25 Prill 2024

Nis festa e vjeljes së rrushit

Rahovec, 7 shtator - Nën patronatin e komunës së Rahovecit dhe Ministrisë së Bujqësisë, sot në qytetin e Rahovecit ka filluar Festivali i Rrushit, Verës dhe Kulturës.

Ky eveniment organizohet tradicionalisht në kohën kur fillon vjelja e rrushit dhe përgjatë këtyre ditëve do të organizohen edhe aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me kultivimin e hardhisë së rrushit, me përgatitjen e verës, me promovimin e vlerave në sferën e prodhimtarisë ushqimore, si dhe me promovimin e vlerave kulturore të kësaj komune.

Organizimi i ngjarjeve të tilla mundëson që fermerët dhe vreshtarët tanë, së bashku me shoqatat e tyre dhe me ekspertë të ndryshëm të kësaj fushe, të promovojnë të arriturat e sektorit në prodhimtarinë e rrushit dhe verës, si dhe t’i shkëmbejnë përvojat e tyre, për zhvillimin dhe avancimin e sektorit, thanë zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë.

Avdullah Isufi, këshilltar i ministrit Stavileci, tha se Ministria e Bujqësisë është e angazhuar në përmirësimin e gjendjes së nënsektorit të vreshtave dhe verërave.

 “Përkundër problemeve me të cilat jemi duke u ballafaquar së bashku, Ministria e Bujqësisë, me angazhimin e saj e ka dëshmuar në mënyrë të vendosur gatishmërinë për t’ju mbështetur në punën dhe problemet tuaja, të cilat normalisht janë edhe problemet tona, që së bashku ta përmirësojmë gjendjen në këtë nënsektor dhe prodhimtarinë tonë ta bëjmë me konkurruese me shtetet e rajonit”, tha Isufi, duke shtuar se ky nënsektor mbështetet prej vitit 2008 nga Ministria e Bujqësisë dhe shuma e deritanishme që është investuar arrinë në mbi 2.5 milionë euro.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se komuna e Rahovecit ka potencial të mjaftueshëm për zhvillimin e ekonomisë bujqësore, sepse vetëm vreshta që prodhojnë aktualisht janë 2179 hektarë.

“Me gjithë problemet ekzistuese, vreshtarët e Rahovecit përveç 2179 hektarëve me rrush, ende po ngrisin sipërfaqe të reja me hardhi dhe kjo qëndron në traditën dhe respektin që këta njerëz kanë për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Pritet që edhe rreth 100 hektarë të tjerë të fillojnë të japin rrush, pasi që janë mbjellë rishtas me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, tha ai.

Ne kemi hyrë në një fazë të rëndësishme të turizmit të verërave dhe turizmit kulturor, shtoi kryetari Latifi, prandaj edhe ky festival tregon përkushtimin tonë.

“Ne këtë e kemi identitet dhe zhvillimin do ta mbështesim në resurset ekzistuese njerëzore. Jemi të bindur se me mbështetjen e duhur të organeve të shtetit dhe me ndihmën e donatorëve tanë, do të arrijmë shumë shpejt të futemi në rrjedhat normale të zhvillimit. Kjo do të mundësojë që numri i madh i të papunëve të zvogëlohet, duke bërë që varfëria të ulet në minimum”, përfundoi ai.

Në vitet 2009, 2010 dhe 2011, Ministria e Bujqësisë nëpërmjet granteve investive ka mbështetur ngritjen e 213 hektarëve me vreshta të reja, me ç’rast kanë përfituar mbi 300 fermerë. Ndërsa, vitin e kaluar vjeljet e rrushit janë subvencionuar edhe me 1.450.000 euro, me ç’rast kanë përfituar gjithsej rreth 2700 vreshtarë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)