26 Maj 2018

Vazhdon dezinsektimi i zonave endemike në Komunën e Malishevës

Prishtinë, 10 maj - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është duke e financuar projektin “Dezinsektimi i hapësirave të ekspozuara për ethe hemoragjike Krime-Kongo në fshatrat e Komunës së Malishevës”, i cili projekt ka për qëllim luftimin e shkaktarit të sëmundjes Krime-Kongo të shkaktuara nga rriqrat kryesisht në Komunën e Malishevës.

Për implementimin e këtij projekti MBPZHR-ja ka siguruar shumën prej 819 mijë eurove për periudhën e cila do të zgjasë 36 muaj dhe do të realizohet nga kompania N.Sh.H. “Zona Park”, e përzgjedhur përmes Divizionit të Prokurimit në MBPZHR, si dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Këtyre ditëve disa media raportuan njëanshëm lidhur me projektin e sipërpërmendur, gjë që ka shkaktuar shqetësim tek banorët e Komunës së Malishevës.

Me këtë rast Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural njofton të gjithë banorët e këtyre zonave ku po realizohet dezinsektimi dhe të gjithë qytetarët se projekti është duke u implementuar me përpikmëri në bazë të termave të parashtruara të referencave, si dhe preparati i cili po përdoret për trajtimin e rriqrave, me emrin tregtar “ZinonEW” është preparat i licencuar sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës me vendim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me standarde ISO, dhe se pajisjet me të cilat po kryhet dezinsektimi i përkasin teknologjisë së fundit.

Gjithashtu, për çdo aktivitet që nga fillimi i këtij projekti, kanë qenë të njoftuar zyrtarët kryesorë komunal të Komunës së Malishevës, ndërsa MBPZHR-ja asnjëherë nuk ka pranuar asnjë lloj ankese nga ta, përkundër hierarkisë së paracaktuar.

Për mbikëqyrjen, monitorimin në implementimin e këtij projekti janë të caktuar persona kompetent, Dr. Lebibe Hashani - epidemiologe, nga MBPZHR-ja në cilësinë e Menaxherit të Kontratës, nga Sekretari i Përgjithshëm i MPBZHR-së është caktuar z. Arsim Memaj, si dhe stafin teknik i cili përbëhet prej 28 personave.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural edhe njëherë sqaron opinionin publik se të gjitha këto deklarata janë shpifje politike për konsum ditor dhe MBPZHR është duke konsideruar ngritje të padisë për të gjithë akterët të cilët hartuan këto deklarata të pabaza të cilat kanë mundur të shkaktojnë frikë dhe panikë tek qytetarët e këtyre zonave.

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Maj 2018

- Komisioni për Rekrutim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës organizon mbajtjen e testit kualifikues për kandidatet të cilët kanë aplikuar për pozitën e gjyqtarit në gjykatat Themelore të Kosovës. (Hapësirat e Akademisë Policore në Vushtrri, ora 9:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, merr pjesë në “Lutjet e Mëngjesit” në kuadër të Takimit të Evropës Juglindore “Love Your Neighbor”, të organizuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. (Hotel Plaza, Tiranë, ora 10:30)

- Instituti ATOMI organizon ceremonin e shpërbilimit të më të mirëve të Garës Ndërkombëtare të Matematikës Kangaro. (Salla e Kuqe të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ora 14:00)