19 Janar 2022

Ministri Peci e njoftoi Sekretarin për Bujqësi të Iowas për fuqinë punëtore në Kosovë

Prishtinë, 1 dhjetor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci gjatë një takimi virtual me Sekretarin për Bujqësi të Iowas, Mike Naig kanë diskutuar për hapat që do të ndërmarrin për të konkretizuar bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, bazuar kjo edhe në Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar gjatë këtij viti mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Universitetit të Iowas të Shkencës dhe Teknologjisë.

Ministri Faton Peci gjatë këtij takimi prezantoi hapat e ndërmarrë për avancimin e sektorit të bujqësisë gjatë këtyre muajve, si dhe e njoftoi Sekretarin Naig për mundësitë që i ofron sektori i bujqësisë për investime, me fokus të veçantë në kultivimin e drithërave, industrinë e prodhimit dhe përpunimit të mishit dhe nën-produkteve të tij, industrinë e qumështit dhe nën-produkteve të tij si dhe për kultivimin e frutave dhe perimeve.

Duke theksuar potencialin që ka Kosova për zhvillimin e bujqësisë, Ministri Peci e njoftoi Sekretarin Naig edhe për fuqinë e re punëtore në Kosovë, si dhe përfshirjen e të rinjve në veprimtaritë bujqësore.

Po ashtu, theksoi se rol në zhvillimin e sektorit të bujqësisë viteve të fundit kanë dhënë edhe gratë fermere, të cilat janë shndërruar në histori suksesi, duke potencuar këtu Kooperativën e Grave të Krushës.

Po ashtu, të dy u dakorduan për rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave dhe ekspertizës e në veçanti Ministri Peci theksoi se Iowa mbetet ndër shembujt kryesorë për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë, duke pasur parasysh që Iowa është ndër shtetet më të zhvilluara për nga sektori i bujqësisë, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në botë.

Sekretari Mike Naig shprehu falënderimet e tij për takimin e frytshëm dhe e pranoi me kënaqësi ftesën e Ministrit Faton Peci për ta vizituar Kosovën në të ardhmen.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 janar 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore, shqyrton raportin e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media në të cilën do të prezantohet analiza me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft raportin e monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. . (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike inicon procedurat lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)
 
- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- The British School of Kosova organizon shfaqjen edukativo - arsimore për fëmije  "Mushkonjat dhe Princi". (Teatri "Faruk Begolli" në Kolegjin AAB, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës mban ceremoninë e themelimit të 22 vjetorit të saj në të cilën do të marrin pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtues nga odata ekonomike, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga organizatat e kontabilitetit. (Qendra e Shërbimit për Tatimpagues, ish-ndërtesa e Gërmisë, sheshi Skënderbeu, ora 14:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' hapet ekspozitë memoaresh e kujtimesh "Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit". (Muzeu Etnologjik i qyteti të Gjilanit, ora 16:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj tubim me qytetarë ku do të shpaloset Manifesti - dokumenti i parë i partisë. (Hotel Grand, ora 17:00)