02 Korrik 2020

49 për qind e kompanive janë përballur me emigrimin e punonjësve

Prishtinë, 29 qershor - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë do të lansojë sot Analizën e Pulsit Publik "Korrelacioni midis Tregut të Punës në Kosovë dhe Emigrimit".

Analiza e Pulsit Publik u realizua me një anketë sasiore përfaqësuese me 201 biznese (prej 12 mars deri më 2 prill), dhe 17 intervista gjysmë të strukturuara me përfaqësues të disa institucioneve dhe organizatave në Kosovë (6 - 28 prill). Ky publikim i Analizës së Pulsit Publik eksploron lidhjen midis tregut të punës në Kosovë dhe emigracionit.

Në ngjarje do të marrin pjesë mbi tridhjetë të ftuar ku, ndër panëlistë të këtij lansimi virtual, do të jenë edhe Joshua Mike, Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike nga USAID, Ramë Likaj, Ministër i Arsimit dhe Shkencës; Berat Rukiqi, President i Odës Ekonomike të Kosovës; si dhe ekspertë të tjerë të fushës.

Projekti Pulsi Publik është financuar me bujari nga populli amerikan përmes USAID.

Më poshtë janë disa nga gjetjet kryesore të raportit:

- Metodat joformale të reklamimit të vendit të punës janë ende të zakonshme në Kosovë. Rreth 44% të të gjitha kompanive të intervistuara deklaruan se mënyra kryesore e shpërndarjes së informacionit për vendet e lira të punës është përmes miqve dhe duke e përcjellë gojarisht, ndërsa 39% përdorin mediat sociale. Vetëm disa kompani përdorin platformat online për punësim (12%) ose agjencitë e punësimit (2%) si mënyrën kryesore për reklamim.

- Përvoja dhe aftësitë e punës janë dy faktorët më të rëndësishëm dhe aspektet më sfiduese gjatë punësimit të stafit të ri. Gati dy në tre kompani kanë punësuar punonjës më pak të kualifikuar (63%) ose kanë caktuar detyra shtesë për stafin aktual (19%) kur nuk kanë gjetur punonjës të rinj me kualifikime të dëshiruara.

- Shkathtësitë gjuhësore, analitike dhe teknike - janë tri aftësitë kryesore që u perceptuan nga kompanitë si më të vështirat për t'i gjetur në Kosovë.

- Shumica e kompanive thanë se ua paguajnë kontributet pensionale të gjithë punonjës të tyre me 5% të pagës së tyre bruto, në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (81%). Sektori i bujqësisë u dallua me 27%, të cilët deklaruan se kompania e tyre nuk i paguan kontributet pensionale. Ndërsa niveli i përgjithshëm i kompanive që nuk paguajnë këto kontribute është 13%.

- Pothuajse gjysma e të gjitha kompanive të anketuara janë përballur me emigrimin e punonjësve të tyre në tre vitet e fundit (49%).

- Rreth 41% e të bizneseve të anketetuara deklaruan se kompanitë e tyre nuk u përpoqën t'i bindnin punonjësit nëpërmjet benefiteve shtesë, kur këta  të fundit kanë vendosur të emigrojnë në një vend tjetër.

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Korrik 2020 - Mbahet mbledhja e dytë e rregullt për vitin 2020 e Kuvendit të Komunës së Prizrenit. (Salla e Kuvendit të Komunës në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Inaugurohen zyrat të reja të Bankës Qendrore të Kosovës në të cilen do të merr pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. (Tek ish-zyrat e Komunës së Prishtinës që gjenden mes objektit të BQK-së dhe parkingut nëntokësor tek Hotel Grandi, ora 10:00)

- Nataliya Apostolova, Udhëheqëse e Zyrës së BE-së në Kosovë do t’i dorëzojë Ministrisë së Shëndetësisë 6,000 komplete testimi për COVID-19, 90 shtretër spitalorë, mbi 67,000 maska të frymëmarrjes dhe pajisje të tjera mjekësore në mbështetje të sistemit shëndetësor. (Live stream në facebook.com/EuropeanUnionInKosovo, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të vizitojë Komunën e Gjilanit ku do te takohet me kryetarin Lutfi Haziri. (Objekti i Komunës së Gjilanit, ora 10:30)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës se Gjilanit, Lutfi Haziri vizitojnë stadiumin e qytetit në Gjilan si dhe vendosin gur-themelin e stadiumit ndihmës. (Gjilan, ora 11:00)
 
- Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Iniciativa për Progres me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it, do të mbajnë konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti i monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik: “E drejta për ujë, peng i prokurimit: Analizë e tenderit maratonik për ujësjellës në Komunën e Dragashit”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, përfaqësuar nga Ambasada Britanike, nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit. (Holli i Kuvendit të Kosovës​, ora 12:00)

- SKOPI Studentor organizon aksion simbolik për të treguar realitetin e krijuar nga emërimet e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. (Para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, ora 12:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në nënshkrimin e Memorandum Bashkëpunimit me Ambasadën Britanike për pozitat e larta drejtuese. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- IKD dhe INPO mbajnë konferencë për medie, në të cilën do publikohet raporti i monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik “E drejta për ujë, peng i prokurimit”. (Hotel “Sirius”, ora 14:30)

- Me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka ftuar të gjithë gazetarët e sportit, në takim me për të diskutuar mbarëvatjen e sportit në vendin tonë si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet sporti dhe gazetarët sportivë. (Kabineti i Ministres së MKRS-së, ora 15:15)