21 Janar 2020

Bie papunësia, por ngadalësohet rritja ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor

Washington, 8 tetor - Aktiviteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor po ngadalësohet pasi investimet dhe eksportet kanë vijuar të zbehen në të gjashtë vendet e rajonit.

Sipas Raportit të fundit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Pasiguri në Rritje, ritmi i rritjes ekonomike në rajon në vitin 2019 vlerësohet të ngadalësohet në 3.2 përqind, nga 3.9 përqind sa ishte në vitin 2018.

Ndërsa rritja ekonomike në Maqedoninë e Veriut u përshpejtua në vitin 2019 pas një ngadalësimi të ndjeshëm, dhe rritja pritet të mbetet e fortë me 4 përqind në Kosovë – të gjitha vendet e tjera të rajonit po përjetojnë ngadalësim të rritjes ekonomike krahasuar me një vit më parë.

Ndonëse ekonomia rajonale pritet të ketë normë pozitive të rritjes gjatë periudhës 2020-2021, ajo do të jetë disi më e ulët se norma e rritjes së vitit 2018, që ishte më e larta në 10 vitet e fundit.

“Vijueshmëria e rritjes ekonomike në rajon po ndihmon krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e shkallës së pjesëmarrjes së femrave në forcën e punës dhe po ndihmon frenimin e emigracionit,” shprehet Linda Van Gelder, Drejtore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Sidoqoftë, grumbullimi i reve mbi ekonomitë e rajonit evidenton nevojën për rritjen nga politikëbërësit të konkurrueshmërisë së ekonomive, efiçencës dhe efikasitetit të shpenzimeve publike si dhe adresimin prej tyre të disbalancave fiskale në rritje, në mënyrë që të mbështeten në këto suksese dhe të nxisin rritjen e qëndrueshme ekonomike.”

Pavarësisht ngadalësimit të rritjes ekonomike, papunësia ka vijuar të ulet – duke shënuar vlerat më të ulëta historike.  Deri në qershor 2019, në rajon ishin krijuar 150,000 vende pune më shumë se një vit më parë. Kjo ecuri përfshin gjithashtu krijmin e 43,000 vendeve të punës për të rinjtë, ku rreth gjysma e tyre u krijuan vetëm në Shqipëri.

 Pavarësisht gjithë këtyre zhvillimeve ekonomike pozitive, rezulton se vetëm 44% e popullsisë në moshë pune ka aktualisht një punë. Pasiviteti në tregun e punës vijon të mbetet i lartë në nivelin 48% dhe zgjerimi i pabarazive ndërrajonale në rezultatet e tregut të punës është shqetësues.

 Pasiviteti në tregun e punës ka pësuar rritje gjatë vitit 2019 si në Kosovë ashtu edhe në Bosnje-Hercegovinë, çka tregon se numri i njerëzve që kanë lënë punën është më i lartë se i atyre që kanë gjetur punë.

Bazuar në evidentimin e rritjes së pasigurive për ekonomitë e rajonit, raporti bën thirrje për një përmirësim të shpejtë të shpenzimeve publike dhe konkurrueshmërisë së ekonomive.

Forcimi i kontrollit të shpenzimeve publike për paga, reduktimi i shpenzimeve tatimore dhe përmirësimi i programeve të përkrahjes sociale mund të çojnë në rritje të investimeve publike, më shumë barazi  dhe krijimin e amortizuesve fiskalë për zbutjen e rreziqeve në rritje në rajon.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 janar 2020 - Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës organizon takimin rajonal për Ndryshime Klimatike dhe Integrime Evropiane “Zhvillimi i një propozim projekti për ngritjen e kapaciteteve në sektorin e Mjedisit, Integrimeve Evropian dhe Ndryshimeve Klimatike”. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e parë të rregullt të Komiteti për Politik dhe Financ. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Me rastin e 14-vjetorit të vdekjes së Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova bëjnë homazhe te varri i tij. (Velani, ora 10:30)

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj bën homazhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në përvjetorin e vdekjes së tij. (Velani, ora 10:30)

- Anëtarë të Kryesisë së Lidhjes Demokratike vizitojnë Familjen Rugova. (Velani, ora 10:45)

- Qendra e Lëvizjes në Prishtinë mban konferencë për media në lidhje me projektet e ndërtimit në Liqenin e Badovcit. (Qendra e Lëvizjes në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuna e Prishtinës shënon Ditën e Arkivit me promovimin e katallogut të dokumenteve Osmane në Arkivin Komunal të Prishtinës. (Salla e Kuvendit Komunal, ndërtesa e vjeter e Komunës, ora 11:00)

- Prokuroria Themelore në Prizren mban konferencë për media ku do të prezantohet raporti i punës për vitin 2019 dhe objektivat e kësaj prokurorie për vitin 2020. (Zyra e Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Prizren, rruga William Walker, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës organizon Akademi Përkujtimore për Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova. (Hotel Emerald, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë të Lidhjes Demokratike e Kosovës. (Selia e LDK-së, ora 14:00)

- Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij, CHwB Kosova organizon prezantimin e librit "Qyteti në Miniaturë". (Shkolla speciale për të verbër në Pejë, ora 14:00)

- Me rastin e vdekjes së ish Kryetarit të Kuvendit të Komunës së Rahovecit, Esat Haxhijaha, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Rahovecit Afrim Dina, organizon mbledhjen komomerative, në nderim të jetës dhe veprës së tij. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahoveci, ora 15:00)

- Komuna e Gjilanit organizon Akademi Përkujtimore për Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova. (Teatri i qytetit te Gjilanit, ora 16:30)

- Komuna e Rahovecit organizon debat publik me banor të fshatit Opterushë dhe fshatrave për rreth për krijimin e Zonës Ekonomike. (Objekti i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët ”Lidhja e Prizrenit” në fshatin Opterushë, ora 17:00)