25 Prill 2024

Bizneset vazhdojnë të mos e raportojnë korrupsionin nga frika e hakmarrjes

Prishtinë, 9 dhjetor - Korrupsioni vazhdon të jetë njëri ndër problemet kyçe me të cilin përballen bizneset në Kosovë, ndërsa për të inkurajuar raportimin më të madh të tij, institucionet shtetërore duhet të zhvillojnë dialog të vazhdueshëm me bizneset, si dhe të tregojnë rezultate më të mëdha në luftimin e korrupsionit, me qëllim të fuqizimit të besimit të tyre.

Kjo u tha gjatë prezantimit të të gjeturave të Studimit të Perceptimit të Korrupsionit, të kryer bashkërisht nga Oda Ekonomike Amerikane si dhe nga Programi i Aktivitetit të Drejtësisë Komerciale të USAID, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Luftimin e Korrupsionit.

Chris Thompson, Shef i Programit Drejtësia Komerciale të financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), teksa informoi pjesëmarrësit për qëllimin e programit, deklaroi se objektiva kryesore e programit Drejtësia Komerciale është zvogëlimi i mundësive për korrupsion dhe përmirësimi i perceptimit të korrupsionit tek bizneset dhe qytetarët.

Programi synon ta arrijë këtë duke mbështetur reformat teknike, siç janë krijimi i një gjykate komerciale, rritja e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor, si dhe rritja e ndërgjegjësimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve jashtë sistemit gjyqësor, përmes ndërmjetësimit dhe arbitrazhit.

Për më tepër, Thompson shtoi se studimi mbi Perceptimin e Korrupsionit sipas Bizneseve e ndihmon Aktivitetin e Drejtësisë Komerciale sepse rezultatet e këtij studimi, do të informojnë programin në zhvillimin dhe përcaktimin e prioriteteve të tij.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se ky studim pavarësisht se sjell të gjetura të cilat duhet të shihen me shqetësim nga ana e shoqërisë kosovare, është një dokument i rëndësishëm i cili lejon matjen e progresit ose regresit në luftimin e korrupsionit nga viti në vit.

Sipas tij çfarë mbetet shqetësuese është që ekziston një prani e madhe e korrupsionit real, dhe se bizneset vazhdojnë të ngurrojnë në raportimin e korrupsionit tek autoritetet relevante.

Zeka tha se prania e lartë e korrupsionit ndikon pashmangshëm në tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe se institucionet e Kosovës duhet të punojnë tutje në luftimin e korrupsionit sepse ndryshe çdo betejë në përpjekjet për tërheqjen e investimeve të huaja direkte do të jetë e humbur.

Ndërsa, Zyrtarja e Politikave në Odën Ekonomike Amerikane, Ardita Hajra, si dhe specialistja për Monitorim, Vlerësim & Mësim, në Programin e USAID për Drejtësi Komerciale, Nertila Latifi,  prezantuan të gjeturat kryesore të Studimit mbi Perceptimin e Korrupsionit.

Sipas këtij studimi, i cili është publikuar për të dytin vit me radhë, 72% e bizneseve të anketuara konsiderojnë korrupsionin si çështje që kërkon trajtim prioritar, prej të cilëve 47% e perceptojnë si sistematik, derisa 33% të respondentëve e perceptojnë si sporadik.

Studimi i këtij viti thekson një rënie të përqindjes së atyre të cilat janë ballafaquar me korrupsionin, si dhe një ngritje të lehtë të atyre të cilat kanë raportuar korrupsionin tek autoritetet relevante, megjithëse kjo përqindje ende mbetet nën çerekun e respondentëve.

Ndër arsyet kryesore që dekurajojnë bizneset nga raportimi i rasteve të korrupsionit përfshihen frika nga hakmarrja nga institucionet përkatëse në të ardhmen, mungesa e besimit në sistemin gjyqësor, si dhe mungesa e rezultateve konkrete nga luftimi i korrupsionit. Kur flitet për besimin në sistemin gjyqësor duhet cekur se vetëm 14% e bizneseve kanë deklaruar besim të plotë në sistemin gjyqësor.

Studimi po ashtu gjen se 42% e bizneseve besojnë se korrupsioni ka shënuar rritje krahasuar me pesë vite më parë, me një rritje të dyfishtë në këtë indikator krahasuar me studimin e vitit të kaluar. Ndërsa format më të pranishme të korrupsionit janë mosdeklarimi i konfliktit të interesit dhe ryshfeti.

Duke cekur tri arsyet kryesore që nxisin bizneset të përfshihen në korrupsion, gati gjysma e të anketuarve shprehen se këtë e bëjnë për të shmangur ndonjë ndëshkim, pasuar nga një përqindje e madhe e atyre që besojnë se dëshira për të pasur një trajtim të favorshëm në një procedurë të hapur ose konkurruese i nxit bizneset të përfshihen në korrupsion. Dy të tretat e respondentëve shprehen se sundimi i dobët i ligjit inkurajon korrupsionin.

Afërsisht 83.20% e të anketuarve deklaruan se korrupsioni pengon investimet e huaja direkte në Kosovë.

Ndërsa duke shprehur se korrupsioni është shumë i pranishëm në aktivitetet e prokurimit publik, 91% e bizneseve të anketuara besojnë se prokurimi elektronik do të ndihmojë në luftimin e korrupsionit, që është një gjetje shumë inkurajuese.

Oda Ekonomike Amerikane do të vazhdojë me publikimin e Studimit mbi Perceptimin e Korrupsionit edhe në vitet në vijim, duke synuar që përmes tij të masë rezultatet e përpjekjeve për luftimin e korrupsionit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)