19 Prill 2024

Ndotja e ajrit dhe ndotja e tokës në Kosovë duhet të adresohen urgjentisht

Prishtinë, 26 nëntor - Adresimi i ndotjes së ajrit dhe i kontaminimit të tokës në Kosovë është një sfidë mjedisore që duhet adresuar urgjentisht, sipas dy raporteve mjedisore të Bankës Botërore për Kosovën të prezantuara sot.

Të dy raportet, Menaxhimi i Cilësisë së Ajrit në Kosovë dhe Shërimi i Tokës për të Ardhmen e Kosovës, të përgatitura gjatë vitit 2018-2019, u prezantuan para përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, të shoqërisë civile, të sektorit privat dhe partnerëve donatorë me qëllim të kuptimit më të mirë të natyrës dhe shkallës së problemit dhe për dhënie të rekomandimeve për zgjidhje.

“Adresimi i ndotjes së ajrit dhe tokës në Kosovë është një sfidë mjedisore dhe e shëndetit publik që duhet adresuar urgjentisht dhe është lartë në agjendën e Bankës Botërore, si dhe të shumë partnerëve tjerë që punojnë në Kosovë”, tha Karin Kemper, Drejtoresha globale për Mjedis, resurse natyrore dhe ekonomi të kaltër në Grupin e Bankës Botërore.

“Mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë përkrahjen e veprimeve për ta reduktuar ndotjen e ajrit dhe tokës dhe të krijojmë sisteme të besueshme të Menaxhimit të Cilësisë së Ajrit dhe Menaxhimit të Kontaminimit të Tokës në Kosovë përmes shërbimeve këshilluese, asistencës teknike dhe mobilizimit të financave për investime”, shtoi ajo.

Ndotja e ajrit është një problem serioz shëndetësor global. Llogaritet se shkakton rreth 4.2 milion vdekje të parakohshme në botë.

Ekspozimi ndaj grimcave të imta (PM2.5) është veçanërisht i rrezikshëm për shëndetin e njeriut sepse këto grimca e gjejnë rrugën dhe futen thellë në mushkëri dhe në rrjedhën e gjakut, duke rezultuar në efekte të rënda shëndetësore.

Vdekjet e parakohshme dhe sëmundjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit rezultojnë në rritje të shpenzimeve për shëndetësi dhe humbje të produktivitetit të punës.

Për shumicën e zonave në Kosovë nivelet e përllogaritura të koncentrimeve të PM2.5 janë dukshëm mbi vlerën udhëzuese të OBSH-së, ku viset urbane e tejkalojnë këtë vlerë një deri në katër herë.

Rreth 760 persona përballen me vdekje të parakohshme çdo vit nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit të ambientit.

Rreth 90% e tyre vdesin nga sëmundja ishemike e zemrës dhe sulmi në zemër. Në Kosovë, si në Ballkanin Perëndimor, sektori rezidencial është burimi më i madh i ekspozimit ndaj emetimeve të dëmshme PM2.5. Emetimet në lidhje me transportin paraqesin një burim të madh të ndotjes së ajrit, veçanërisht në viset urbane.

Përveç ndotjes së ajrit, kontaminimi i tokës mund të shkaktojë kontaminim serioz mjedisor, kontaminim të lumenjve nga shkarkimi i aciditetit të lartë nga minierat dhe metalet e rënda dhe probleme serioze shëndetësore.

Lokacionet e kontaminuara në Kosovë janë kryesisht të pa menaxhuara, megjithatë Kosova e ka realizuar një inventarizim fillestar të asaj që i konsideron lokacione posaçërisht të rëndësishme (të quajtura “pika të nxehta”).

 Numri i lokacioneve të kontaminuara në Kosovë që kërkojnë sanim llogaritet të jetë rreth 200. Kostoja totale e veprimeve në lokacion për ta menaxhuar tërë kontaminimin e mbetur të tokës në Kosovë përllogaritet të jetë 345 miliona € gjatë 20 viteve.

Shkalla e sfidës për menaxhimin e lokacioneve të kontaminuara në Kosovë është e madhe, duke i marrë parasysh resurset në dispozicion, prandaj kërkohet një formë e prioritizimit.

Ndërsa sfida është domethënëse, Kosova mund ta përdorë një qasje me faza për ta zvogëluar me sukses numrin dhe ndikimet e lokacioneve të kontaminuara për të mirën e popullit dhe të ekonomisë së saj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)