29 Mars 2024

Çohu!: Financimi i partive politike i pakontrolluar

Prishtinë, 12 shtator - Organizata Çohu! sot ka mbajtur një konferencë për media ku ka prezantuar videografin mbi financimin e partive politike dhe ka folur mbi krijimin e raporteve klienteliste mes bizneseve dhe partive politike.

Mënyra e financimit të partive politike në Kosovë që nga krijimi i institucioneve është përcjellur me probleme dhe defekte të shumta, të cilat kanë bërë që ky proces të  mbetet i pakontrolluar dhe menaxhuar siç duhet.

Financimi edhe pse i rregulluar me ligjin e vitit 2010, dhe i ndry­shuar dhe plotësuar në vitin 2012 dhe 2013, tregon shumë probleme dhe zbrazëtira juridike që po e bëjnë këtë ligj  të paimplementueshëm dhe të pasuksesshëm në rregullimin e financimit të partive politike.
Duke pasur parasysh që në këtë kohë janë duke u diskutuar ndryshimet në Ligjin për Financimin e Partive Politike, Çohu! adresoi problemet ekzistuese lidhur me këtë proces.

Pavarësisht se struktura ligjore përcakton një model të caktuar të financimit, njeh kategoritë e mundshme të financimit dhe përcak­ton edhe masa disiplinore kundrejt mungesës së transparencës, Ligji për Financimin e Subjekteve Politike mbetet ndër ligjet më të pazbatuara në nivel vendi.
Gjatë hulumtimeve të mëhershme të Organizatës Çohu! kemi gjetur se kjo mënyrë e rregullimit të financimit të subjekteve politike ka krijuar hapësirë për krijimin e raporteve klienteliste në mes subjekteve politike dhe bizneseve.

Edhe pse ligji në disa raste ka paraparë masa të kontrollit për parandalimin e raporteve klienteliste, në raportet e auditorit asnjëherë nuk përmenden si të gjetura.
Në raportet e auditorit për subjektet politike për vitet 2013-2016 të publikuara nga KQZ, vërehet tendenca e njëjtë e financimit nga donacionet e jashtme. Përveç që në raportet e reja disa nga subjektet politike deklarojnë vlera të mëdha të donacioneve në kontribute për mallra dhe shërbime, por këto donacione janë të deklaruara në mënyrë shumë të paqartë.

Në raportet e para të publikuara nga KQZ-ja nuk ishin të paraqitur numrat personal të personave që kanë dhënë donacione për partitë politike, gjë që ka bërë të pamundur për Çohu-n të identifikojë donatorët dhe të hulumtoj lidhjet e tyre me bizneset për vitet e fundit. Tanimë KQZ ka publikuar si të korrigjuara këto raporte, ku gjenden edhe numrat personal. Organizata Çohu do të vazhdojë me identifikimin e lidhjeve klienteliste në raportet donator-parti edhe për këto vite.
Meqenëse masat e deritanishme ligjore nuk kanë parandaluar raportet e mundshme klienteliste në mes subjekteve politike dhe bizneseve, Çohu! konsideron që është e domosdoshme që financimi nga subjektet juridike të cilat kanë marrëdhënie kontraktuale me institucione  publike të ndalohet plotësisht.

Një e metë tjetër e cila nuk është trajtuar deri më tani është edhe mungesa e transparencës së burimeve dhe shpenzimeve në fushata zgjedhore nga kandidatët. Gjatë fushatave zgjedhore kandidatët e partive politike zakonisht realizojnë fushata individuale me shpenzime shumë të mëdha të cilat asnjëherë nuk i deklarojnë. Çohu konsideron që shpenzimet individuale të kandidatëve duhet të deklarohen në pasqyrat financiare të subjekteve politike.

Videografi i publikuar sot nga organizata Çohu! paraqet në mënyrë vizuale raportet klienteliste që kanë lindur si pasojë e moskontrollimit të financave të partive politike.

Përmes këtij videografi janë publikuar shumat e mjeteve financiare që secila parti politike ka pranuar nga biznese të ndryshme, si dhe numrin dhe vlerën totale e tenderëve që këto biznese i kanë marrë përmes procedurave të prokurimit publik.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)