19 Prill 2024

406 zyrtarë të lartë me pozita vendimmarrëse që kanë lidhje me partitë politike.

Prishtinë, 14 dhjetor - Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr, e cila funksionon në kuadër të organizatës ÇOHU!, ka realizuar një hulumtim mbi patronazhin politik në Kosovë.

Patronazhi politik nënkupton përdorimin e aseteve shtetërore dhe pozitës publike për përfitime private dhe partiake, e që përfshin edhe ofrimin e posteve publike për anëtarët dhe militantët e partive politike.

Të dhënat e hulumtuara nga Preportr, tregojnë se patronazhi politik ka shtrirje të gjerë, ka depërtuar në të gjitha institucionet dhe ka prekur të gjitha pozitat e larta publike. Ky hulumtim është vazhdimësi e hulumtimit mbi patronazhin politik të publikuar në vitin 2014, e që pati përfshirë vitet 2010-2014. Në hulumtimin që është realizuar tani, janë përfshirë vitet 2015-2016.

Në kuadër të të gjeturave të këtyre hulumtimeve dëshmohet se vëllimi i punësimeve në institucione publike i individëve me përkatësi partiake është në proporcion të drejtë me fuqinë që partia apo koalicioni qeverisës ka në pushtetin qendror.

Të dhënat e nxjerra nga hulumtimi tregojnë se ardhja e një partie politike në pushtet shpërfaqë menjëherë ndikimin e asaj partie në punësimin e njerëzve në pozita të larta vendimmarrëse.

Hulumtimi i vitit 2014 për patronazhin politik dëshmoi se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) filloi punësimi i njerëzve të kësaj partie në pozita të larta vendimmarrëse.

Kjo dukuri  ridëshmohet në vazhdim e këtij hulumtimi edhe për periudhën 2015- 2016. Konkretisht, me ardhjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në qeveri, është vërejtur menjëherë se të punësuarit në pozita të larta kanë lidhje politike me këtë parti.

Konkretisht, kjo është vërejtur në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në Ministrinë e Financave, në Ministrinë e Kulturës, e sidomos në ndërmarrjet publike dhe agjencitë e pavarura, ku është shtuar dukshëm numri i atyre që janë punësuar, e që kanë lidhje me LDK-në.

Duke përfshirë të dy hulumtimet, të dhënat tregojnë se në periudhën 2010-2016, janë gjithsej 406 zyrtarë të lartë me pozita vendimmarrëse që kanë lidhje me partitë politike.

Vazhdimësia e hulumtimit nga Preportr tregon se vetëm në vitet 2015 dhe 2016 janë 116 zyrtarë të lartë që janë punësuar në këtë periudhë kohore dhe që kanë lidhje me partitë politike.

Nga 116 zyrtarë të lartpërmendur, LDK prinë me 48 zyrtarë, pasuar nga PDK me 42, AAK me 8, AKR me 7, LVV me 5, SKS me 2 dhe NISMA, Lëvizja për Bashkim, KDTP, VAKAT me nga një zyrtar.

Nga numri total prej 116 zyrtarëve që janë evidentuar se janë punësuar në vitet 2015 dhe 2016, rezulton se 61 prej tyre janë të punësuar nëpër ministri. Lidhjet e tyre me partitë politike janë si vijon: 23 kanë lidhje politike me PDK-në, 22 me LDK-në, 7 me AAK-në, 6 me AKR-në, ndërsa nga një zyrtar ka lidhje me NISMA, LVV dhe LB.

Zyrtarët që i përmendëm më lartë që kanë lidhje me partitë politike janë të punësuar në pozita të ndryshme hierarkike nëpër ministri, prej pozitës së drejtorëve (18), sekretarëve të përgjithshëm, kryeshefave e deri të udhëheqësit e departamenteve.

Preportr ka gjetur se vetëm në periudhën 2015-2016 në ndërmarrjet publike janë punësuar 35 zyrtarë të lartë që kanë lidhje me partitë politike. Nga këta 35 zyrtarë, 14 kanë lidhje me LDK, 13 me PDK, 4 me LVV, 2 me SKS, një me AAK dhe një me AKR.

Sipas hulumtimit, për periudhën e lartcekur, 19 zyrtarë të lartë që punojnë në institucione të pavarura kanë lidhje me partitë politike. Nga ta, 12 kanë lidhje me LDK, 5 me PDK, një me VAKAT dhe një me KDPT.

Gjithashtu është publikuar edhe databaza që përmban: emrat e zyrtarëve, pozitat e zyrtarëve, data kur e kanë marrë postin, a janë duke punuar ende në ato pozita dhe lidhja konkrete me partitë politike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)