12 Nëntor 2018

Bashkëpunimi mes ATK-së dhe Prokurorisë synon zbatimin e ligjeve tatimore

Prishtinë, 7 nëntor - Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim Drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, përfaqësuesit e GIZ-të dhe ekspertët nga Administrata Tatimore e landit të Bavarisë në Gjermani ku kanë diskutuar për  modalitetet për zhvillimin e projektit në të ardhmen.

Kryeprokurori Lumezi, fillimisht i ka njoftuar të pranishmit me funksionimin e institucionit të Prokurorit të Shtetit, si dhe, ka theksuar se synim kryesor i institucionit të cilin e udhëheq ai, është luftimi i suksesshëm i krimit në Republikën e Kosovës dhe kontributi në sigurimin e sundimit të ligjit.

Ndërkaq, Ymeri dhe përfaqësuesit e GIZ-it, e kanë njoftuar Kryeprokurorin Lumezi, se Projekti për Reformën e Sistemit të Financave Publike në Kosovë i implementuar nga Bashkëpunimi Ndërkombëtar Gjerman (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH), në emër të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), mbështet Ministrinë e Financave dhe Administratën Tatimore të Kosovës në implementimin e reformave dhe përmbushjen e strategjive në fushën e financave publike.

Po ashtu, kanë theksuar se bashkëpunimi me Administratën Tatimore të Kosovës, synon krijimin e parakushteve për zbatimin uniform të ligjeve tatimore dhe trajtimin e barabartë të tatimpaguesve.

Gjithashtu, ata kanë theksuar se për këtë qëllim në kuadër të ATK-së, është krijuar Zyra për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative, e cila shqyrton të gjitha rastet në të cilat mund të këtë gjoba dhe ndëshkime dhe vendos për këto të fundit.

Në të ardhmen synohet që ZGjoNA të ketë bashkëpunim me Prokurorinë, Gjykatat dhe institucionet tjera për zbatimin e ligjit në fushën e shkeljeve të mundshme tatimore dhe kundërvajtjeve.

Kryeprokurori Lumezi ka potencuar se prioritetet kryesore i Prokurorit të Shtetit, është ndjekja e suksesshme e krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve ekonomike, financiare  dhe veprave penale që rrënojnë bazat e ekonomisë së vendit.

Andaj, për këtë qëllim Prokurori i Shtetit do të rris bashkëpunimin me Administratën Tatimore të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 nëntor 2018 - Ministri i Punës, Skender Reqica, Ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyçi, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi raportojn para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me zbatimin e Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës 2013 - 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 10:00)

- Qendra e Inovacionit  dhe Oda Ekonomike Amerikane shënojn Javën Globale e Ndërmarrësisë. (Salla plenare e Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në hapjen e Javës Globale të Ndërmarrësisë. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike mban konferencën për media në të cilën prezanton një propozim për “Minimumin e një Platforme për Dialogun e Fazës Finale në mes të Kosovës dhe Serbisë” (Grupi për Studime Juridike dhe Politike, përballë Kino ABC, mbi Maxi Market, ora 11:00)

- Qendra e Lëvizjes në Prishtinë mban konferencë për media. (Sheshi "Adem Jashari", ora 12:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit takohet me Kryeministrin, Ramush Haradinaj, Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Ministren e Integrimeve Evropiane znj. Dhurata Hoxha lidhur me bashkërendimin e veprimeve lidhur me pakon legjislative dhe procesin e liberalizimit të vizave. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  C-203, ora 13:00 - mediat mund të marrin pamje vetëm në fillim të takimit)

- Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq interviston ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 13:00)

- Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të zhvillohet aksion pastrimi në Prishtinë. (Përreth hapësirave të Shkollës “Model”, ora 13:30)

- Ministri i MPMS-së, Skender Reçica, bën lansimin në konsultime publike të Koncept Dokumentit për Rregullimin dhe Menaxhimin e Fushës së Pensioneve dhe Beneficioneve, të hartuara nga MPMS. (Salla e konferencave në MPMS, ora 14:00)

- Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, mban mbledhje me kryetarët e degëve të LDK-së. (Hotel Sirius, ora 16:00  - konferencë për medie, 17:30)