19 Mars 2024

Dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune

Prishtinë, 2 prill - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për vitin 2019.

Anketa ka pasur shtrirje në 998 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 8 815 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave të vitit 2011.

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë,  statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat (2/3) e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 40.5%. 

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për vitin 2019 është 30.1%.

Punësimi me i lartë është te meshkujt 46.2%, ndërsa punësimi te femrat është 13.9%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 53.0% të tyre.

Ndërsa, meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 46.3%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.0%; ndërtimtaria me 12.6%; prodhimi me 11.9%; si dhe arsimi me 10.0%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 45.3% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 54.7% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, shkalla e papunësisë në vitin 2019 ishte 25.7%.

Papunësia më e theksuar ishte te femrat me 34.4%, krahasuar me meshkujt, 22.6%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 49.4%.

Sipas rezultateve të AFP-së, fuqia joaktive në vitin 2019 ishte mjaft e lartë, 59.5%, me fokus të veçantë te femrat me 78.9%, krahasuar me meshkujt, 40.3%.

Për realizimin e AFP-së, për vitin 2019, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)