19 Janar 2018

Nenad Rikalo pranoi detyrën e ministrit të Bujqësisë

Prishtinë, 12 shtator - Ministri i ri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, sot pranoi detyrën e re nga ministri i deritashëm Kurtan Kajtazi.

Me këtë rast, ish ministri Kajtazi, e ka njoftuar për së afërmi ministrin e ri me punën e bërë deri më tani.

Ndërkaq, ministri Nenad Rikalo, theksoi se bujqësia do të mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës.

Ai vuri në dukje se do të vazhdojë mbështetjen për këtë sektor, si dhe angazhimin në fusha të tjera që lidhen me krijimin e mundësive më të mëdha, që sipas tij do të japin një impuls të ri në zhvillimin e bujqësisë.

Ai tregoi se investimet do të vazhdojnë edhe në futjen e teknologjive të reja në bujqësi, në prodhimin e ushqimit të shëndetshëm të certifikuar dhe theksoi se eksporti i produkteve bujqësore do të jetë në qendër të punës së mandatit të tij.

Po ashtu, ai tha se do të vazhdojnë të mbështesin dhe investojnë në prodhimin tradicional të kulturave bujqësore në Kosovë, si dhe në ngritjen e imazhit të të gjithë sektorit.

 Sipas tij, fshati nuk do të jetë më periferi e ngjarjeve shoqërore, por një ngasës i zhvillimit ekonomik të të gjithë shoqërisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Janar 2018

- Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi takohet me Koalicionin e OJQ-së për Integritet dhe Transparencë në Universitet. (Ndërtesa e Kuvendit, salla S-II, ora 10:00)

- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka do të mbajë konferencë për media, me ç’rast do të publikohen kontratat komerciale të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës dhe investitori ContourGlobal për projektin e TC Kosova e Re. (Mjediset e MZHE-së, ora 10:00)

- Mbahet mbledhje e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të inicohet procedura për Auditimin e raporteve financiare të Subjekteve Politike, për vitin 2017, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  sallën N 303, ora 10:00)

- Mbahet seanca e Kuvendit të Komunës së Gjilanit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor në të cilën do të shqyrtohet raporti për gjendjen e mjedisit, i ftuar kryeshefi i Agjencisë për mbrojtjen e mjedisit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:30

- Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri,  do të vizitojë Burgun e Hapur në Smrekonicë. (Fshati Smrekonicë, magjistrala Prishtinë - Mitrovicë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për Tatimin në Pronën e Paluejtshme, me raport amandamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Finanaca. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, do të takoj zëvendësministrin e Diasporës, Xhavit Zariqi. (Zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit, ora 13:00)

 

- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në Komunën e Junikut. (Ndërtesa e Komunës, ora 13:30)

- Nën organizimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, organizohet tryezë shkencore kushtuar figurës së Skënderbeut në 500-vjetorin e vdekjes, në të cilën pos kryetarit Lutfi Haziri, do të marrin pjesë edhe historianë e njohës së figurës së heroit. (Shkolla “Don Bosko”, në Gjilan, ora 14:00)

 

- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në Komunën e Deçanit. (Ndërtesa e Komunës, ora 15:00)