12 Gusht 2020

Komuna e Gjilanit me donatorët hapin puse për ujë të pijshëm

Gjilan, 13 korrik - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka marrë pjesë në hapjen e puseve të ujit të pijshëm në Lagjen e Rrushnajave, projekt ky që është financuar nga Qeveria e Kuvajtit, pas ndërtimit të “Fshatit Social” për fëmijët jetim, personat me nevoja të veçanta e deri te të moshuarit pa përkujdesje, gratë e sprovuara me dhunë në familje dhe qendrën edukuese.

Kryetari Haziri, në fjalën e tij, ka thënë se ky projekt është duke u realizuar në koordinim me përfaqësuesit e Kuvajtit në Kosovë, KRU ‘Hidromorava’ dhe Bashkësinë Islame në Gjilan, sepse uji është jetë dhe program kryesor ku jemi të fokusuar.

“Komuna e Gjilanit është e angazhuar maksimalisht me KRU “Hidromorava” për të stabilizuar gjendjen me furnizim me ujë të pijshëm dhe angazhimi është që nga viti i kaluar. Ne, me Bankën Botërore, e kemi bërë zgjidhjen afatgjate dhe projekti është miratuar në Washington nga bordi i drejtorëve para disa javësh dhe tani negociohet deri në ratifikim të marrëveshjes, për Gjilanin dhe Komunat në regjion."

"Ajo që na gëzon është mbështetja e parezervë e donatorëve nga Kuvajti, që kanë ndërtuar ‘Fshatin Social’ që është projekti kapital dhe unik në tërë territorin e Republikës dhe më gjerë. Hapja e këtyre puseve është zbutje e problemeve për Gjilanin në pjesën urbane. Në këtë lagje jemi në përfundim të projekteve të infrastrukturës, si në rrjetin e kanalizimit, ujësjellësit dhe asfaltimit të rrugëve”, ka thënë Haziri.

Në emër të donatorit ka folur, Islam Cakaj, ka thënë se gjithmonë janë pranë kërkesave të Komunës së Gjilanit dhe Bashkësisë Islame dhe kjo që është duke u bërë sot në Gjilan është për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm.

Mumin Morina, në emër të KRU ‘Hidromorava’, ka thënë se ky projekt është i rëndësishëm, sepse me këtë po bëhet më i lehtë angazhimi në zgjidhjen e problemit me furnizim me ujë, pas gjendjes së vështirë që ishte Gjilani që nga viti i kaluar, kur vendin e kaploi thatësia e madhe dhe mungesa e reshjeve.

Ndërsa në fjalën e tij, Iljaz Mustafa, ka falënderuar donatorin dhe është shprehur se kontributi në interes të përgjithshëm është me vlerë të madhe, ngaqë me këtë përfitues janë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 Gusht 2020 - Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi pret një grup të të rinjve. (Objekti i MKRS-së, ora 9:30)   

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë miraton listën e dëshmitarëve dhe përzgjedh listën e ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Grupi “Vullnetarët/Volunteers #COVID-19” së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, Ministrën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe akterë të tjerë lanson Fushatën “Së bashku kundër #COVID-19”. (Sheshi “Skenderbeu” në Prishtinë, ora 10:00)   

 Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes diskuton lidhur me situatën e Sigurisë në Republikën e Kosovës si dhe shqyrton raportin për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri pret në takim përfaqësuesit e Oranizatave Jo Qeveritare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00 - vetem pamje)

- Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj raporton para  Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 11:00)
 
- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri pret në takim përfaqësuesit e Oranizatave Jo Qeveritare do të ketë konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:30)
 
- Mbahet ceremonia e zbulimit te punimit “I love Kosova” nga Ministrja Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari. (Sheshi “Adem Jashari”, Skenderaj, ora 11:50)
 
- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi zhvillon një vizitë në ndërmarrjen sociale “Pastiçeria Snap cake” në kuadër të projektit ‘Praktika në Punë” i mbështetur nga Departamenti i Rinisë MKRS. (Skenderaj, ora 12:00)   

 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën shqyrtohet propozimi i deputetit Haxhi Avdyli, mbështetur edhe nga 41 deputetë tjerë nënshkrues, për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit,  mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet të hidrocentraleve në Republikën e Kosovës dhe Çeshtje tjera . (Në platformën ZOOM 5.0. ora 14:00)