28 Mars 2024

Zgjedhen 20 fermerët më të mirë të vitit

Prishtinë, 11 dhjetor - Sot në një ceremonie u mbajt manifestimi “Fermerët e vitit 2010” dhe u përzgjodhën 20 fermerët më të dalluar të këtij viti. Ky manifestim organizohet tradicionalisht nga MBPZHR-ja në fundvite, me ç’rast edhe ju ndahen mirënjohje fermerëve më të dalluar.

Ministri i MBPZHR-së Blerand Stavileci, në fjalën e rastit shprehu kënaqësinë që këtë ditë festive po e ndanë me fermerët e vendit, të cilët sipas tij, janë shembulli më i mirë për shumë gjëra, për punën e vyeshme dhe të pandalshme, për devocionin dhe durimin e tyre, për planifikimin e së ardhmes dhe për shumëçka tjetër fisnike.

“Në këtë sens, në funksion të krijimit të kushteve të favorshme për zhvillimin agrorural dhe me qëllim të stimulimit dhe lehtësimit të veprimtarisë së fermerëve dhe që juve t’ju bëhemi krah i punës, ne si Ministri e Bujqësisë gjatë gjithë kësaj periudhe, kemi vënë në dispozicion tërë potencialin institucional, ligjor, financiar dhe administrativ në shërbim të ndryshimeve që shpien në një bujqësi evropiane dhe në një ardhmëri të ndritur për të gjithë ne”, tha ministri Stavileci, duke prezantuar më tej edhe investimet e bëra në lëminë e bujqësisë:

“Ne vetëm gjatë këtij viti, nëpërmjet subvencioneve, granteve, investimeve kapitale dhe shërbimeve profesionale kemi investuar mbi 10 milionë euro dhe nëse kësaj vlere ia shtojmë edhe vlerën prej 5 milionë euro të Bashkimit Evropian, për përmirësimin e përpunimit dhe marketingut të produkteve bujqësore, si dhe rreth 10 milionë euro të investuara edhe nga donatorë të tjerë, atëherë vlera e përgjithshme e investimeve gjatë vitit 2010 kalon shumën prej 25 milionë euro dhe numri i fermerëve përfitues kalon në mbi 12500, gjë që dëshmon më së miri përkushtimin e të gjithë neve për sektorin”.

Mbështetja financiare e ministrisë është e orientuar edhe në krijimin e bizneseve të reja bujqësore dhe modernizmin e atyre ekzistuese, potencoi ministri Stavileci, duke ju dhënë kështu përparësi bizneseve të cilat i zbatojnë inovacionet dhe kjo mbështetje do të vazhdoj edhe më fuqishëm në vitin 2011, tha ai. “Gjatë vitit të ardhshëm do të kemi edhe më shumë investime, si nga buxheti i Republikës së Kosovës, ashtu edhe nga donatorët dhe partnerët tanë, ku vlen të potencohen projekti i Bankës Botërore për bujqësi dhe zhvillim rural në vlerë prej 10 milionë euro, projekti i USAID-it prej 10 milionë dollar, projekti i Komisionit Evropian në vlerë prej 5.2 milionë euro, si dhe shumë projekte të tjera”.

Ndërsa, në rrafshin fiskal, vazhdoi z.Stavileci, Ministria e Bujqësisë së bashku me partnerët institucional dhe të tjerë, do të vazhdojë me krijimin e lehtësirave fiskale për inpute e pajisje bujqësore dhe me ulje të TVSH-së për produkte ushqimore në 9%, duke realizuar kështu edhe një kërkesë tjetër të fermerëve dhe agrobizneseve.

“Ne gjatë këtij viti kemi punuar në katër rrafshe, në rrafshin financiar, fiskal, kreditor dhe të koordinimit të efektshëm me donatorë. Dhe duke punuar në këto rrafshe, si dhe duke u bazuar në planin tonë strategjik, ne tashmë përveç objektivave strategjike, kemi edhe katër synime si rezultat i kërkesave të mbledhura nga gjithë fermerët përgjatë kësaj periudhe. Më e rëndësishmja ndër këto është se bujqësia do të jetë prioritet strategjik kombëtar, e dyta, ne do të fillojmë ndërtimin e depove për grumbullimin dhe ruajtjen e produkteve bujqësore, një problem ky i kahmotshëm që ka prekur sektorin, po ashtu do të fillojmë edhe me shërbimet këshillimore profesionale në secilin qytet të Kosovës, si dhe do të fillojmë me promovimin e produkteve bujqësore, ngase tashmë në agjendën e legjislativit për vitin 2011 e kemi futur edhe ligjin për promovimin e produkteve bujqësore”, përfundoi ministri Stavileci.

Emrat dhe mbiemrat e 20 fermerëve më të dalluar të vitit 2010 janë: Florim Shala, Ahmed Kolloni, Imer Nitaj, Nazmi Blakaj, Fahredin Mazreku, Safete Gacaferri, Jusuf Limanmera, Agron Nimani, Zef Pjetri, Skender Ramadani, Asllan Kosumi, Esat Hamiti, Ardian Bellaja, Arsim Sahiti, Ali Durmishi, Bekim Vokrri, Nebojsha Panajotoviç, Ferim Mahmutaj, Fahri Jonuzi dhe Ismail Vehapi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)