05 Dhjetor 2019

BQK siguron të gjithë qytetarët se i gjithë sektori financiar është i sigurt

Prishtinë, 14 nëntor - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar gjithë opinionin që të mos bien pre e informacioneve të publikuara në rrjetet sociale në lidhje me shitblerjen  bankës TEB sh.a  nga biznesmenët rusë.

"Në BQK nuk ka pasur asnjëherë kërkesë për ndërrim të pronësisë së kapitalit aksionar të kësaj banke, e cila që nga fillimi është nën pronësi të BNP Paribas Fortis Yatırımlar Holding A.Ş. dhe Çolakoğlu Group Joint Venture", thekson BQK.

Banka TEB së bashku me bankat tjera që janë të licencuara, kanë luajtur dhe po luajnë rol shumë të rëndësishëm në krijimin e një sistemi financiar të sigurt dhe të shëndoshë, i cili ka kontribuar në rritjen ekonomike të vendit dhe nxitjen e investimeve të jashtme, veçanërisht në sektorin financiar.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës siguron të gjithë qytetarët se i gjithë sektori financiar është i sigurt dhe nuk ka vend për shqetësim.

BQK-ja si mbikëqyrës i sistemit financiar do të vazhdojë të punojë në mbajtjen e një sistemi financiar të sigurt dhe të shëndoshë dhe do të përmirësojë vazhdimisht mjedisin ekonomik, në të cilin industria financiare operon.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2019 - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me Misionin në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë organizon konferencën për gazetarët e zhdukur dhe të vrarë në Kosovë. (Hotel Swiss Diamond, ora 9:30)

- Shoqata nacionale e mjedrës “Mjedra e Kosoves” se bashku me donatorët e saj GIZ,  USAID, SWISS Caritas, organizojnë konferencën e nivelit kombëtar të mjedrës “Konferenca e 4-të e Mjedrës në Kosovë”. (Emerald Hotel, ora 9:30)

- Zyra e Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara dhe UNICEF do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarëve 2019 me moton 'Të Bëjmë Punë Vullnetare për një Ardhmëri Gjithëpërfshirëse'. (Qendra për Komunitete Termokiss në Prishtinë, ora 10:00)

- Me rastin e 5 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, Kolegji Heimerer organizon konferencën “Thuaj Po vullnetarizmit". (Kolegji Heimerer, ora 11:00)

- Qendra Kosovare për Studime Gjinore organizon konferencën “Fuqizimi i të drejtave të barabarta pronësore të grave në Kosovë”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe rrjeti i marketeve Viva Fresh Store organizojnë hapjen e Ekspozimit dhe Promovimit të Prodhimeve Vendore në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2019” me moto: Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU? (Objekti i Viva Fresh Store në Veternik, ora 13:00)

- Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, OSBE-në, Zyrën e UNICEF-it, UN Volunteers dhe OJQ-në Lens, do të jenë nikoqirë të njërës nga ngjarjet më të mëdha të të rinjve për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, me moton ndërkombëtare “Volunteer for an inclusive future”. (Hotel Emerald, ora 15:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës organizon hapjen e ekspozitës së titulluar "Albanian Village Life - Isniq, Kosovo 1976", të fotografes dhe shkrimtares suedeze, Ann Christine Eek e cila përbëhet nga fotografi bardh e zi të realizuar në vitet e 1970-ta gjatë qëndrimit të saj në rajonin e Dukagjinit në Kosovë. (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)

- Baleti Kombëtar i Kosovës shfaq premierën e katërt për vitin 2019, shfaqjen “Exil”. (Teatri Kombëtar, ora 19:00)