29 Mars 2024

Kredia e Bankës Botërore pritet të ndihmojë shumë bujqësinë

Prishtinë, 26 qershor - Kredia e Bankës Botërore në vlerë prej 20.15 milionë dollarësh për bujqësinë, pritet të ndikojë në zhvillimin e këtij sektori. Por, paraprakisht kjo kredi duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci thotë se brenda 120 ditëve do të japin tërë shpjegimet e nevojshme rreth këtij projekti.

Kosova mund të përfitojë rreth 20 milionë dollarë kredi të butë nga Banka Botërore për zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, thotë për Radio Kosovën se Qeveria është fokusuar në zhvillimin e bujqësisë, si sektor prioritar i zhvillimit të vendit.

“Kredia e akorduar nga Banka Botërore në vlerë prej rreth 20 milionë dollarësh është fryt i angazhimeve tona të përbashkëta në drejtim të krijimit të kushteve për sektorin e bujqësisë”, thotë Stavileci.

Prej miratimit të kredisë nga bordi i drejtorëve të Bankës Botërore e deri te ratifikimi, nevojitet periudhë 120 ditëshe, sqaron Ministri Stavileci.

“Ne do ta shfrytëzojmë këtë për ta elaboruar projektin me të gjitha grupet parlamentare dhe komisionin për bujqësi dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë problem, sepse bujqësia është njëra ndër shtyllat e së ardhmes të vendit tonë”, tha Stavileci.

Ndërkohë, njohësit e kësaj sfere e mirëpresin marrjen e kësaj kredie, duke vlerësuar se bujqësia ka qenë e anashkaluar kohë të gjatë dhe ka nevojë për mbështetje. Ymer Rusinovci thotë se kjo kredi do të jetë stimulim i mirë, por jo i mjaftueshëm.

“Me këtë mendoj se është një hap i mirë për konsolidimin e prodhimtarisë bujqësore, e cila nuk do të jetë e mjaftueshme, por me këto iniciativa dhe me mbështetjen e drejtpërdrejt të prodhimit bujqësor dhe luftimin e konkurencës nga importi, mund të kemi një prodhim më të qëndrueshëm sesa që kishim paraprakisht”, vlerëson Rusinovci.

Kredia është miratuar me zero për qind normë interesi dhe me 20 vite periudhë maturimi, ndërsa pagesat për kthimin e mjeteve do të fillojnë pas 10 vjetësh, pra deri në vitin 2022 nuk do të ketë asnjë ngarkesë buxhetore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)