03 Mars 2021

Prezantohet masterplani 600 milionësh për ujitjen e tokave bujqësore

Prishtinë, 19 janar - Sot, në një konferencë të mbajtur online, Projekti për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (ARDP) i financuar nga Banka Botërore dhe i zbatuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, prezantuan strategjinë kombëtare për ripërtëritjen e sistemit të ujitjes në të gjithë vendin tonë – një projekt kapital që kap vlerën prej 600 milion eurove, dhe i cili synon të implementohet në 12 vitet e ardhshme.

Në ngjarjen inaguruese të Master Planit për ujitjen e tokave bujqësore të Kosovës u prezantuan të gjeturat kryesore,  si dhe disa nga analizat dhe vlerësimet e detajuara të potencialit të resurseve ujore dhe tokës bujqësore që ka vendi ynë për tu përdorur në sektorin e bujqësisë.

Pjesëmarrës dhe folës në këtë ngjarje ishin Ministri i MPBZHR në detyrë, Besian Mustafa, Drejtori i Bankës Botërore për Republikën e Kosovës dhe Maqedoninë e Veriut, Massimilano Paolucci, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Tomash Sunjog (Tomáš Szunyog), Eksperti Ndërkombëtar i Irrigacionit, Jullien Lecollinet dhe disa fermerë kosovarë të cilët parashtruan pyetje për të pranishmit.

Në këtë ngjarje inaguruese u tha se Master Plani  jep pasqyrën reale se sa ujë kemi, dhe sa tokë bujqësore mund të ujisim nëse e përdorim kapacitetin e plotë të ujit për ujitje. Gjithashtu Master Plani pasqyron projektet prioritare ku do të duhet të punohet, duke përfshirë këtu investimet e reja dhe ato të rehabilitimit të skemave ekzistuese të ujitjes.

“Në Republikën e Kosovës ujiten 20 mijë hektar tokë bujqësore, nga të cilat 12 mijë hektarë bëjnë pjesë në sistemin formal të ujitjes, kurse pjesa tjetër në atë jo formal. Qeveria e ka caktuar si prioritet modernizimin e sektorit të bujqësisë, por nuk mund të ketë një sektor të mirëfilltë dhe të dobishëm të bujqësisë, pa e siguruar ujitjen, si masë agroteknike.''

''Me zbatimin e këtij Master Plani, shumë shpejtë do të dyfishohen tokat bujqësore nën sistem të ujitjes.  Kurse në plan afatmesëm, parashihet katërfishi i sipërfaqeve nën ujitje.” ka deklaruar Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

"Zbatimi i Master Planit të ujitjes së tokave bujqësore, do ta transformoj bujqësinë e Republikës së Kosovës, do të krijojë nevojë për vende të reja të punës për qytetarët tonë, do t'i përmbushë nevojat e bujkut kosovar dhe do të ndikojë pozitivisht në ekonominë tonë" tha Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa.

"Që prodhimi i ushqimit të jetë një burim efektiv i jetesës për njerëzit, i gjithë sektori i bujqësisë nga mënyra se si është i organizuar duhet të ketë një vështrim të dytë më të thellë për të parë se çfarë duhet bërë për të përmirësuar performancën e tij. Dhe Master Plani është një pjesë thelbësore e kësaj” tha Shefi i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Tomash Sunjog, (Tomáš Szunyog), tha se për të marrë pjesë në Master Plan, zyra e BE në kuadër të IPA 2020 ka përgatitur një plan mbështetës në vlerë prej 10 milion EUR.

"Qëllimi i këtij veprimi është të mbështesë sektorin e ujitjes dhe ta kthejë atë në një sektor të qëndrueshëm në aspektin ekonomik, mjedisor dhe financiar, përmes investimeve dhe masave të asistencës teknike që do të rrisin efikasitetin e përdorimit të ujit dhe do të rrisin produktivitetin bujqësor", tha Szunyog.

Me implementimin e Master Planit synohet që 90 për qind e tokave bujqësore të vendit tonë të bëhen pjesë e sistemit formal të ujitjes për nevojat e fermerëve kosovarë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Mars 2021 - Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë inauguron projektin “Fuqizimi i autonomisë universitare dhe rritja e llogaridhënies e transparencës së universiteteve të Ballkanit Perëndimor”. (Selia e Kolegjit IBCM, ora 9:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Enis Ramadani për vepren penale 'Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Avokati i Popullit, Naim Qelaj viziton ekspozitën për fëmijët e vrarë gjatë luftës “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”. (Biblioteka “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, lagjja Dardania, ora 10:00)

- Parlamenti i dytë rural shqiptar organizon konferencë për të diskutuar sfidat dhe veprimet konkrete për mirëqenien e banorëve të zonave rurale. (Platforma Zoom, ora 10:00)

- Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Gjilan, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, mban konferencë për media pas takimit të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19. (Zyra e krytarit Haziri, ora 10:30)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e shpërndarjes së librave të botuar dhe të blerë me financimin e Departamentit të Kulturës në MKRS. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 11:00)