19 Mars 2019

Pastrohet një nga deponitë më të mëdha në Gjakovë

Gjakovë, 27 tetor - Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot është pastruar një nga deponitë më të mëdha ilegale në Komunën e Gjakovës në lagjen “Carrapatok”, nga ku u larguan dhjetëra thasë me mbeturina dhe rreth 20 kamionë mbetje interte.

Aksionit të sotëm iu bashkuan mbi 150 vullnetarë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, deputetë, zyrtarë qeveritarë e komunalë, si dhe vullnetarë nga Organizata IFK.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se duhet angazhim maksimal që të largohet bërlloku që është hedhur qe 20 vite dhe të mos hidhet më.

Ai tha se Kosova po mburret me tema të tjera, siç është ushtria e liberalizimi i vizave, derisa në anën tjetër ende nuk është arritur vetëdijesimi i qytetarëve për ruajtjen e mjedisit të pastër.

Tutje, ai u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë ndotësit e mjedisit, derisa paralajmëroi ndëshkime për ta.

“Ka veç një kohë që “Ta Pastrojmë Kosovën” i ka shpallur luftë bërllokut. Më vjen mirë që sot jemi në Gjakovë, në një vend që veçse ka vlerësim pozitiv në angazhimin për ambientin. Falënderoj të gjithë ata që sot po angazhohen për pastrim, duke filluar nga vullnetarët e deputetët, si dhe kryetari i Komunës."

"Dëshiroj të them dy fjalë: Kam qenë në Mal të Zi më ka lënë përshtypje gjithkund nuk e kam pa asnjë letër edhe ne duam të hyjmë në garë me fqinjët për një Kosovë të pastër. Duam të pastrojmë këtë që e kemi hedh qe 20 vjet edhe e dyta nuk do ta hedhim më. Qytetarët duhet ta dinë se do të ketë ndëshkim për ata që hedhin bërllok. Kemi hyrë në periudhën më kritike për një Kosovë të pastër, por edhe me mbajt të pastër."

"Do të kërkojmë angazhim nga policia, inspektorët e të gjithë për ruajtjen e mjedisit. Kërkojmë edhe nga qytetarët që të denoncojnë hedhjen e bërllokut. Ndëshkimet dhe dënimet kanë me qenë reale nuk ka me u lejuar me vazhduar se kemi ardhur deri këtu. Tash ne po mburremi me do tema të tjera, mburremi se po bëjmë ushtri, mburremi se po hyjmë në Interpol, e lypim liberalizimin e vizave a në fakt shikoni si e hedhim bërllokun”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i “Ta Pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj bëri të ditur se në kuadër të Fushatës, deri më sot janë pastruar 322 deponi ilegale, nga ku janë larguar mbi 7 mijë ton mbeturina.

Ai bëri të ditur se aksioneve që u realizuan në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” deri më sot iu bashkuan mbi 150 mijë vullnetarë, ndërsa ato do të vazhdojnë deri më 15 dhjetor. 

 “Deri më sot janë larguar 322 deponi ilegale të mbeturinave në Kosovë. Janë mbi 150 mijë qytetarë, vullnetarë që kanë marrë pjesë në aksionet për pastrimin e Kosovës. Pra, i bie që gjysma e deponive të mëdha në Kosovë tashmë janë larguar dhe me këtë dinamikë po vazhdojmë çdo ditë, në të gjitha komunat."

"Dua ta falënderoj kryetarin e Komunës së Gjakovës për angazhimin model që ka bërë deri më sot në komunë, ku ka pasur çdo ditë thuajse aksione. Mendoj se si komunë duhet të merret model nga komunat tjera që të vazhdojnë kështu dhe ta ruajmë Kosovën e pastër."

"Ashtu siç tha edhe kryeministri, prona publike duhet të trajtohet si pronë e përbashkët e të gjithëve, më së shumti prej neve qytetarëve. Sot jemi në mes të një lagjeje, që nuk po duket e varfër. Nuk e dimë pse e kanë shndërruar këtë hapësirë në deponi mbeturinash. Uroj që mos kthehemi më këtu për të larguar bërllok, por për ndonjë aktivitet të përbashkët që na hynë në punë të gjithëve”, ka thënë Hasanaj.

Aksioni i sotëm për largimin e mbeturinave nga deponia në lagjen “Carrapatok” u ndihmua edhe nga Kompania “Qabrati” dhe shpk “Mulaj”, të cilat larguan bërllokun me makineritë e tyre.

“Ta Pastrojmë Kosovën” ju njofton aksioni i nisur sot në këtë lokacion, do të vazhdojë edhe nesër nga kompanitë me makineri, deri në largimin e të gjitha mbetjeve.

Po ashtu, ju bëjmë të ditur se aktivitetet në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” po vazhdojnë çdo ditë, në të gjitha komunat e Kosovës për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 mars 2019 - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, do të organizojë konferencë informuese për lansimin e “Programi për Grantet e Përputhshme”, që është i financuar nga Banka Botërore. (Hotel Emerald, ora 8:30)

- Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri raporton para komisionit për Integrime Evropiane për zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit dhe Agjendës për Reforma Evropiane. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë prezanton Programin për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së NVM-ve  bashkëfinancuar nga BE-ja dhe BERZH-i.  (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të diskutohet rreth organizimit të një konference rajonale me Kryetarët e Komisioneve homologe dhe Kryetarët e Gjykatave të Auditimit të Shteteve të rajonit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 225, ora 10:00) 

- Jahjaga Foundation organizojnë tryezën e rrumbullakët me temë “Roli i medias në përmirësimin dhe raportimin e drejtë për gratë në qeverisje”. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi do të vizitojë Federatën e Basketbollit të Kosovës me ç’rast do të nënshkruhet edhe një memorandum bashkëpunimi. (Federata e Basketbollit, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal Publike në të cilën do të diskutohet lidhur me shqetësimet e bizneseve për furnizimin me energji elektrike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 11:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Frankofonisë, dhe në kuadër të javëve të Frankofonisë në Kosovë, Ambasada e Francës feston ditën ndërkombëtare të frankofonis. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të diskutohet informata e drejtorti të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, lidhur me gripin sezonal në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet dhe Financa voton raportin vjetor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2018, voton për Projektligjin për Qasje në Dokumente Publike dhe amendamentet e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:00) 

- Nën kryesimin e kryetarit Mustafa, mbahet mbledhja e kryesisë me kryetarët e degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. (Hotel Sirius, ora 14:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës, me iniciativën e Forumit për Transparencë Parlamentare, vazhdon aktivitetin "Ditët e Kuvendit" në Skenderaj. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në Skenderaj, ora 14:00)

 - Kryeparlamentari Kadri Veseli, i shoqëruar nga Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, do të vizitojnë Agjencinë Kundër Korrupsionit, ku do të takohet me Drejtorin e kësaj Agjencie, Shaip Havolli. (Agjencia Kundër Korrupsionit, Rr. "Nazim Gafurri" Nr. 31, ora 14:00)

- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, u drejtohet gazetarëve në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë. (Hotel Sirius, ora 16:00)

- Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë mban ligjëratën publike “Sot, 20 vite më parë: Rasti ‘Te Pishat’ në Skënderaj”. (Qendra e Dokumentimit Kosovë në bibliotekën Hivzi Sulejmani, ora 16:30)