e remitencave dhe rritja e kredive", thekson BQK në raportin vejtor.

Po asht BQK thekson se deri në fund të vitit 2018, remitencat pritet të shënojnë rritje vjetore prej rreth 8.0 përqind.

Gjithashtu, kreditë për ekonomitë familjare, të cilat në vitet e fundit kanë shënuar rritje të konsiderueshme (12.7 përqind në vitin 2017 dhe 14.7 përqind në vitin 2016), pritet të vazhdojnë këtë trend të rritjes edhe në vitin 2018.

Raporti ve në pah se investimet në vitin 2018 parashihet të shënojnë rritje reale prej 10.1 përqind, bazuar në parashikimet për rritje të konsiderueshme të investimeve publike (25.8 përqind) por edhe të investimeve private (5.0 përqind).

Kontribut të rëndësishëm në rritjen e investimeve private pritet të vazhdojë të ketë kreditimi bankar, i cili po karakterizohet me ritëm më të shpejtë të rritjes dhe me norma më të ulëta të interesit.

Po ashtu, ndryshimet në politikën tatimore gjatë viteve të kaluara, pritet të nxisin investimet private.

Rritjes së pozicionit të përgjithshëm të investimeve pritet t’i kontribuojë edhe rritja e IHD-ve. 

Eksportet neto të mallrave dhe shërbimeve në vitin 2018 pritet të kenë kontribut më të lartë negative në BPV krahasuar me vitin e kaluar, një supozim i mbështetur kryesisht në parashikimet për stabilizim të çmimeve të metaleve që priten të ndikojnë në një rritje më të ngadalësuar të eksporteve.

Në kuadër të mallrave, pritet që eksporti të rritet për rreth 6.9 përqind në terma real, ndërsa importet pritet të rriten për rreth 6.5 përqind.

Rrjedhimisht sipas BQK-se, deficiti tregtar i mallrave pritet të shënoi rritje prej 6.4 përqind në terma real. Në anën tjetër, pozicioni tregtar pozitiv në kuadër të shërbimeve pritet të rritet për rreth 6.1 përqind në terma real. 

Trendi i çmimeve në Kosovë është kryesisht në linjë me lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht çmimet e ushqimit dhe të naftës.

Këto dy kategori të produkteve, të cilat përbëjnë rreth 50 përqind të shportës së konsumatorit kosovar, janë karakterizuar me rritje të çmimeve në vitin 2017 dhe pritet të stabilizohen në vitin 2018.

Rrjedhimisht, ekonomia e Kosovës e cila ishte karakterizuar me inflacion prej 1.5 përqind në vitin e kaluar, pritet të karakterizohet me një nivel pothuajse të ngjashëm të shkallës së inflacionit (rreth 1.6 përqind në vitin 2018). 

Norma vjetore e rritjes së kreditimit bankar në vitin 2018 pritet të shënojë rritje prej rreth 9.3 përqind.

Parashikimet e BQK-së për rritje të kreditimit janë gjithashtu në linjë me raportimet e bankave në kuadër të anketës së kreditimit bankar, rezultatet e së cilës sugjerojnë se do të ketë përshpejtim të aktivitetit kreditor gjatë periudhave në vazhdim.

Konkretisht, bankat presin përmirësim të ofertës kreditore përmes lehtësimit të standardeve të kreditimit, rënies së normave të interesit në kredi dhe përmirësimit të kushteve kreditore.

Po ashtu, aktiviteti kreditor do të  ndikohet pozitivisht edhe nga ana e kërkesës kreditore. Edhe depozitat pritet të vazhdojnë trendin e rritjes që i ka karakterizuar në vitet e fundit.

BQK vlerëson se rritja e depozitave gjatë vitit 2018 pritet të jetë rreth 8.4 përqind. Rrjedha e pritur e depozitave është e lidhur me të ardhurat kombëtare të disponueshme të cilat pritet të rriten për 6.5 përqind në vitin 2018

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)