18 Prill 2024

Auditori rekomandon eliminimin e rreziqeve në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës

Prishtinë, 6 gusht - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA)  ka publikuar raportin e auditimit përcjellës të teknologjisë së informacionit “Për rekomandimet e dhëna për SIMFK-në në Raportin Vjetor të Auditimit 2020”, i cili kishte për qëllim të vlerësojë nivelin e zbatimit të  rekomandimeve të  dhëna në Raportin Vjetor të Auditimit të vitit të kaluar.

Rekomandimet ishin adresuar për Thesarin dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, për ofrimin e një ambienti të sigurt për të ruajtur disponueshmërinë, konfidencialitetin dhe integritetin e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK).  

Rezultatet e këtij auditimi përcjellës, tregojnë se Thesari dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kanë bërë progres të rëndësishëm, por jo të mjaftueshëm në realizimin e planit të veprimit për zbatimin e plotë të rekomandimeve.

Nga trembëdhjetë rekomandimet e dhëna, gjashtë prej tyre janë zbatuar, një është në përfundim të zbatimit, për pesë të tjera ka filluar zbatimi dhe për një rekomandim ende nuk ka filluar zbatimi.

Si rezultat i disa veprimeve, përmirësimet janë vërejtur në sigurinë dhe cilësinë e sistemit, të dhënave dhe infrastrukturës për Sistemin e Menaxhimit të Financave të Kosovës – SIMFK. Është realizuar dokumentimi i rrjetit, ndërgjegjësimi i punonjësve për sigurinë e informacionit, përmirësimi i qasjeve administrative dhe ruajtja e fjalëkalimeve.

Gjithashtu, është siguruar zbatimi i procedurës për menaxhimin e qasjeve të përdoruesve të SIMFK-së dhe rishikimi i procedurës për regjistrimin e furnitorëve në SIMFK.

Aplikimi i kontrolles, përmes të cilës bëhet identifikimi dhe refuzimi i transaksioneve me të dhëna identike si dhe janë rishikuar mundësitë që ofron SIMFK-ja për ngritjen e efikasitetit të punës së përdoruesve.

Me zbatimin e këtyre rekomandimeve Thesari dhe Departamenti i TI-së në MFPT kanë arritur të rrisin nivelin e sigurisë së informacionit dhe besueshmërisë së të dhënave në sistem. Poashtu, zbatimi i rekomandimeve për kontrollet e aplikacionit ka ndikuar që të bëj këtë sistem më efikas dhe më lehtë të shfrytëzueshëm për përdoruesit.

Mirëpo, ende vazhdojnë mangësitë në sigurimin e mekanizmave për sigurinë e informacionit dhe kontrollet e aplikacionit që zbatohen në SIMFK për të garantuar saktësinë, vlefshmërinë, si dhe ruajtjen, integritetin dhe konfidencialitetin e të dhënave në sistemin e informacionit.

Thesari nuk ka arritur të harmonizoj pozitat e TI-së në raport me privilegjet dhe qasjet e tyre në sistemet e TI-së, gjithashtu nuk ka arritur të siguroj administrimin e bazave të të dhënave përmes obligimit kontraktual.

Poashtu ende nuk kanë arritur të përcaktojnë zyrtarin për sigurinë e informacionit dhe monitorimin e vazhdueshëm të gjurmëve të auditimit, si dhe të parashohin realizimin e rregullt të testit të depërtueshmërisë për mbrojtje nga ndërhyrjet për sistemet e vendosura në rrjetin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Gjithashtu, Thesari ende nuk ka arritur të zbatojë rekomandimin për vlefshmërinë e fushave gjatë regjistrimit të të dhënave hyrëse.

Në SIMFK nuk mundësohet zbatimi i Rregullores për Menaxhimin e Pasurisë jo Financiare, për regjistrimin dhe klasifikimin adekuat të saj. Po ashtu mungon një vlerësim i nevojave të përdoruesve dhe ende nuk ofrohen raporte të ndryshme sipas nevojave të tyre.

Kjo tregon se ende nuk janë eliminuar dobësitë e këtij sistemi. Mangësitë e strukturës së sigurisë së informacionit i lejojnë zyrtarëve të kenë dyfishim dhe konflikt të përgjegjësive dhe gjithashtu, zvogëlojnë aftësinë për të mbrojtur burimet e TI-së dhe informacionin në sistemet e TI-së.

Ndërsa, mangësitë në kontrollet e aplikacionit mund të rezultojë në cilësi jo të mirë të të dhënave dhe pasqyrim jo të saktë të pasqyrave financiare si dhe mungesë efikasiteti në përdorimin e këtij sistemi.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, rekomandon institucionet përgjegjëse që t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme të cilat mundësojnë zbatimin e plotë të rekomandimeve për sigurimin e të dhënave të plota dhe të sakta në një ambient të sigurt.

Me qëllim të përmirësimit të shërbimeve të teknologjisë së informacionit, Zyra Kombëtare e Auditimit përmes raportit të auditimit ka rekomanduar Thesarin dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve se duhet siguruar veprime të vazhdueshme për zbatimin efikas dhe efektiv të rekomandimeve të pa zbatuara, për krijimin e një ambienti të sigurt për të ruajtur disponueshmërinë, konfidencialitetin dhe integritetin e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)