24 Prill 2024

Auditori rekomandon Kuvendin të mbajë llogaridhënëse Qeverinë

Prishtinë, 17 dhjetor - Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar “Raportin e  vlerësimit për zbatimin e rekomandimeve të auditimeve të performancës të vitit 2017”.

Qëllimi i këtij raporti është që t’i ofroj Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës një informacion lidhur me veprimet e ndërmarra nga institucionet publike për zbatimin e rekomandimeve të auditimit.

Subjekt i Raportit të vlerësimit kanë qenë 166 rekomandime të dhëna në  shtatë raporte të  auditimit të performancës të publikuara në vitin 2017, ku kanë qenë të përfshira 35 institucione publike.

Raporti i vlerësimit, konstaton se institucionet e  audituara nuk janë angazhuar mjaftueshëm për të zbatuar rekomandimet e dhëna.

Rezultatet e këtij vlerësimi tregojnë se zbatimi i rekomandimeve për auditime të performancës nuk është në nivel të kënaqshëm.

Nga 166 rekomandime të dhëna, vetëm 36% e tyre janë zbatuar plotësisht, 10% janë në fazën finale të zbatimit, 13% kanë filluar zbatimin si dhe 10% e rekomandimeve nuk janë adresuara fare. Kurse  për 31% të rekomandimeve entitetet nuk kanë dorëzuar informatat.

Nga 35 institucione të audituara vetëm katër prej tyre kanë përgatitur dhe dorëzuar planin e veprimit, ndërsa pyetësorit të vlerësimit të ZKA-së i janë përgjigjur 23 apo 66 për qind.  

Mungesa e përgatitjes së planit të veprimit, mosgatishmëria e institucioneve t’i përgjigjen vlerësimit dhe numri i ulët i zbatimit të plotë të rekomandimeve, tregojnë mungesën e përkushtimit  të institucioneve publike për të përmirësuar performancën e tyre  edhe rrjedhimisht menaxhimin me paranë publike.

Përveç mangësive, Raporti konstaton se janë ndërmarrë disa veprime nga entitetet dhe kjo mund të rezultojë në përmirësimin e aktiviteteve në fushën e gjyqësorit, zhvillimit ekonomik, arsimit dhe shëndetësisë.

Lidhur me rezultatet e këtij vlerësimi, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani i rekomandon Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbajë llogaridhënëse Qeverinë e Kosovës për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të performancës, të kërkoj përgatitjen e planeve të veprimit  si dhe të monitoroj  progresin e zbatimit të rekomandimeve të  institucioneve të audituara.

Tutje Auditori i Përgjithshëm i rekomandon Qeverisë së e Kosovës që të ketë një angazhim proaktiv në adresimin e të gjitha çështjeve të cilat ndërlidhen me gjetjet e auditimeve të performancës duke ndërtuar mekanizma llogaridhënës për zbatimin e rekomandimeve.  

Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve është një proces përcjellës gjatë të cilit auditorët vlerësojnë përshtatshmërinë, efektivitetin dhe afatet kohore të veprimeve të ndërmarra nga menaxhmenti i organizatës së audituar për të adresuar çdo rekomandim të auditimit. Këto procese bazohen në Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)