25 Qershor 2018

Verërat kosovare promovohen në panairin “Viroexpo 2018” në Kroaci

Virovitica, 23 shkurt - Bodrumet e verërave kosovare, po i promovojnë prodhimet e tyre në panairin “Viroexpo 2018”, i cili është duke u mbajtur në Virovitica të Kroacisë, ku përveç Kosovës po marrin pjesë edhe shtete tjera nga rajoni e më gjerë.

Pjesëmarrja e këtyre kompanive kosovare në këtë panair, është mundësuar falë mbështetjes së  Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila gjatë tërë kohës është e fokusuar në promovimin e  prodhimeve bujqësore edhe jashtë vendit.

Drejtori i Departamentit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë në MBPZHR, Bekim Hoxha, i cili është edhe udhëheqës i delegacionit kosovar në këtë panair, tha se bashkëpunimi i Kosovës me Kroacinë dhe me shtetet tjera është shumë i nevojshëm, pasi që sipas tij, përvoja e shteteve të zhvilluara në këtë sektor është e rëndësishme për institucionet vendore, në funksion të hapjes së perspektivës së zhvillimit të hovshëm të bujqësisë. 

Panairin e ka vizituar edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, i cili ka ofruar përkrahjen e tij për agrobizneset kosovare.

Ndryshe, në këtë panair, i cili është hapur sot dhe do të mbyllet me 25 shkurt 2018, prodhimet e tyre nga Kosova po i promovojnë bodrumet “Stone Castle”, “Bodrumi i Vjetër”, “Biopak”, “Rahovera” dhe “Muja-Ekovera”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Qershor 2018  - Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi Inject, organizon tryezën me temë 'Si ta parandalojmë dhunën ekonomike?', ku edhe do të prezantohet Iniciativa për Ndryshimin e Ligjit për Familjen, gjegjësisht saktësimi i dispozitave ligjore në lidhje me ndarjen e pasurisë së përbashkët bashkëshortore. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Komuna e Gjilanit dhe organizata “Let’s Do It Kosova' te mbështetur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor organizojn aksion pastrimi në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” në Gjilani. (Para teatrit të Gjilanit, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e diplomimit të kadetëve të Forcës  së Sigurisë së Kosovës. (Kazerma 'Skënderbeu’, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes,  në Ferizaj, ora 11:00)

- Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ministria e Integrimit Evropian organizojn takimin iniciues për nisjen e programimit të programeve kombëtare për Kosovën, IPA 2019 dhe IPA 2020, të financuara nga Bashkimi Evropian. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P-38, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet dhe Financa mban dëgjim publik lidhur me Projektligjin nr.06/L-072 për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:30)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj e viziton Komunën e Klinës ku do te takohet me Kryetarin Komunës, drejtorët dhe asamblistët. (Objekti i Komunës se Klinës, ora 14:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj takohet me familjarë  të dëshmorëve, biznese lokale, persona nga fusha e artit, sportit, muzikës, OJQ, etj, të Komunës së Klinës. (Objekti i Komunës se Klinës, ora 15:00)