25 Prill 2024

Moszbatimin e Ligjit për tokën bujqësore shkaktare komunat

Prishtinë, 14 shtator - Dëgjimi publik është mundësi e veçantë për përfaqësuesit e institucioneve përkatëse, ekspertëve, dhe grupet e interesit që të njoftohen se sa është duke u zbatuar ligji dhe të ofrojnë vërejtjet e rekomandimet për implementimin sa më të mirë të tij.

Kështu tha kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, në hapje të diskutimit gjatë dëgjimit publik lidhur me monitorimin dhe zbatimin e Ligjit për tokën bujqësore.

Pjesëmarrës në këtë debat ishin përfaqësuesit e komunave nga: Peja, Vitia, Rahoveci, Klina, Gjakova, Vushtrria, Lipjani dhe Istogu, përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe përfaqësuesi i Entit të Statistikave të Kosovës.

Nijazi Kryeziu, kryesues i grupit punues për monitorimin e këtij Projektligji fillimisht njoftoi se Komisioni ka për obligim monitorimin e ligjeve, dhe shtoi se duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të Ligjit për tokën bujqësore, Komisioni ka vendosur ta monitorojë atë.

Ai në vijim tha se Komisioni ka vizituar disa nga komunat dhe ka realizuar takime me të gjithë faktorët relevant që ndikojnë në zbatimin e ligjit.

Kryeziu njoftoi se grupi punues për monitorimin e këtij Projektligji ka konstatuar se ndër shkaqet kryesore për moszbatimin e ligjit është mungesa e Planit zhvillimor të komunave.

Edhe përfaqësuesi i ministrisë, Shefki Zeqiri, shprehu bindjen e tij se komunat duhet të jenë më të angazhuara dhe këmbëngulëse në zbatimin e ligjit.

Ministria, vazhdoi Zeqiri, ka nxjerrë të gjitha aktet nënligjore lidhur me ligjin. Ai më tej sqaroi se për tjetërsimin e tokës bujqësore vendos Kuvendi Komunal.

“Ne mund të japim pëlqimin, por vendimin e merr Kuvendi Komunal”, sqaroi Zeqiri.

Përfaqësuesit e komunave nga ana e tyre, ndërkaq, ndër shkaqet kryesore për moszbatimin e ligjit ngritën presionin që u bëhet nga komuniteti i biznesit për ridestinimin e tokës bujqësore në tokë industriale.

Ata, po ashtu thanë se mungesa e statistikave për bujqësinë, paraqet problem për të saktësuar sipërfaqen e tokës bujqësore dhe djerrinat. Lidhur me këtë, përfaqësuesi i Entit të Statistikave të Kosovës, Bajrush Shabani, njoftoi se që nga viti 1960 në Kosovë nuk është bërë regjistrimi i bujqësisë, por, Enti i Statistikave së shpejti do të publikojë rezultatet e hulumtimeve lidhur me këtë fushë.

Në fund të debatit, anëtarët e Komisionit thanë se duke u bazuar në diskutimet e sotme do të formulojnë një raport gjithëpërfshirës lidhur me implementimin e Ligjit për tokën bujqësore të cilin do t’ia paraqesin Kuvendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)