27 Shtator 2020

Studenti mitrovicas prodhon djathë nga hirra

Mitrovicë, 27 dhjetor - Petrit Idrizi, ka demantuar thënien popullore, të paktën pjesën e dytë të saj se “Tërshëra nuk bëhet bereqet dhe hirra bulmet”. Si student i nivelit master në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore (FTU) në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ai  ka arritur që të prodhoj djathë nga hirra dhe me këtë edhe e ka mbrojtur temën e diplomës me titull “Vlerësimi i teknologjisë së përftimit të djathit-hirrë”.

Idrizi tregon se ideja për këtë i ka lindur gjatë qëndrimit në një universitet në Holandë, në kuadër të programit Erasmus+. “Me një grup studentësh gjatë qëndrimit në Holandë kemi filluar një eksperiment për prodhimin e djathit nga hirra dhe profesorët kanë qenë të mahnitur pas prezantimit të punës sonë”.

Sipas tij, prezantimi është vlerësuar maksimalisht nga profesorët e atjeshëm dhe kjo e ka inkurajuar që ta vazhdoj këtë projekt edhe pasi është kthyer në UMIB. Idrizi potencon se kjo ka qenë diçka e re për natyrën e punës kërkimore që është bërë në FTU, mirëpo ka gjetur mbështetje nga mësimdhënësit dhe në këtë rast nga mentori, prof.dr.Alush Musaj. Përkundër asaj se në laboratorët e FTU-së mungojnë disa pajisje që janë të nevojshme për këtë lloj prodhimi, ai ka dalur me sukses që të kryej hulumtimin e tij dhe të prodhoj djathin nga hirra.

Tregon se kjo ka zgjuar kureshtjen edhe në mesin e studentëve, meqë deri me tani në Kosovë nuk është kryer një eksperiment i tillë. Një fakt i rëndësishëm në aspektin shkencor, është se djathit të prodhuar i janë bërë analizat mikrobiologjike dhe janë dalur brenda parametrave normal. “Si i tillë, ky prodhim është i gatshëm për treg”, thotë ai. Nga informacionet që ka kërkuar ai, ky lloj djathi prodhohet dhe shitet në vendet skandinave, ku 1 kilogram shitet prej 20-30 euro. 

Sipas tij, djathi që prodhohet nga hirra ka ngjyrë të kuqe, nuk ka krip dhe preferohet të përdoret në mëngjes. Sa i përket përbërjes, thotë se, ka karbohidrate, proteina dhe jod. “Është i mirë veçanërisht për ata që merren me fitnes, meqë forcon dhe rrit masën muskulore”. Sa i përket idesë që ky lloj djathi të prodhohet nga industria e qumështit në Kosovë, Idrizi thekson se ende nuk ka ndonjë projekt serioz, meqë duhet një studim i tregut fillimisht. Megjithatë ai tashmë recetën e ka të gatshëm dhe pret interesimin e industrisë në mënyrë që edhe në Kosovë të ketë një prodhim të djathi-hirrë, ashtu sikur në vendet e zhvilluara skandinave.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Shtator 2020

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në aktivitetin “Race for the Cure” të organizuar nga OJQ “Renesansa”, në mbështetje të të mbijetuarve nga kanceri i gjirit, ku të pranishëm do të jenë edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe përfaqësuesit nga misione të huaja në Kosovë. (Sheshin e Dëshmorëve në Prizren, ora 10:00)

- Organizata X40 dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile organizojnë tryezën e diskutimit “Lum Lumi” në të cilën do të diskutohet për dëmtimin e lumenjëve nga hidrocentralet në Kosovë. (Kino Lumbardhi Prizren, ora 11:00)
 
- Për nder të Ditës Botërore të Turizmit, nën organizimin e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik të Komunës së Prizrenit do të bëhet përurimi i projektit “Shenjëzimi i 10 shtigjeve të ecjes”, projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. (Në afërsi të fshatit Mushnikovë, afër Hotel Gold në Prizren, ora 13:00)

- Në ditën e tretë të edicionit të festivalit Lahuta, Okarina Polifionia mbahet kongresi i Lahutareve te trojeve shqiptare. (Ambientet e Qendrës për zhvillimin e kultures tradicionale në Prishtinë, ora 15:00)

- Platformës Bashkë-krijuese organizon ekspediten e gastronimise shqiptare. (Kino Bahçe, te Lumbardhi në Prizren, ora 18:00)