16 Prill 2024

ATK për 20 vite ka mbledhur 4 miliard e 707 milion euro tatime

Prishtinë, 17 janar - Administrata Tatimore e Kosovës sot ka mbajtur ceremoninë e shënimit të 20 vjetorit të themelimit të saj, pjesë e së cilës ishin personalitete nga institucione të larta vendore dhe atyre ndërkombëtare.

Në hapjen e kësaj ceremonie Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj, tha se “Është kënaqësi e veçantë, që në emër të gjithë punonjësve të administratës tatimore, të shpreh falënderim dhe respekt për të gjithë të pranishmit në këtë sallë,  të cilët kanë dhënë kontribut dhe kanë lënë gjurmë në zhvillimin e  Administratës Tatimore të Kosovës”.

Tutje drejtori Murtezaj shtoj se ATK sot shënon 20 vjetorin e themelimit të saj, rrugëtimi përgjatë këtyre viteve,  sigurisht ka qenë përplot me sfida, por në të njëjtën kohë ATK ka prekur edhe suksese të jashtëzakonshme, të cilat kanë reflektuar në përmirësimin e mirëqenës së qytetarëve të Kosovës.

Si rezultat i punës profesionale, me integritet dhe ndershmëri, efektivitet dhe transparencë, Administrata Tatimore e Kosovës për këto 20 vite ka mbledhur 4 miliard e 707 milion euro tatime, dhe 1 miliard e 797 milion euro kontribute pensionale.

 Përveç kësaj, ATK ka zhvilluar një strukturë organizative funksionale, e cila në pjesën më të madhe të saj është në harmoni me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Për 20 vite ekzistencë, ATK çdoherë është fokusuar në ofrimin e shërbimeve profesionale për tatimpagues, në mënyrë që të krijoj një infrastrukturë më të lehtë në kryerjen e obligimeve tatimore. Gjatë viteve të fundit ka investuar jashtëzakonisht shumë në ndërtimin e Sistemit Elektronik EDI, i cili ju mundëson tatimpaguesve ofrim të shërbimeve on-line dhe pa kosto.

Në këtë ceremoni Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi,  në fjalën e tij u shpreh se ATK është ndërtuar nga zero, por se kanë arritur suksese kolosale sot, fillimisht me partnerët ndërkombëtar. Më e rëndësishmja është ndërtimi i besimit tek qytetarët, duke pasur parasysh përvojën e hidhur me shtetin e Serbisë.

Ndër tjera, Presidenti Thaçi shtoj se ka ende sfida,  por me praktikat më të mira do të ecet përpara.

E nga ana tjetër, zv/Ministri i Financave Mustafë Grainca tha se ATK  ka rritur integritet të lartë profesional dhe se këtë e kanë dëshmuar institucionet kredibile ndërkombëtare si FMN, GIZ e të tjerë.

Zv/Ministri Grainca, po ashtu theksoi se ATK vitin 2019 e ka pasur një vit shumë të suksesshëm në mbledhjen e tatimeve.

Ndërsa, Zëvendës- Shefja e Bashkëpunimit, në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë Hillen Fancke, në fjalën e saj tha se “ATK është në rrugën e duhur për tu bërë një ATK moderne, është një prej shtyllave kryesore në menaxhimin e të hyrave, kjo luan një rol shumë të rëndësishëm për qytetarët. Ka ende shumë punë për tu bërë, dua të them se BE do të jetë pran jush dhe do të bashkëpunojë ngushtë me ju”.

Ndërsa, Florjon Mima, ekspert i tatimeve nga Shqipëria, i cili në fillimet e punës së ATK-së ishte ekspert për tatime, tha se eksperiencën e tij me ATK-në do ta mbaj mend çdoherë, duke shtuar se “Jam falënderuar gjithë punonjësve të ATK-së, të cilët kanë punuar më përkushtim në zhvillimin e punës së institucionit”.

Nga ana e komunitetit të bizneseve të Kosovës foli Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, cili tha se eshte impresionuar me rezultatet e ATK-së për 20 vite për mbushjen e thesarit të vendit, dhe avancimi i partneritetit publiko-privat.

"Janë të shumta të arriturat që kjo organizatë ka për 20 vite,  si në përmirësimin e legjislacionit dhe në rritjen e bashkëpunim  me komunitetin e biznesit, mirëpo ka ende shumë për tu bërë në luftimin e ekonomisë joformale. Si drejtor i OEAK-ut, ju shprehë zotimin për partneritet të sinqertë”, theksoi Zeka.

Gjatë kësaj ceremonie në shenjë mirënjohje për kontribut në zhvillimin e ATK-së janë ndarë mirënjohje për institucionet bashkëpunuese nga vendi dhe ato ndërkombëtare.

Po ashtu, në nderim dhe përkujtim janë ndarë mirënjohje edhe për ish punonjësit e ATK-së, të cilët kanë ndërruar jetë. Mirënjohjet në fjalë u janë dhënë familjarëve të të ndjerëve.

Në përmbyllje të ceremonisë, përmes një dokumentari të shkurt është prezantuar kronologjia e historisë së zhvillimit të administratës tatimore.

ATK është themeluar me 17 Janar 2000, e cila në atë kohë është drejtuar dhe administruar nga UNMIK-u.

Drejtor i parë i ATK-së ishte ndërkombëtar Lewis Bauer  i cili drejtoj ATK-në nga themelimi i saj deri ne tetor/2001.

Nga Tetori i vitit 2001 deri në Shkurt të vitit 2003, kishte bashkë-drejtorë nga USAID-i  znj Andrea Nadu dhe vendor z. Mustafë Hasani që ndanin rolin e drejtorit.

Me 18 Shkurt 2003, autoriteti për Administratën Tatimore u bart nga UNMIK-u te Ministria për Ekonomi dhe Financa dhe detyrat e Drejtorit të ATK-së mori z. Mustafë Hasani.

Që nga ajo kohë, ATK ka funksionuar si një organizatë autonome, e menaxhuar krejtësisht nga banorë të Kosovës me këshillime dhe ndihmën e organizatave donatore ndërkombëtare në radhë të parë, USAID-i, BE-ë dhe FMN-ë, GIZ-i, dhe Ambasada Britanike.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)