29 Mars 2024

Përgatiten rekomandimet për profilin gjinor të Kosovës në bujqësi

Prishtinë, 13 shtator - Profili Gjinor i Kosovës “Bujqësia dhe Jetesa Rurale”, i përgatitur nga Rrjeti i Grave të Kosovës me mbështetjen financiare të FAO-s, vë në pah pabarazitë gjinore që ndikojnë në aspekte të ndryshme të prodhimit bujqësor dhe jetesës rurale.

Vlerësimi thekson se gratë rurale shpenzojnë 83 për qind të kohës së tyre duke punuar në punë të paguar ose të papaguar, ndërsa burrat ruralë shpenzojnë vetëm 66 për qind të kohës.

Gratë rurale shpenzojnë dy herë më shumë kohë se burrat me gatimin, pastrimin dhe kujdesin për fëmijët dhe të moshuarit.

Për shkak të përgjegjësive  shtëpiake, të cilat i atribuohen shoqërisht grave, ato kanë kohë më të kufizuar për punë të paguar, aktivitete bujqësore, arsimim, trajnim dhe angazhim në proceset lokale të vendimmarrjes.

Rrjedhimisht, burrat përfaqësojnë familjet e tyre në proceset vendimmarrëse jashtë familjes.

Sipas studimit gratë zotërojnë vetëm 17 për qind të pronës në Kosovë, gjë që kufizon qasjen e tyre në tokë, grante, subvencione dhe kredi. Më pak se 0.3 për qind e të gjitha ekonomive bujqësore janë të regjistruara si biznese.

Nga të gjitha fermat, gratë zotërojnë vetëm 4.9 për qind dhe përbëjnë 5.8 për qind të fermerëve të regjistruar.

Të dhënat e këtij studimi janë prezantuar në një punëtori konsultative me palët e interesit.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi tha se duke qenë e vetëdijshme se kushtet e jetesës në zonat rurale janë më të vështira, Qeveria ka vendosur të rrisë buxhetin për programet të cilat ndihmojnë dhe zhvillojnë bujqësinë dhe përmirësojnë cilësinë e jetës në zonat rurale, me fokus te gratë dhe të rinjtë.

Ai poashtu bëri të ditur se në Strategjinë dhe Programin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural 2022-2028, është bërë një përmirësim me masa afirmative për përkrahje të grave.

“MBPZHR është duke punuar edhe në ligjin për Faturat Bujqësore dhe të Magazinave, ku fermerëve ju mundësohet qasje më e lehtë në financa, e këtu sidomos për gratë mund të krijohet qasje më e lehtë, duke e ditur se ato kanë më shumë probleme në qasje në financa”, theksoi zvministri Demelezi.

Sipas Anna Jenderedijian, specialiste për mbrojtjen gjinore dhe sociale në FAO, qëllimi kryesor i analizës së bërë është identifikimi i boshllëqeve kryesore gjinore, si dhe për të identifikuar mbështetjen e mundshme teknike të FAO-s në të ardhmën për sektorin.

Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit nga Rrjeti i Grave të Kosovës tha se Profili Gjinor i Kosovës “Bujqësia dhe Jetesa Rurale” propozon rekomandime të bazuara në prova për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimit ekonomik të grave në bujqësi dhe zhvillim rural, duke përfshirë strategji digjitale gjithëpërfshirëse.

“Rekomandimet synojnë të informojnë disa strategji dhe programe që po hartohen në Kosovë, për të siguruar që ato të jenë të informuara nga analiza gjinore. Ne si RrGK shpresojmë që rekomandimet tona të merren parasysh dhe të adresohen nga institucionet përkatëse”, tha Farnsworth, duke shprehur gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me MBPZHR dhe institucionet tjera për zbatimin e rekomandimeve dhe për një shoqëri më të barabaratë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)