30 Shtator 2020

Bizneset kërkojnë përkrahje nga qeveria për rimëkëmbje ekonomike

Prishtinë, 10 korrik – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një konferencë virtuale me Ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, në të cilën u diskutua për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit si dhe mundësitë e Qeverisë për përkrahje ndaj sektorit privat. Gjatë kësaj konference Ministri Kuçi foli për strategjitë për arritjen e rimëkëmbjes së mirëfilltë ekonomike, mbështetjen e Qeverisë për ndërmarrjet private të të gjithë sektorëve, si dhe ndryshimet e nevojshme në aspektin ligjor për të mundësuar implementimin e masave për rimëkëmbje.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, bëri thirrje për përshpejtim të procedurave për miratimin e projektligjeve të cilat sigurojnë mbështetje ndaj sektorit privat, derisa theksoi se anëtarët e Odës Amerikane në mënyrë konstante kanë dhënë rekomandime për Qeverinë në mënyrë që ajo t’i dalë në ndihmë ekonomisë së vendit në këtë situatë krize. 

Ministri Kuçi theksoi se puna e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit bazohet në plan-programin për reformë ekonomike 2020-2023, ndërsa përmban edhe nëntë masa të destinuara për rimëkëmbje ekonomike, përmes së cilave synohet t’u ofrohet mbështetje të gjitha ndërmarrjeve private të goditura nga kriza e shkaktuar pas shpërthimit të pandemisë. Sipas Ministrit Kuçi, projektligji për masat e përkohshme për të lehtësuar efektin e pandemisë COVID–19 përfshin lehtësimin për qasje në financa, zvogëlimin e barrës tatimore, mbështetjen e punësimit, subvencionimin e pagave të punëtorëve në sektorin privat, si dhe stimulimin e përgjithshëm të kërkesës agregate. Ministri Kuçi potencoi se duke e marrë parasysh ndikimin e pandemisë COVID-19, investimet kapitale të parapara për këtë vit janë përgjysmuar në mënyrë që të krijohen fondet e nevojshme për rimëkëmbje. Ai gjithashtu përmendi se pavarësisht zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, Qeveria mbetet e fokusuar në implementimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, derisa tha se strategjitë e përdorura janë në koordinim me mekanizmat dhe praktikat e institucioneve ndërkombëtare.

Gjatë kësaj konferencë përfaqësuesit e ndërmarrjeve anëtare të Odës Amerikane, si dhe kryesuesit e komiteteve të ndryshme brenda kësaj Ode, patën mundësi të ofronin një pasqyrë më të detajuar mbi ndikimet që pandemia COVID-19 ka pasur mbi veprimtaritë e tyre, por edhe rekomandime mbi mbështetjen për të cilën ka nevojë sektori privat.

Ndërmarrësi Ardian Hoxha, kryesues i Komitetit të Ekonomisë Digjitale të Odës Amerikane theksoi se Kosovës i duhen investime të mençura në sektorin e teknologjisë informative dhe komunikimit, i cili sipas tij ka potencialin më të madh për rritje por pengohet nga barrierat më bazike, duke përmendur nevojën urgjente për të shtyrë përpara Projektligjin për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike. 

Avni Krasniqi nga kompania Delfin, njëherit kryesues i Komitetit të Tregtisë dhe Doganave të Odës Amerikane, potencoi se është e domosdoshme të bëhet zbatimi sa më i shpejtë i masave në ndihmë të sektorit privat, në mënyrë që të evitohet humbja e mëtutjeshme e vendeve të punës. 

Milazim Abazi nga BDO Kosova, kryesues i Komitetit të Financave të Odës Amerikane, u shpreh se Qeveria duhet të përkrahë fuqishëm sektorin privat dhe të lehtësojë rrugën për implementim të projekteve dhe dhënie të granteve nga institucionet ndërkombëtare financiare në Kosovë.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 Shtator 2020 - Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohet me Komision me përfaqësuesit e Komisionit  qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës së bashku me Oden Ekonomike të Kosovës do të vizitojnë biznesin “Prishtina Mall”. (Zona industriale Prishtinë - Lipjan, tek rrethi i QMI-së, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi pret në takim sportistet e verbër. (kabineti i Ministres, ora11:00)

- Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë organizon publikimin e raportit “Indeksi Kosovar i Reziliencës-Ekstremizmi i Dhunshëm në Kosovë: Çfarë mund të mësojmë nga rezilienca në komunitet?” (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e katërt e rregullt për vitin 2020 të Kuvendit Komunal të Prizrenit. (Salla për mbledhjet e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, tek “Shtëpia e Bardhë”, ora 10:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit për Procesin Zgjedhor. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

 - Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike shqyrton raportin vjetor të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut dhe të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10,, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyrët e LV-së në Arbëri, ora 11:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi nesër zhvillon vizitë në Komunën e Drinasit. (Ambientet e Komunës së Drinasit, ora 11:00)
 
- Administrata Tatimore e Kosovës së bashku me Oden Ekonomike të Kosovës do të vizitojnë biznesin “Ciao Berto”. (Magjistralja Prishtinë - Mitrovicë, km2, ora 11:30)

- Grupi i aktorëve të Prishtinës do mbajnë protestë pasi që kërkesat e tyre të deritanishme nuk janë realizuar. (Para objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës, ora 12:00)

-  Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrton në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike si dhe Ligjin për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës si dhe shqyrton raportin Vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)
 
- Administrata Tatimore e Kosovës së bashku me Oden Ekonomike të Kosovës do të vizitojnë biznesin “Lesna”. (Rruga Lidhja e Pejës nr. 133 10000, ora 13:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian shqyrton programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit, i ftuar Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:30)

- Drejtoria Komunale e Arsimit e Komunës së Prizrenit do të pranojë një donacion me pajisje shkollore dhe tableta nga banka Raiffeisen, për fëmijët e familjeve me vështirësi ekonomike në komunën e Prizrenit. (Drejtoria Komunale të Arsimit në Prizren, ora 14:00)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon edicionin e tretë të Metamorphosis. (Objekti i Kryqit të Kuq, në rrugën "Xhemajl Prishtina", nr.36 te RTK-ja te pazari, ora 16:30)

- Në kuadër të javës së tretë të programit publik në Festivalin e Arkitektures në Kosovë. (Drejtperdrejt në faqen facebook-ut të Festivalin e Arkitektures, ora 18:30)