19 Korrik 2019

Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës mirëpret Kosovën

Prishtinë, 25 prill - Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës- IUCN, me rastin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës, ka përgëzuar dhe mirëpritur shtetin  tonë në këtë union ndërkombëtar.

Në komunikatën zyrtare që ata kanë publikuar thuhet që Kosova u bashkua zyrtarisht në Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës- IUCN , duke hyrë në një forum neutral në të cilin qeveritë, OJQ-të, shkencëtarët, bizneset, komunitetet lokale dhe të tjerët formojnë dhe zbatojnë zgjidhjet për sfidat mjedisore së bashku.

"IUCN shpreh mirëseardhjen e saj të ngrohtë për Republikën e Kosovës si shteti anëtar më i ri në Unionin tonë. Ne besojmë se kjo do të na mundësojë të forcojmë më tej praninë dhe punën e IUCN-së në Kosovë, e cila shtrihet në një nga rajonet më të pasura në Evropë në aspektin e biodiversitetit dhe vlerave natyrore."

"Ne shpresojmë që do të angazhohemi së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ekspertët, komunitetet dhe shoqërinë civile në arritjen e qeverisjes më të mirë në menaxhimin e burimeve natyrore ", është shprehur në web faqen e tyre zyrtare  Drejtoresha e Përgjithshme e IUCN, Inger Andersen.

IUCN ka cituar edhe ministrin Matoshi me rastin e anëtarësimit të Kosovës në këtë union ndërkombëtar.

"Ne presim me padurim bashkëpunimin me IUCN, veçanërisht në planifikimin dhe menaxhimin efektiv të zonave të mbrojtura dhe zhvillimin e strategjive të qëndrueshme të ruajtjes që do të përqafonin dhe promovojnë standardet globale në ruajtjen e natyrës", tha Fatmir Matoshi, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës.

IUCN, me këtë rast ka dhënë dhe informata në lidhje me Kosovën, mjedisin e saj, zonat e mbrojtura e biodiversitetin.

“Megjithëse relativisht e vogël në përmasa, Kosova karakterizohet nga biodiversiteti i pasur dhe një shkallë e lartë të endemizmit. Në vitin 2012, Kosova dyfishoi përqindjen e zonave të mbrojtura, nga rreth 4.36 në 11.5% të territorit. Pjesa më e madhe e territorit të zonave të mbrojtura bie në dy parqe të mëdha kombëtare, "Sharri" dhe "Bjeshkët e Nemuna"."

"Ndërkohë që është arritur përparim i dukshëm në drejtim të përcaktimit të zonave të mbrojtura, mjaft punë duhet të bëhet edhe kur bëhet fjalë për inventarin dhe ruajtjen e llojeve të rralla dhe të kërcënuara të florës dhe faunës."

"Për më tepër, Kosova përballet me kërcënime të ngjashme ndaj biodiversitetit si pjesa tjetër e rajonit, duke përfshirë urbanizimin dhe zhvillimin e infrastrukturës, përdorimin e tepruar të burimeve natyrore dhe mungesën e zbatimit të ligjit, mbi të gjitha”, kanë vlerësuar nder të tjerash zyrtarët e këtij unioni.

Vlen të përmendim që Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe Resurseve Natyrore është themeluar më 5 tetor 1948 në qytetin francez të Fontainebleau dhe që nga atëherë është bërë autoritet global për ruajtjen e natyrës dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për ta mbrojtur atë.

IUCN është e vetmja organizatë mjedisore që ka statusin zyrtar si vëzhguese në Kombet e Bashkuara dhe ka 1300 anëtarë nga mbi 170 shtete.

Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në këtë organizatë sjellë përfitime të shumta MMPH-së dhe në përgjithësi shtetit të Kosovës.

Për këtë anëtarësim të Kosovës, Ministri Matoshi ka falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në veçanti Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli për mbështetjen në këtë proces, si dhe grupin punues në kuadër të MMPH-së.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 korrik 2019 - Ekipi i Luftimit të Brigadës së Këmbësorisë së 44-të, Garda Kombëtare e Ushtrisë së New Jersey do të marrë komandën e MNBG-E nga Ekipi i Luftës së Brigadës së 29-të të Mbrojtjes së Këmbësorisë, Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Hawaii ku menjëherë pas ceremonisë do të mbahet një konferencë shtypi. (Camp Bondsteel, ora 9:00)

- Klinika e Kirurgjisë Vaskulare, në bashkëpunim me Katedrën e Kirurgjisë dhe Fakultetin e Mjekësisë mbajnë mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së Prof.dr. Gazmend Shaqiri. (Amfiteatri i Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, ora 9:00)

- Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës do të mbajë dëgjim publik për Projektligjin e Punës. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit të Auditimit të Kompanisë Regjionale 'KRU Prishtina', të Ndërmarrjes Publike ,,Posta e Kosovës", etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion prej 56 studentësh të programit Akademia Verore, nga 28 shtete të ndryshme. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00)

- Grupi i Aktivisteve protestojnë para policisë në Fushë Kosovë për të mos lejuar që përdhunimet e vrasjet të fshihen brenda mureve të Policise dhe Prokurorise që sipas tyre më së paku i mbrojnë. (Marrshimi nis nga lagja Meshari te pazari për të vazhduar drejt stacionit policor në Fushë Kosovë, ora 14:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 15:00)
 
- Matt Taylor, regjisor i “Rick & Morty Exquisite Corpse”, prezanton filmat e animuar në kuadër të Festivalit Ndërkombëtarë të Filmit të Animuar - Anibar. (Kinema “Jusuf Gërvalla” në Pejë, ora 14:00)

- Në kuadër të aktiviteteve "Ditët e Diasporës 2019" në përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në Deçan behët hapja e Panairit Verorë 2019. (Qendra e qytetit të Deçanit, ora 16:00)
 
- Fondacioni Lumbardhi prezanton ekspozitën 'Kino e artistit' Vladimir Miladinović. (Kinema Lumbardhi, ora 19:30)

- Fondacioni Lumbardhi organizon koncertin e këngëtares kroate te pop dhe jazz, Vesna Pisaroviç Quartet: "The Great Yugoslav Songbook". (Kinema Lumbardhi, ora 21:00)