27 Janar 2023

Aktivitetet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të auditohen nga ZKA

Prishtinë, 21 nëntor - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës me temën “Mbështetja e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA” për periudhën 2019-2022.

Fokus kryesor i këtij auditimi është vlerësimi i aktiviteteve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) për arritjen e rezultateve të duhura në përkrahjen dhe ngritjen e kapaciteteve të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) dhe zonave ekonomike.

MINT/KIESA çdo vit bën shpallje për përkrahjen e NMVM-ve me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të tyre në mënyrë që këto ndërmarrje të ofrojnë produkte më cilësore dhe të jenë konkurruese me ndërmarrjet në nivel ndërkombëtar.

Njëkohësisht përmes zonave ekonomike MINT u ofron ndërmarrjeve lehtësira të ndryshme.

Thirrjet publike duhet të bëhen në përputhje me strategjinë e MINT-it lidhur me zhvillimin e NMVM-ve në vendin tonë, po ashtu thirrjet dhe përzgjedhja e përfituesve duhet të bëhet në përputhje me ligjet dhe rregulloret për përkrahjen e këtyre ndërmarrjeve.

Prandaj, përmes këtij auditimi në MINT/KIESA, ZKA-ja do të vlerësojë arsyeshmërinë dhe  përputhjen ligjore të procesit për përkrahjen e NMVM-ve.

Po ashtu do të analizojë shpalljet e zonave të lira ekonomike për të parë nëse MINT është bazuar në analiza të arsyeshme për themelimin e këtyre zonave.

Auditimi “Mbështetja e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA”, ka për synim që përmes rekomandimeve të ndihmojë institucionet përgjegjëse në përmirësimin e aktiviteteve për përkrahjen e NMVM-ve dhe themelimin e zonave të lira ekonomike.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2023

 - Mbahet dita e dytë e konferencës Ndërkombëtare për Siguri Siguri Kinernetike “Cyber Zero” në të cilën diskutohet sulmet online dhe kërcenimet në sigurinë kibernetike. (Klan Arena, ora 9:00)
    
- Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me vendimin për lirimin nga obligimi për rentën minerare për ndërmarrjen “Ferronikeli”. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me përfaqësues të OJQ-së “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve”. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)
    
- Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, raporton në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 13:30)
    
- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 42 të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Merr pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu etj. (Ndërtesa e re e Fakultetit të Sigurisë Publike në AKSP, Vushtrri, ora 13:30)
    
- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan do të nderojë me çmimin “Doctor Honoris Causa” anëtarin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl. (Teatri i Qytetit, Gjilan, ora 15:00)