29 Mars 2024

Kosova prezantohet në panairin ndërkombëtar “AGRA 2011”

Prishtinë, 22 gusht  - Në Gornja Radgona të Sllovenisë është duke u mbajtur panairi ndërkombëtar i 49-ti me radhë “Agra 2011”. Panairi është hapur me 20 gusht dhe pjesëmarrëse në të janë gjithsej 1710 agrobiznese nga 27 shtete të botës.

Në ceremoninë e hapjes ka marrë pjesë edhe Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Danilo Türk, i cili paraprakisht ka organizuar edhe një takim të përbashkët me 13 ministra të bujqësisë, që ishin prezent në këtë panair. Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci.
   
Për rëndësinë e panairit, ministri Stavileci tha se Kosova po merr pjesë sivjet për herë të parë dhe kjo pjesëmarrje është mundësi e mirë për krijimin e kontakteve të reja ndërmjet agrobizneseve të vendeve të ndryshme të regjionit. “Ne për herë të parë po prezantohemi si shtet, në aspektin institucional dhe nëpërmjet industrisë së agrobiznesit.

Ky është një rast shumë i mirë për të krijuar partneritete të reja, për të shkëmbyer njohuri profesionale dhe për lidhje të ndryshme që do t’ju mundësonin agrobizneseve dhe fermerëve tanë të aplikojnë metodologji të reja dhe të marrin ekspertizën e atyre që qëndrojnë më mirë në aspektin profesional”, tha ministri Stavileci, duke shtuar se edhe takimet zyrtare që ka pasur me homologët e tij kanë qenë të frytshme. “Këtu kemi qenë të gjithë ministrat e bujqësisë së regjionit, me përjashtim të ministrit serb.

Ne tashmë kemi krijuar kontakte me ministritë e bujqësisë së këtyre shteteve, por njëri prej shteteve që është modeli apo shembulli më i mirë për bujqësinë dhe administratën tonë është shteti i Sllovenisë” vlerësoi ai, duke potencuar se në një takim bilateral që ka zhvilluar me homologun e tij slloven, përveç përkrahjes në fuqizimin e mëtejshëm të strukturave administrative, kanë diskutuar me theks të veçantë edhe për nevojën e përcjelljes së mesazhit tek institucionet përkatëse, për të organizuar forume agrobiznesi që do sillnin qoftë edhe investime të përbashkëta, sidomos në relacionin prodhues-përpunues, për t’i përmbushur në mënyrë reciproke nevojat dhe interesat e dy shteteve.

Në këtë drejtim, ai tregoi se përmes projekteve të ndryshme, veçanërisht projektit të ri të USAID-it, janë duke u bërë edhe hulumtime të tregut në të gjitha shtetet e regjionit, për t’i identifikuar mundësitë eksportuese të disa prej kulturave bujqësore, që kanë vlerë të shtuar krahasuar me shtetet e regjionit.

Sekretari gjeneral i shoqatës afariste slloveno-kosovare, Enver Ferati, tha se agrobizneset kosovare janë të prezantuara në mënyrë simbolike në panair, mirëpo ato kanë pasur raste të mira për të bashkëbiseduar me agrobiznese të shumta të Evropës Juglindore. “Në kuadër të shoqatës ne i kemi 100 anëtarë, kryesisht janë kompani që importojnë inpute për bujqësi dhe ushqim nga Sllovenia. Në panair kompanitë tona kanë pasur raste të marrin informacione të dorës së parë për produktet që importojnë dhe shpresoj që viteve në vijim do të mund t’i shfrytëzojnë këto informacione për të rritur prodhimtarinë e tyre bujqësore”, theksoi z. Ferati.
Ai tha se në tregun e Kosovës janë prezente rreth 160 kompani me pronësi të afaristëve slloven.

Ndërsa, Armend Malazogu, pronar i kompanisë MOEA, tha se kjo vizitë i ka shërbyer për të mësuar më shumë mbi teknologjinë e kultivimit të kulturave bujqësore. “Siç po shihet edhe në panair, Sllovenia e ka bujqësinë shumë të zhvilluar, sepse prodhuesit përdorin metoda të teknologjisë së kultivimit shumë më të avancuara. Mua si prodhues më ka shërbyer për t’i shikuar mundësitë e avancimit të proceseve të prodhimit dhe ky është parametri kryesor. Këtu ka shumë pajisje dhe teknologji të ndryshme që duhet t’i përdorim edhe ne në metodat tona të kultivimit”, përfundoi ai.

Në këtë panair, Republika e Kosovës për herë të parë po prezantohet me një “stendë” të veten, në të cilën po iu ofrohen informacione investitorëve të mundshëm për ambientin e biznesit dhe për mundësitë e investimeve në Kosovë. Po ashtu, disa prej agrobizneseve në mënyrë simbolike janë duke i promovuar edhe produktet e tyre.

Panairi do të jetë i hapur deri më 25 gusht dhe pritet të tërheqë mbi 120.000 vizitorë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)