04 Tetor 2022

Serbia ndalon eksportet e grurit, misrit dhe miellit

Beograd, 9 mars - Presidenti  Aleksandër Vuçiç ka njoftuar se që prej ditës së nesërme, Serbia do të ndalojë eksportet e drithërave të bukës si dhe të vajit.

Duke folur për televizionin serb “B92”, Vuçiç u shpreh se ekpostet janë rritur shumë dhe për këtë arsye do të bllokohen, për të përballuar nevojat e brendshme.

Ndër të tjera , ai tha se Qeveria do subvencionojë çmimin e naftës për ta mbajtur atë të stabilizuar.

“Ne do të subvencionojmë që çmimi i euro-naftës në të gjitha pikat e karburantit të Industrisë së Naftës së Serbisë të mbetet së paku 179 dinarë [rreth 1.5 euro] për të paktën një muaj e gjysmë. Për të gjithë të tjerët do të ketë rritje minimale”, tha Vuçiç.

Vuçiç shtoi se Serbia është në pritje të vendimit të Bashkimit Evropian për importin e energjisë nga Rusia. Shtetet e Bashkuara e ndaluan atë të martën, si ndëshkim për Rusinë, e cila ka pushtuar Ukrainën.

“Nëse vendimi është që të ndalohet importi i të gjitha burimeve të energjisë nga Rusia, atëherë edhe ne jemi në telashe. Nuk kemi  ku t’i marrim, nafta dhe gazi nuk mund të bien nga qielli”, tha Vuçiç.

Duke folur për gjendjen e rezervave të mallrave të Serbisë, më 2 mars, Vuçiç ka thënë se Serbia është e përgatitur për së paku dy muajt e ardhshëm.

Kosova, gjatë vitit 2021, ka importuar 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia – nga 115 mijë tonë sa ka importuar në total nga shtete të ndryshme, si: Kroacia, Austria, Maqedonia e Veriut, Hungaria.

Ky vendim i Serbisë shkon në të njëjtën linjë me Rusinë, e cila pas vendosjes së sanksioneve ndaloi eksportet e drithërave. Serbia ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës, por nuk u është bashkuar sanksioneve që BE-ja ka vendosur kundër Moskës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 tetor 2022

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë takohet me delegacionin e administratës së Parlamentit të Republikës së Austrisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 8:30)

- Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë organizon ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet komunave të rajonit, Prishtinës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës dhe Fushë Kosovës dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga analiza e procedurave të prokurimit publik lidhur me shpenzimet publike të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar gjatë periudhës 2020 – 2022. (Restorant Boho, ora 10:00)  

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportn Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Në kuadër të aktiviteteve kulturore artistike brenda institucioneve korrektuese, nesër në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, do të shfaqet Filmi “ Sffaragette”. (Qendra Korrektuese për Femra Lipjan, ora 11:00)

- Me rastin e 4 Tetorit, “Ditës Botërore për Mbrojtjen e Kafshëve”,  Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, OJQ-në Fondacioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve si dhe Fondacioni për mbrojtjen e kafshëve Vier Pfoten Kosova do të shënojmë këtë ditë në Pyllin e Arinjve Prishtina. (Fshati Mramor, afër liqenit të Badovcit, ora 11:00)
 
- Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Rahovec, përgjatë gjithë muajit tetor, si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, çdo ditë pune ofron shërbimin e mamografisë falas për të gjithë. (Rahovec, ora 11:00)

- Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Kosovës Agron Llugaliu dhe Doganës së Shqipërisë Genti Gazheli do të inspektojnë punët në hapësirat e përbashkëta të Portit të Durrësit. (Porti i Durrësit, ora 12:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton në parim i Projektligjit për Sigurinë e përgjithshme të produkteve si dhe formon grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për komunikimet elektronike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)