25 Prill 2024

Thellohet bashkëpunimi Kosovë - Bullgari, në bujqësi

Prishtinë, 17 gusht - Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural sot e ka vizituar një delegacion bullgar i përbërë nga agrobiznese dhe zyrtarë të institucioneve të shtetit bullgar, të kryesuar nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Miroslav Naydenov, të cilët së bashku me zyrtarët e MBPZHR-së dhe AVU-së kanë mbajtur edhe një takim bilateral, për të diskutuar rreth mundësive për intensifikimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit.

Ministri Stavileci, duke iu drejtuar të pranishmëve tha se tranzicioni nëpër të cilin po kalon Kosova është me përplot mundësi të reja, të cilat mbështeten edhe në mundësitë që ofrojnë segmentet tona strukturore, ekonomike dhe agrobiznesore.

“Agrobiznesi në rastin tonë mund të bëhet shumë shpejt shtyllë e ekonomisë së vendit dhe duke pasur parasysh që ka shumë për të dëshiruar në përmirësimin e shumë dimensioneve ekonomike ndërmjet vendeve tona, identifikimi dhe shfrytëzimi i përparësive krahasuese është thelbësor ngaqë kapaciteti i agrobizneseve dhe resurseve humane, si dhe optimalizimi i shfrytëzimit të këtyre resurseve, janë elementet themelore për mirëqenien dhe prosperitetin tonë ekonomik”, tha ministri Stavileci.

Në këtë kuadër, ne duhet të bëjmë çmos për stimulimin e agrobizneseve edhe në heqjen e pengesave politike, shtoi ministri Stavileci, prandaj për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin tonë, propozoj që ta fillojmë këtë përafrim edhe në mënyrë konkrete, duke e angazhuar menjëherë stafin tonë në hartimin e ndonjë memorandumi të bashkëpunimit, për t’i gjetur në këtë mënyrë pikat ku ne mund ta intensifikojmë bashkëpunimin menjëherë.

Ndërsa, ministri i MBU-së së Bullgarisë, Miroslav Naydenov, hartimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi e vlerësoi si një bazë të mirë për zhvillim të mëtejshëm.

“Kjo marrëveshje do ta institucionalizoj bashkëpunimin tonë dhe do t’i ofroj edhe garanci e siguri më të madhe zhvillimit të marrëdhënieve tregtare dhe agrobiznesore të dy vendeve tona”.

Ai tha se kjo marrëveshje është mirë të përfshijë jo vetëm bashkëpunimin në fushën e qarkullimit të mallrave, por edhe bashkëpunimin në kontrollin fitosanitar, në fushën e shkencës agrare, në shkëmbimin e ekspertëve, etj.

“Në ditët e ardhshme do kemi mundësinë të diskutojmë për çështje konkrete dhe të bëjmë diçka më konkrete dhe më të realizueshme”, përfundoi ministri Naydenov.

Në kuadër të vizitës zyrtare të delegacionit bullgar është organizuar edhe një forum biznesi i përbashkët, ku kanë marrë pjesë dhjetra agrobiznese të të dy shteteve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)