25 Qershor 2018

Qeveria do t’i ketë në fokus bujqit

Prishtinë, 5 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, vizitoi Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me ç’rast u prit nga ministri Nenad Rikallo dhe stafi i tij, të cilët e njoftuan për planet dhe projektet e kësaj ministrie.

Pas takimit, kryeministri Haradinaj dhe ministri Rikallo, janë prononcuar për mediat e pranishme.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj e ka uruar zëvendëskryeministrin Jevtiq dhe ministrin Rikallo për festën e Krishtlindjeve Ortodokse.

Kryeministri Haradinaj tha se Ministria e Bujqësisë është e rëndësishme për shkak se menaxhon me të gjitha resurset në bujqësi dhe pylltari.

“Kjo ministri ka një buxhet që iu dedikohet bujqve. Prej këtij buxheti, 48 milionë euro u dedikohen subvencioneve dhe granteve. Njëkohësisht janë 8 milionë për infrastrukturë, që nënkupton ujitjen”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se kjo ministri e ka edhe përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë, të donatorëve, si dhe të Komisionit Evropian dhe USAID-it.

Kryeministri Haradinaj falënderoi ministrin Rikallo për angazhimin dhe porositi që të gjitha subvencionet dhe grantet të shpërndahen në mënyrë të drejtë te të gjithë bujqit kosovar.

Duke shprehur përkrahjen e mëtejme për bujqit, për zhvillim të bujqësisë dhe pajisjen me ekspertizë dhe teknologji të re, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës, Ministria e Bujqësisë dhe ministri Rikallo do ta ruajnë fokusimin tek bujqit.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo e njoftoi kryeministrin për aktivitetet e Ministrisë së Bujqësisë dhe për sfidat që është duke u përballur kjo ministri. Ai theksoi faktin se buxheti për bujqësinë këtë vit është rritur, dhe kjo do të mundësojë realizimin e projekteve të mbështetjes për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë.

  

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Qershor 2018  - Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi Inject, organizon tryezën me temë 'Si ta parandalojmë dhunën ekonomike?', ku edhe do të prezantohet Iniciativa për Ndryshimin e Ligjit për Familjen, gjegjësisht saktësimi i dispozitave ligjore në lidhje me ndarjen e pasurisë së përbashkët bashkëshortore. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Komuna e Gjilanit dhe organizata “Let’s Do It Kosova' te mbështetur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor organizojn aksion pastrimi në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” në Gjilani. (Para teatrit të Gjilanit, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e diplomimit të kadetëve të Forcës  së Sigurisë së Kosovës. (Kazerma 'Skënderbeu’, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes,  në Ferizaj, ora 11:00)

- Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ministria e Integrimit Evropian organizojn takimin iniciues për nisjen e programimit të programeve kombëtare për Kosovën, IPA 2019 dhe IPA 2020, të financuara nga Bashkimi Evropian. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P-38, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet dhe Financa mban dëgjim publik lidhur me Projektligjin nr.06/L-072 për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:30)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj e viziton Komunën e Klinës ku do te takohet me Kryetarin Komunës, drejtorët dhe asamblistët. (Objekti i Komunës se Klinës, ora 14:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj takohet me familjarë  të dëshmorëve, biznese lokale, persona nga fusha e artit, sportit, muzikës, OJQ, etj, të Komunës së Klinës. (Objekti i Komunës se Klinës, ora 15:00)